Av. Altin Goxhaj/ Duhet ndjekje penale për ndotësit akustikë të mjedisit

86

Drejtor ekzekutiv i ZMK-së

ZMK-ja  reagon për gjendjen e rënduar psikologjike të pushuesve në Durrës, si pasojë e zhurmave ekstreme të lokaleve të natës në të gjithë territorin e plazhit të Durrësit e deri në Malin e Robit.

Përgjatë monitorimit veror të Plazhit të Durrësit, ZMK-ja konstatoi se situata e zhurmave të lokaleve të natës është bërë e pasuportueshme, duke filluar nga ora 08:00 e darkës, përtej mesnatës. Lokale pa fund, që zhurmojnë me një muzikë totalisht të rëndomtë, që nuk synon thjesht kënaqjen e personave që kanë vendosur të shurdhohen brenda territorit të lokalit, por mbi të gjitha identifikimin nëpërmjet zhurmës për të gjithë klientët e çuditshëm, që preferojnë të zhurmohen deri në absurd. Me dhjetëra mijëra pushues janë të detyruar që të vuajnë një gjendje të pasuportueshme dhe unike në botë, si për nga volumi dhe për nga cilësia e zhurmës përkatëse. Lokalet kanë instaluar aparatura fonike që amplifikojnë një zhurmë tej çdo norme të lejuar dhe krejtësisht të identifikuar si e dëmshme për shëndetin e njerëzve, sipas të gjitha përcaktimeve ndërkombëtare. Këngëtarët e tallavave dhe një muzikë krejtësisht të rëndomtë kulturalisht e kanë kthyer plazhin e Durrësit, të Shkëmbit të Kavajës, Golemit deri te Mali i Robit në një mjedis të shëmtuar kulturalisht, por edhe kanë vënë në pikëpyetje gjendjen psikologjike të pushuesve, të cilët ankohen për një situatë të papërballueshme. Bën përshtypje fakti se e gjithë zhurma ndodh në pjesën ku qëndrojnë shumica e pushuesve, ndërkohë, që në zonën e Qerretit, ku ndodhen vilat e të pasurve të Shqipërisë, nuk ka asnjë zhurme dhe kjo tregon se zhurma po aplikohet sipas një skeme të pastër të diskriminimit klasor, të shkaktuar nga indiferenca e plotë e institucioneve të pushtetit vendor, që e kanë për detyrë monitorimin dhe lejimin e zhurmave përkatëse. Sipas të gjithë të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, zhurmat e larta kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dëmtues të shëndetit të qytetarëve dhe ndikojnë tej mase negativisht, psikologjikisht në gjendjen e stresit. Shumë qytetarë, që kanë apartamente në bregdetin e Durrësit ankohen për një pamundësi të plotë të kalimit të sezonit veror në shtëpitë e tyre, pikërisht se nuk përballojnë dot këtë gjendje ndotjeje të rëndë akustike, si për nga volumi, ashtu edhe cilësia e rëndomtë dhe tej mase e papranueshme për shijet e publikut. Tashmë e gjithë zona e Plazhit të Durrësit, Shkëmbit të Kavajës, Golemit, deri te Mali i Robit, i ngjan më shumë një plazhi indian, për nga niveli kulturor se sa një plazhi perlë në mes të Mesdheut. Deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e pushtetit vendor dhe organeve të specializuara dhe në prag të sezonit turistik mund të thuhet se situata është përkeqësuar edhe më tej. ZMK-ja kërkon nga qeveria e re miratimin e një legjislacioni të ri, i cili të detyrojë organet e pushtetit vendor për të ndaluar këtë gjendje të rënduar,si për shëndetin e konsumatorëve edhe për degradimin kulturor të një prej plazheve më të rëndësishme të Shqipërisë. ZMK-ja kërkon ndjekje penale dhe jo vetëm masa administrative, për të gjithë dëmtuesit e shëndetit publik, nëpërmjet ndotjes akustike.