Autoriteti i konkurrencës/ “Conad Albania” shkel ligjin pë Konkurrencën. Rrezikon gjobë për abuzimet me fiksimin e çmimit përfundimtar

806
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron kompaninë e ushqimeve “Conad-Albania” që të marrë masa për të shmangur “fiksimin” e çmimeve për furnizuesit e tij, pasi në të kundërt do të gjobitet me 10 për qind të xhiros vjetore. Në Vendimin nr. 560, dt. 15 Tetor 2018, Autoriteti i Konkurrencës kërkon nga “Conad-Albania” që të mos aplikojë në faturat e shitjes çmime të këshilluara për kompanitë që furnizohen prej tij, si edhe të mos monitorojë çmimet e rishitjes së mallrave të tij. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, shkruan portali boldnews.al veprimtaria e “Conad-Albania”, sidomos ajo e fiksimit të çmimit përfundimtar të shitjes, përbën shkelje të rëndë të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës kërkon nga “Conad-Albania” që të marrë masa të menjëhershme për shmangien e kësaj praktike financiare. Në këtë kundërt, ndaj kompanisë së ushqimeve do të aplikohet masa e rëndë. Pas marrjes së këtij vendimi, “Conad-Albania” e ka kundërshtuar pranë Autoritetit të Konkurrencës. Në këtë ankim, kompania private kërkonte shfuqizimin e pikës dy, të vendimit, pikërisht atë që lidhej me marrjen e masave për të shmangur fiksimin e çmimit të rishitjes. Në këtë ankim, “Conad” ka pretenduar se veprimtaria e tij është në kushtet e lejimit nga ligji dhe nuk cenon konkurrencën. Por, me një vendim të dytë, nr. 569, të marrë në datë 15.11.2018, Autoriteti i Konkurrencës e ka rrëzuar pretendimin e “Conad”. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, “Conad-Albania” nuk ka përmbushur asnjë prej kushteve ligjore për revokimin e vendimit të mëparshëm. Gjatë hetimit administrativ, Autoriteti Konkurrencës konstatoi se: “Nga inspektimet e realizuara tek ndërmarrja “Conad Albania” më datë 10.07.2018 u konstatua se rekomandohen çmime të këshilluara në një kohë kur supermarketet janë të pavarura në vendimmarrjet e tyre”. Autoriteti i Konkurrencës ka aplikuar “testimin”, duke kërkuar një faturë konkrete shitjeje malli nga “Conad” drejt një blerësi të tij. “Në përgjigje të kërkesës për informacion nga ndërmarrja “Conad Albania” – thotë Autoriteti i Konkurrencës – është administruar fatura me numër serie XXX ku jepet vlefta totale e produktit pa TVSH, por edhe çmimi i shitjes i këshilluar dhe marzhi teorik, i cili varion sipas produkteve”. Gjatë inspektimeve të realizuara përgjatë procedurës hetimore tek zinxhiri i supermarketeve Conad u konstatua nëpërmjet faturave të shitjes elektronike me nr. XXX e datës 10.07.2018 (faturë oferte), fatura XXX e datës 06.07.2018, dhe fatura Nr. XXX, datë 07.07.2018, se këshillohen çmimet e rishitjes. Autoriteti i Konkurrencës deklaron se “përfaqësuesit e ndërmarrjeve në tregun e poshtëm deklaruan se çmimi nga ndërmarrja “Conad Albania”, vjen i këshilluar, por jo i fiksuar, sipas një variacioni grafik, të cilin jo gjithmonë e marrin në konsideratë. Sipas deklaratave të tyre gjatë inspektimeve në përgjigje të pyetjes sa të pavarur dhe vendimmarrës janë në lidhje me të gjithë treguesit e produktit të marketingut, sasi, çmim, fushatë promocionale, deklarojnë se kanë pavarësi dhe liri për të vendosur mbi çmimet e këshilluara”. Për të vlerësuar mekanizmin e formimit të kostos, çmimit të rekomanduar dhe çmimit të aplikuar faktikisht, përgjatë zinxhirit të furnizimit për artikuj kryesorë të markës Conad dhe jo Conad është përpunuar dhe analizuar informacioni i sjellë nga ndërmarrja “Conad Albania”. Të dhënat e përpunuara analizojnë artikujt kryesorë të markës ‘Conad’ dhe jo ‘Conad’ me të gjithë elementët e formimit të çmimit të shitjes përgjatë zinxhirit të furnizimit që nga blerja nga “Conad Albania”, kostot e përgjithshme të “Conad Albania”, çmimin e shitjes, marzhin neto, çmimin e shitjes tek rrjeti, koston e përgjithshme me supermarketet, vlerat në pikë shitje me çmime të rekomanduara, dhe çmimin e aplikuar faktikisht në supermarket. Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se “çmimet e aplikuara në fakt (për produktet e markës Conad) nga ndërmarrja Food Trade, krahasuar me çmimet e rekomanduara nga “Conad Albania” rezultojnë të njëjta për të gjitha produktet e marra në analizë. Ndërmarrja Food Trade është e integruar vertikalisht si aksioner i përbashkët me ndërmarrjen “Conad Albania”, me XXX% të të gjitha shitjeve të “Conad Albania” ose XXX% të tregut përkatës”. Për Autoritetin e Konkurrencës, “mbajtja e çmimit të rishitjes (RPM), që do të thotë vendosjen indirekte të një çmimi rishitje që të shikohet nga blerësi, trajtohen si kufizime në objekt të nenit 4 të Ligjit Nr. 9121/2003”. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës, në vendimin e tij të Tetorit 2018, vendosi:

(Pika 2): Ndërmarrja “Conad Albania” SHPK, për të shmangur çdo kufizim të konkurrencës nga aplikimi i përcaktimi i çmimeve të rishitjes, duhet të marrë masat si vijon:

a) të mos aplikojë në faturat e shitjeve (brenda sistemit software dhe jashtë sistemit software), çmime të këshilluara dhe marzhin teorik;

b) të mos monitoroje çmimet e rishitjes, për të shmangur çdo sjellje antikonkurruese lidhur me mbajtjen e çmimit të rishitjes apo koordinimin e sjelljes për fiksimin e çmimit përfundimtar të shitjes;

“Në rast të mos përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në pikën (II) të këtij vendimi, ndërmarrja “Conad Albania” SHPK “ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa (c) të Ligjit Nr. 9121/2003”, konkludon Autoriteti i Konkurrencës.