Autoriteriti Kombëtar i Ushqimit, heshtje varri përballë një skandali që do t’i kushtojë shumë konsumatorëve shqiptarë

239

Alarm/Kontenierë me mish të kontaminuar nga Venezuela hyjnë në tregun shqiptar nën hundën e autoriteteve përgjegjëse

 Qytetari shqiptar rrezikohet nga papërgjegjshmëria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve. Kështu pas skandalit të sasisë së lartë të aflatoksinës në qumësht, një tjetër skandal ka përfshirë AKU-në dhe kreun e saj Artan Gjergji. Skandali i radhës është pikërisht futja në tregun shqiptar, sigurisht me bekimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të kontenierëve me mish të kontaminuar  nga Venezuela. Njësoj si në skandalin paraprirës edhe në këtë rast Autoriteti Kombëtar i Ushqimit hesht. Hesht para të drejtës së informimit për gazetarët në veçanti dhe të opinionit publik në përgjithësi, detyrim ky që rrjedh nga ligji. Hesht para përgjegjësisë që ka ky autoritet, për shëndetin e qytetarit shqiptar. Alarmi se ky mish mund të jetë i kontaminuar me sëmundje nga më të ndryshme, pasi është i pakontrolluar, i bën qytetarët shqiptarë të ndihen të pasigurt në atë që konsumojnë. Mësohet që mishi i kontaminuar nga Venezuela është i destinuar për tregun e fastfood-ve, apo dhe të restoranteve. Ky denoncim ka ardhur edhe në median tonë si në të gjitha mediat, por gazeta “Telegraf” duke respektuar etikën profesionale, preferoi që para se të publikonte këtë denoncim të merret dhe prononcimin e AKU-së. Por u gjend përballë një heshtjeje të pakuptimtë dhe sigurisht joprofesionale të kreut të AKU-së, Artan Gjergji.

Denoncimi

Denoncimi i ardhur në gazetën “Telegraf” bënte fjalë për kontrabandë të paligjshme të mishit të lopës nga Venezuela. Sipas këtij denoncimi kontenierët janë pranuar nga ana e AKU-së, sigurisht në këmbim të ryshfeteve, por edhe ngre alarmin se ky mish mund të jetë i kontaminuar me sëmundje nga më të ndryshme, pasi është i pakontrolluar. Denoncimi është i shoqëruar me një etiketë, që i është hequr njërit prej kontenierëve të mishit në portin e Durrësit dhe që në mënyrë të dukshme, ka të shënuar mbi të, se ky mish “Nuk duhet të dalë nga territori i Republikës” dhe jo më të importohet në vende të tjera. Gjithashtu mësohet se ky mish që po futet që prej disa muajsh në vendin tonë nëpërmjet portit të Durrësit, duke qenë se vjen në mënyrë ilegale, as nuk është kontrolluar apo të vijë nga thertore të certifikuara të BE-së, duke shkelur kështu urdhrin e ministrit të Bujqësisë Nr.328, datë 22.11.2011 për miratimin e rregullores “Mbi përcaktimin e kritereve dhe kërkesave për certifikimin veterinar të disa lloje kafshësh dhe mishit të freskët të tyre, të cilat hyjnë në republikën e Shqipërisë nga shtete të caktuara, si dhe nga territore të tjera në administrim të këtyre shteteve”. Ndërkohë nëse i hedhim një sy me vëmendje etiketës që shoqëron këtë shkrim, etiketë e cila i është hequr njërit prej kontenierëve me mish në portin e Durrësit, duket se origjina e mishit është Uruguaji dhe me sa duket Venezuela e ka importuar nga ky vend, dhe më pas e ka eksportuar drejt Shqipërisë. Kjo mënyrë se si ky mish po futet në vendin tonë rrit dyshimet se ai mund të jetë mbartës i të gjitha sëmundjeve të mundshme, dhe pa asnjë lloj kontrolli ai gjendet në tryezat e shqiptarëve, duke u bërë një kërcënim serioz për shëndetin e tyre. Mësohet se kjo situatë e kontrabandës së mishit ka kohë që ndodh çdo ditë në portin e Durrësit.

Darka e Helmuar

Kadareja ka shkruar librin “Darka e gabuar”, që ka tërhequr shumë njerëz, por kjo nuk është asgjë fare para titullit tragjik “Darka e helmuar”, që AKU i ofron shqiptarëve, nëpërmjet futjes nga Uruguaji, apo Venezuela të një sasie të madhe mishi. Për këtë arsye, në këtë lloj pasigurie, çdo darkë mund të jetë darka e fundit e jetës, sepse pas konsumimit të një mishi të tillë, askush nuk mund ta parashikojë, nëse do të dalë i gjallë nga Urgjenca e Repartit të Intoksikacioneve. Aq më tepër, kur zyrtarët nuk japin shpjegime, për mënyrën se si kjo sasi mishi ka hyrë dhe vazhdon të hyjë në Shqipëri. Zyrtarët që përgjigjen për këtë fatalitet kanë vendosur të heshtin, duke mos e menduar gjatë faktin, se ata nesër, për shkak të kësaj neglizhence, mund të bëhen bashkëpunëtorë, në vrasjen, apo helmimin e qindra mijëra njerëzve. Dhe përpara një vrasje të tillë kolektive, nesër do të jetë vonë që të thuhet se këta zyrtarë nuk parashikuan gjëmën. Për këtë arsye, duke i kujtuar këtyre drejtuesve tragjedinë që i kanoset shoqërisë sonë dhe konsumatorëve shqiptarë, “Telegraf”, paralajmëron konsumatorët të kenë kujdes, pasi çdo darkë e tyre mund të jetë e fundit, për shkak të oreksit tinëzar të zyrtarëve, në përfitimet që mund të kenë individualisht nga ky helmim.