Autorët me kamionçinë frigoriferike, zbulohen detaje të reja nga grabitja në postën e Krujës

599
Sigal

Zbulohen detaje të reja nga grabitja e kasafortës në postën e Krujës ku u morën nga autorët 110 milionë lekë. Burime bënë me dije se grabitësit kanë qenë me një kamionçinë frigoriferike dhe e kanë detyruar rojen t’i ndihmojë. Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në postë, por edhe të bashkisë dhe disa bizneseve në zonë.

Këto detaje janë zbuluar pas arrestimit të rojës së postës Besnik Parruca, për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ pasditen e djeshme. Grabitja ndodhi mëngjesin e djeshëm, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar.

Sipas policisë, roja private, pas marrjes dijeni për ngjarjen nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.

Gjithashtu është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” dhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasi me inicialet S.T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.

Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Krujë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.