Autorët e krimeve, kundër autorëve të shkrimeve

522
Përparim HALILI
Reagimin ndaj “Projekt-Kobures” me Nr. 13/3 të kërcënimit me pranga ndaj gazetarëve dhe fjalës së lirë të qytetarëve në media, po e nisim me dy episode: 
1. Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të 21 qershorit 2015, në një takim në Vlorë, një politikan i lartë i PS me vila e biznese “VIP”, deputet qysh prej 31 marsit 1991, duke folur për luftën kundër korrupsionit, bëri këtë thirrje: 
– “Të bëhemi bashkë, për të luftuar dhe pastruar korrupsionin 25 vjeçar, që ka pllakosur e që na ka kapur për fyti”! 
Një nga pjesëmarrësit në takim, për të ironizuar udhëheqësin e “ndershëm” të partisë, iu drejtua: 
– “Dakord zoti deputet, por që ta luftojmë e ta pastrojmë korrupsionin, fillimisht na thuaj ku gjendet dhe kush e bënë, mbasi dëgjojmë kryeministrin që thotë se në qeveri nuk ka korrupsion dhe sa herë denoncohen skandale më gazeta, del e thotë: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, prandaj na trego ku bëhet ky “dreq korrupsioni”, sepse nuk mund të mendohet që korrupsionin e bën gjyshja ime në fshat e cila ka si kompetencë vetëm tasin e misrit që u hedh pulave dhe çelësin e furrikut të vezëve”! 
2. Një muaj më parë, gazeta “Telegraf” publikoi me fakte shkresore e dëshmi biznesesh, skandalin financiar të bërë prej një shtetari të lartë, me disa nga tenderët e investimeve të punëve publike të një qarku. Pas botimit të shkrimit, “trimat” e paguar prej shtetarit kërcënuan “për zhdukje të gazetarit”, nëse nuk bëhej përgënjeshtrimi! 
Neni që maskon presionin ndaj medias e fjalës së lirë
I kujtuam këto dy episode jo si “kronikë pune”, por për të denoncuar “krimin e moderuar” që tentoi të bëjë klika e “rilindjes”, ndaj fjalës së lirë. Kjo tentativë e përsëritur e kupolës së mazhorancës për asgjësimin e medias së lirë, nuk është “kuptuar gabimisht” siç u shpreh krye-komisioneri i reformës së drejtësisë, “politologu” Fatmir Xhafa, por si bllokim të denoncimit mediatik të skandaleve me përmbajtje krime shtetërore, politike, klanore, ligjore, grabitje pronash private, mohim të drejtash kushtetuese të qytetarëve, vjedhje e blerje të votës së lirë, pazare me interesat dhe pasuritë kombëtare, shkatërrim i shtetit etj! Pikërisht nga frika e publikimit të këtyre abuzimeve ka frikë kupola e “rilindjes”, ndaj dhe tentoi të bëj ligj dënimin e medias, të çdo zyrtari e qytetari që i publikon, apo i përhap ato. Për të maskuar këtë krim ndaj fjalës së lirë, përdorën “fasadën” e lirisë dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme, sipas të cilëve “nuk duhet të investigohen e publikohen fakte abuzimesh nga veprimtaria e kësaj prokurorie speciale për hetimet që u bëhen krimeve të shtetarëve dhe politikanëve”. Ky skandal nuk u shkruajt “me bojë” as në Kodin Penal të ish-regjimit të diktaturës komuniste, ku Fatmir Xhafa ka qenë drejtues dhe agjitator i lartë i rinisë në Tiranë! Të sanksionosh me Kod Penal, nenin që dënon me 3 vite burg të drejtën e zbulimit dhe publikimit të veprimtarisë së një institucioni që heton krimet e shtetarëve të lartë, kjo tregon qartazi, se shtetarët e paskan bërë këtë ligj kundër fjalës së lirë. Kjo provon, se nuk e kanë bërë këtë ligj për të garantuar punën e qetë e të pavarur të Prokurorisë së Posaçme”, por për të bllokuar publikimin dhe denoncimin e abuzimeve të shtetarëve, që do të trajtoj kjo strukturë speciale! Cila logjikë, sot në vitin 2016, qoftë edhe me mendësi “shpellarësh xhungle”, ndalon investigimin dhe publikimin e veprimtarisë së shtetarëve në kohën e ushtrimit të detyrës shtetërore?! Edhe fiset “Zulu”, lejojnë dokumentaristët të filmojnë pjesë “sekrete” e barbare të jetës së tyre e madje japin shfaqje përpara kamerave! Ndërsa “rilindësit” e sotëm shqiptarë, bëjnë ligj për të mos zbuluar e denoncuar veprimtarinë e tyre, duke kërcënuar me gjoba për mediat dhe burgosje të gazetarëve! 
Në 10 muaj, projekt-ligji i dytë për burgosjen e mediave që denoncojnë krimet e shtetarëve
Ky është rasti i dytë brenda 10 muajve të fundit, që kupola e mazhorancës e ndotur dhe e trembur prej krimeve të saj, tenton të zhduk fjalën e lirë në media, në rrjete sociale, në administratë e mjedise publike, duke projektuar një projekt-ligj tjetër :me përmbajtje të plotë “trikëmbësh ekzekutimi”.të fjalës së lirë në Shqipëri. Sipas logjikës së këtij projekt-ligji, shtetarët kanë të drejtë të vjedhin, të grabisin prona, të shkelin të drejta sociale, të largojnë nga puna, të kërcënojnë, të përndjekin e masakrojnë qytetarët nëpër rrugë dhe biruca policie, të bëjnë kontrabandë monopoliste ilaçesh, ushqimesh, energjie, uji, transporti. arsimi, shëndetësie, të plaçkitin banka, fonde e taksa publike, pyje, kullota, toka, troje, HEC-e, porte, aeroporte, koncesione minierash, lumenjsh, shërbimesh mjekësore, të Kalave, kishave, xhamive e manastireve, trafiqe droge e veprash arti, shkatërrime vlerash kombëtare, bashkëpunim e mbrojtje krimi etj. Por, sipas nenit 13/3, për asnjë nga këto e të tjera zullume shtetarësh nuk duhet pyetur, nuk duhet folur, nuk duhet reaguar, nuk duhet denoncuar, nuk duhet publikuar në media! ndryshe, sipas projekt-kobures “Rama”, e pëson me 3 vite burg, ose me gjobë edhe sa vlera e shtëpisë! Dhe mos u çuditni, por ashtu si 1 vit më parë edhe sot, thuhet se këtë projekt-ligj e ka ideuar kryeministri Edi Rama, ish-“kalorësi i fjalës së lirë” kundër krimit e korrupsionit shtetëror të viteve 1992-1997 kur hëngri levën e hekurit “prapa koke” për një koment denoncues në gazetë që publikonte fjalën e lirë kundër abuzimeve të pushtetit të asaj kohe! Kujtojmë, që ky projekt-ligj me nenin 13.3 kundër fjalës së lirë është “kopje” në formulim dhe përmbajtje si neni që kryeministri Rama shpalli dhe kërkoi ta miratonte në seancën parlamentare të datës 12 shkurt 2015, nën motivin se penalizonte dhe dënonte po me 3 vite burg, shpifjen ndaj politikanëve e shtetarëve, duke kërkuar të futjes si nen special në Kodin Penal, në kapitullin “Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit”. 
Përse SPAK, duhet të “punojë” si dikur KGB, UDB dhe ish-Sigurimi i Shtetit?
Me nenin 13/3 që dënon fjalën e lirë, shtetarët shqiptarë, duan të bëj ligj penal presionin e dhunshëm ndaj gazetarëve dhe qytetarëve, për të mos ndërhyrë as me pyetje, as me kërkesa për informacion, as me kritika, as me peticione, as me denoncime dhe as me presion publik ndaj Prokurorisë së Posaçme që do të hetoj krimet e shtetarëve! Përse duhet të jetë hermetike veprimtaria e kësaj prokurorie e cila heton veprimtarinë e shtetarëve që paguhen me taksat e popullit?! Përse SPAK duhet të kryej veprimtari sekrete për krimet dhe abuzimet e shtetarëve, tipike si dikur KGB-së Sovjetike, UDB-së Jugosllave, DANS-it Bullgar, SRI-së Rumune e për të rifreskuar kujtesën e Ramës, Xhafës e të tjerëve të ‘rilindjes”, tipik si dikur ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar, që përgjonte, hetonte, skedonte dhe dënonte cilët futeshin “në listë” prej ish-kupolës së diktaturës, por që askush nuk kishte të drejtën të pyeste, të investigonte e të kërkonte informacion mbi dosjet hetimore, të denonconte apo të bënte presion mbi ish-sigurimin për mbyllje e hapje dosjesh! Këtë sanksion edhe neni 13/3 që u tentua të futej në Kodin Penal, brenda të cilit është fshehur djallëzisht inkuizicioni që frenon, tremb dhe dënon me pranga fjalën së lirë në media e në shoqëri! Neni 13/3 i Neni 13/3 i “Rilindjes” së vitit 2013, çon 3 vite në pranga fjalën e lirë sot në vitin 2016, duke u paraqitur si një ligj i veshur me gjoja “vello të pastër demokracie” dhe me “merakun për pavarësi pune” të organeve hetimore anti-krim e anti-korrupsion që do të hetojnë hartuesit e këtij ligji! Në fakt, ky projekt-ligj provon vazhdimin e pa frenueshëm të një qëndrimi tepër shqetësues për fjalën e lirë median shqiptare, ku autorët e krimeve kërcënojnë autorët e shkrimeve! 
————————————————–
Ja neni 13/3 i Projekt-Ligjit që dënon gazetarët me 3 vite burg
“Çdo lloj influence e pa përshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.
—————————————————– 
Ja justifikimi dhe tërheqja e kreut të Komisionit të Posaçëm për Reformës në Drejtësi, zotit Fatmir Xhafaj
“Neni 13/3 është keqkuptuar, nuk ka asnjë lidhje me lirinë e medias, por do të ndryshoj”
“Neni 13, paragrafi 3 i ligjit për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion është një zhurmë e panevojshme. Në vetvete neni nuk ka të bëjë me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe prokurorinë. Ka të bëjë me pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme, që ka punë shumë delikate dhe me konflikt. Ndaj është e nevojshme që të mbrohen prokurorët nga çdo ndikim i paligjshëm që deformon hetimin. Futja e medias nuk kishte qëllim censurën, por ndalimin e përdorimit të medias si instrument për presion. Në mënyrën si është shkruar, mund të keqkuptohet. Ndaj duhet ndryshuar e riformuluar. Dhe ajo që ka ndodhur sot e në vite të tëra është se për shkak të këtij presioni nga politika, nga zyrtarët e lartë, njerëzit me pushtet dhe nga elementë të tjerë, janë mbyllur procese të tëra që kanë pasur të bëjnë veçanërisht me zyrtarët e lartë në çështjet e korrupsionit. Natyrisht, mënyra sesi është thënë aty çështja e medias, ka nevojë të rregullohet. Qëllimi i asaj dispozite është jashtëzakonisht i mirë dhe në optikën time, neni 13/3 duhet forcuar akoma më shumë, për të eliminuar çdo lloj ndikimi të paligjshëm mbi punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve që do të jenë pjesë e strukturave anti-korrupsion. Çështja shtrohet se cili do të jetë këtu raporti i medias, për ta mbrojtur median. Por jo thjesht për ta mbrojtur, por për ta bërë partnere në luftën kundër korrupsionit, kjo ka nevojë që të rregullohet dhe të riformulohet më mirë dhe kaq. Këtu fillon dhe mbaron gjithçka” 
Sigal