Autokracia e Kryetarit të Bashkisë që grabit pronarët

699
Ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastër, Flamur Bime ka grabitur në mënyrë të paligjshme territorin e liqenit të Viroit, pronarëve të familjes së Jaho Çabej.(Pajisur me Vërtetim pronësie nga Hipoteka e Gjirokastrës)
Temat me objekt grabitjen dhe mos kthimin e pronave, ish-pronarëve, është bërë kryefjala e ditës për 25 vjet demokraci, si për qeveritë shqiptare, Gjykatën e Strasburgut dhe në Këshillin e Europës. Qyteti i Gjirokastrës, në Jug të vendit është një nga qytetet që ka hyrë në listën e qyteteve Monument Historike, që ruhet nga UNESCO. Jo vetëm qyteti me arkitekturën e saj karakteristike, historinë e saj, por edhe shumë resurse rreth saj i kanë dhënë këtij qyteti dhe banorëve të këtij qyteti një bukuri të veçantë. Një nga territoret me vlera të veçanta natyrore ka qenë edhe Viroi, emër që e ka marrë edhe liqeni që lag brigjet e saj. Edhe objekti i këtij shkrimi publik është territori i Liqenit të Viroit. Kjo tokë ka qenë në vite dhe njihet historikisht nga banorët e saj, pronë e familjes së Jaho Çabej. Në vitin 1945, me reformën agrare kjo pronë kaloi pronë e shtetit. Me vendosjen e pushtetit demokratik në vitin 1990, ky territor iu kthye pronarëve të ligjshëm nga AKKP, me vendim Numër 127, datë 03/09/1999. Sot, familja e Jaho Çabej gëzon të drejtën e pronarit legjitim me vërtetim pronësie nga ZKKP në Gjirokastër. 
Pronarët e ligjshëm të territorit të Liqenit të Viroit, nëpërkëmben nga ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës
Pronarët e kësaj prone i kanë bërë kërkesë disa herë Bashkisë së Gjirokastrës për të zhvilluar ndonjë aktivitet biznesi, por nuk ju është aprovuar pa asnjë justifikim (!)de jure, por e varfër de fakto. Vazhdimisht, në planin e zhvillimit të territorit të Shqipërisë, jepen financime nga qeveria dhe nga BE qeverisë dhe bashkive të Shqipërisë për sistemimin dhe zhvillimin e qytetit dhe gjithë territorit të Shqipërisë. Një nga projektet “ambicioze”, që i ra në dorë ish-kryeqytetasit të Gjirokastrës, ishte edhe Projekti mbi sistemimin e parkut të Viroit, (që nuk është park me vendime qeverie, pasi nuk ka asnjë objekt, veç virgjërisë natyrore), rikonstruksioni i rrugës në “parkun e Viroit”, ndriçimi i trotuarit në “Parkun e Viroit” nga ana e qytetit. E nënvizojmë, “parku i Viroit”, se kështu i pëlqente (ish) kryebashkiakut, Flamur Bime, që për 8 vjet “nuk e dinte “ që nuk është park, por është pronë private. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave, numër 676 datë 20/12/2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të Monumenteve të Natyrës Shqiptare vetëm burimin ‘VIROI”, mëma e ujit, e Gjirokastrës” ka statusin e Monumentit të Natyrës dhe përfshihet në rrjedhën e zonave të mbrojtura . Pra, pasuria e familjes Çabej nuk përfshihet në zonë me status Park. Por është territor i qytetit të Gjirokastrës. As kullotë, që pretendonte ish-kryetari. Kjo “garniturë” e bukur dhe e pasur i kishte hapur oreksin mashkulloritit, (ish-kryebashkiakut të Gjirokastrës), kur vinte për Gjirokastër. Është e vërtetë se zona e Viroit, me gjelbërimin dhe pyllin e saj, që laget nga ujërat e liqenit të Viroit ka qenë e frekuentuar nga banorët e Gjirokastrës. Tentoi i ziu kryetar të realizonte ndonjë projekt në këtë zone, sa qe në pushtet qeveria e PD, por nuk guxonte. Pas zgjedhjeve të 2013, që erdhi në pushtet partia që ai aderon, vendosi të realizojë një projekt të vetëm në Gjirokastër, atë të Viroit. Qyteti i Gjirokastrës ka shumë terrene për parqe publike. Por kryeqytetarit (Flamur Bime) i pëlqente Viroi. Në 8 vjet në krye të pushtetit lokal, ai jo vetëm nuk realizoi asnjë projekt për sistemimin e Gjirokastrës, por e rrënoi atë me shkatërrimin e shtëpive karakteristike dhe ndërtimet pa leje brenda qytetit. Gjirokastra, si një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë, me një arkitekturë të veçantë, ka hyrë në listën e qyteteve të mbrojtura nga UNESCO. Por, me shkatërrimet, ndërtimet pa leje që po bëheshin, mos menaxhimi i mirë nga Bashkia, ky qytet u rrezikua të dalë nga kjo listë e monumenteve të veçanta botërore, që mbrohen nga UNESCO. Siç duket, kryeqytetari i Gjirokastrës, e kishte mendjen vetëm të Viroi (!). Dhe, ja. Erdhi koha e tij. Në ikje nga detyra si kryebashkiak (fatkeqësisht) i erdhi “Rilindja”. Por, nuk e kuptoi drejt. Është Rilindja e ndryshimeve në të gjitha hallkat e sistemit në Shqipëri. Në radhë të parë, të asaj kundër korrupsionit në institucionet shtetërore dhe asaj në drejtësi. Nuk qe rilindja e tij. Por izolimi i tij me krimet që ka bërë në qytetin e Gjirokastrës. Por, kur “ambicia” të errëson sytë dhe mendjen, bie në një vorbull që nuk del dot. Kështu ndodhi edhe me kryeqytetarin e Gjirokastrës. Siç thamë me lart, ai nxitoi në ikje të realizojë një projekt, që t`i mbetet në kujtim gjirokastritëve, sistemimi i Parkut të Viroit (!) si dhe politikanëve të rinj deputetë. (Nuk i përmend në këtë shkrim, pasi ata e dinë vet dhe në një moment drejtësia do t’i publikojë). 
Betonizimi i Liqenit të Viroitnga kryebashkiaku i Gjirokastrës, pas 2013
Menjëherë pas fitores së zgjedhjeve në 2013, kryebashkiaku i Gjirokastrës i joshi politikanët e rinj të Gjirokastrës me këtë “garniturë” , betonimi i gjelbërimit të bregut të bukur që lagej nga ujërat e liqenit të Viroit, duke ndërtuar fusha volejbolli, basketbolli, kënde lodrash (pa lodra)… Por që të luash në atë zonë duhet të dish not, pasi, kur topi të bjerë në ujë, duhet të notosh që të marrësh. Nuk e kishte në projekt këtë ide. Sa zona të bukura e të sistemuara ka qyteti i Gjirokastrës që mund të ndërtohen parqe sportive, ku rinia mos të rri nëpër lokale dhe parmakët e dyqaneve, që familjarët të argëtojnë fëmijët e tyre në kënde lodrash me afër qytetit. Nuk ke çfarë bën. Kështu qe fiksuar në vite. Por, ai harroi edhe më të rëndësishmen. Është pronë private dhe mbrohen nga ligjet e shtetit shqiptar. Këtë gjë e ka theksuar edhe Kryetari i tij i Partisë dhe njëkohësisht, Kryeministri i Qeverisë së “Rilindjes” , Zoti Edi Rama në takimin në qytetin e Vlorës: “…..Bashkia është në shërbim të qytetarëve të saj dhe jo qytetarët në shërbim të Bashkisë……”. Kush do t’i mbrojë të drejtat, pronat e qytetarëve në Gjirokastër. Është kryeqytetari ai që është zgjedhur nga populli i tij për t’i mbrojtur nga shpërdoruesit, kriminelët, falsifikatorët, të korruptuarit në pushtetin dhe institucionet lokale. 
Betonizim i Liqenit të Viroit, pa leje zhvillimi
Ky krater “Vullkanik” që i kushton Qeverisë Shqiptare 151.948.545 milion lek (të reja) thithi brenda vetes edhe Ministrinë e Turizmit dhe Urbanistikës, duke urdhëruar Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit ta aprovonte këtë projekt me dokumenta të falsifikuara dhe me mangësi (jo se nuk e dinin, por kështu qe marrëveshja. Sipas informacionit që kemi marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, nuk ka dhënë leje zhvillimi për këtë projekt, duke ju drejtuar bashkisë me shkresën numër 7626/1 datë 12/0602014, ku ndër të tjera informohej se për t’u pajisur me leje zhvillimi, duhej të mbështetej në nenin 70/13 të ligjit 10 119 datë 23/04/1999 për Planifikimin e Territorit. Sipas këtij ligji, dokumenti kryesor që të plotësojë kërkesën e lejes, është ai që vërteton identitetin e kërkuesit dhe cilësinë e tij si pronare. Kusht paraprak për fitimin e të drejtës së zhvillimit të projektit, sipas këtij ligji përfshin edhe marrëveshjen me bashkëpronarët, ose palë të treta. Në “krater” (se i thonë një fjalë: “Di të vjellësh? –Di. Di ta ruash? -Jo. Atëherë, nuk të marr në punë). U fundos edhe firma e ndërtimit. Ajo filloi punimet, duke betonuar zonën e gjelbër pa marr leje ndërtimi nga Ministria e Mjedisit. Nuk e dinte juristi i ndërmarrjes ndërtuese se ky është një veprim i gabuar dhe dënohesh penalisht. Sigurisht, e dinte. Por që Kryetari i Bashkisë të Gjirokastrës, që e mbronte dhe dinte ta vlerësonte… Mirë kryetari është emërim politik i zgjedhur nga populli, por ai rreth vetes ka këshilltarë dhe juristë, që duhet të këshillohet dhe duhet t’i dëgjojë. Nuk është paaftësi e specialistëve, por autokracia e kryetarit. Kot nuk është edhe proverba: Kur një dele hidhet nga humnera, të gjitha e ndjekin nga mbrapa. Por, institucionet nuk janë tufë delesh. Ato janë të pavarura në pushtetin e tyre, sipas ligjit. Por kryetari i Bashkisë i mori me vete në këtë “krater vullkanik”.
Institucionet e drejtësisë dhe policia nuk mbrojnë të drejtën e pronës
Autokracia e tij ka qenë e shtrirë deri në institucionet e policisë dhe të drejtësisë në qytetin, ku ai drejtonte. Me gjithë përpjekjen e pronarëve ( kanë kaluar stadin e ish-pronarëve), ata u dëbuan nga prona e tyre me forcë nga policia e qytetit, deri edhe presion nga deputeti, u denigruan nga Prokuroria dhe Gjykata nuk i dha drejtësi. Gjyqtari ishte i bindur se pronarët kishin të drejtë, por mbi të komandonte Kryetari i Bashkisë. Odisea e seancave 2 -3 minutëshe plotësoi oreksin e Kryetarit deri në përfundimin e punimeve. Gjyqtari jashtë seancës i ngushëllonte, duke i thënë se” keni të drejtë, por unë nuk kam çfarë t`ju bëj. Merreni me forcë”. Ai arriti deri aty sa të mbyll seancën pa një vendim të shkruar me pretendimin se është çështje administrative. Megjithë mbështetjen që patën pronarët nga Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Qarkut Gjirokastër, për denoncimin penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, jo vetëm nuk u vlerësua nga prokurori i çështjes, përkundrazi e arkivoi në sirtarin e tij me pretendimin se është çështje civile. Pushteti i kryetarit të Bashkisë mbi prokurorin e çështjes, qe aq i madh, sa prokurori harroi detyrën e tij. Detyrimin ligjor për t`ju përgjigjur Policisë dhe pronarëve me shkrim brenda afateve ligjore. Pra, drejtësia është e kapur nga pushteti qendror dhe ai lokal, ku zbaton porositë e pushtetarëve, duke shkelur të drejtat e qytetarëve të tyre. Flasim për individ të drejtësisë, pa njollosur institucionin e saj. Qe një ndërthurje jo e mirë, studiuar nga hallkat qeveri-pushtet lokal-institucione të drejtësisë në Gjirokastër. Nga njëra anë, drejtësia (ku nuk ka drejtësi) e mbante varur pronarin, nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë nxitonte të dërgonte dokumentet në qeveri për shpronësim me një vlerë 151.948.545 milion lek (të reja).
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, pagëzon Liqenin e Viroit nga “park” në “fshat”
Preventivi që u zbatua për realizimin e këtij projekti kishte vlerën rreth 260 milion (projekt që nuk ka asnjë funksion dhe nuk sjell asnjë fitim). Këtu “krateri shpërtheu”. Kujt do t’i faturoheshin këto para? Buxhetit të shtetit, taksapaguesve për të kënaqur shijet e tij dhe të politikanëve që shpresonte se do ta mbanin në pushtet. Papritur, kryetarit të Bashkisë i tërhiqet vëmendja nga “Lart!”: Çfarë bënë?! Zgjidhja u gjet. Nxitoi kryetari i Bashkisë të bëjë manovrën e fundit për të mbyllur “Kraterin”, që hapi, duke përpunuar punonjës të hipotekës për ta “pagëzuar” Territorin e qytetit të Gjirokastrës me emrin “fshat” në zonën kadastrale në fshatin e tij Mashkullorë. Kështu, Territori i Viroit, i pagëzuar në fillim “Park”, tani u pagëzua “fshat” me vlerësim të ri: 4.000.000 lekë të reja për tre hektar të grabitur. Janë institucionet e huaja, ato që na tërheqin vazhdimisht vëmendjen në mbrojtjen e pronës së pronarëve. Këshilli i Europës i ka dhënë një rëndësi të madhe për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, i cili është ndër prioritetet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë, dhe janë kështu çelësi për përparimin e saj të mëtejshëm në procesin e integrimit në BE. Në mbështetje të këtyre porosive të vazhdueshme, qeveria e “Rilindjes” ka filluar një luftë të ashpër kundër korrupsionit me pronat dhe atë në drejtësi. Një luftë e madhe duhet të bërë kundër autokracisë së pushtetarëve, politikanëve të korruptuar, të cilët me pushtetin e tyre shtrinë dorën mbi të drejtat dhe pronat e qytetarëve. Siç thotë populli: “Prona do vejë tek i zoti!”.
Sigal

Reagimi nga drejtori i ZA Mallakastër për shkrimin “ Tregtari i qivureve, drejtor i Arsimit”

Skandal do të ishte, po qe se Sokol Hysenaj do të emërohej mësues, qoftë dhe i përkohshëm.
Unë Gentjan Dervishaj e ushtroj detyrën e Përgjegjësi të ZA. Mallakastër nga 15.01.2014 e në vazhdim. Kam përfunduar studimet ne Fakultetin e Shkencave Shoqërore dega Histori-Gjeografi për mësuesi me Diplomë DND-je.
Mbas ushtrimit njëvjeçar (periudhë prove) kam kryer trajnimin e detyrueshëm pranë ASPA-së. Kam përfituar statusin e nëpunësit civil. Në fillimet e emërimit tim, gjeta problematika në kuadër, ku dhe emërimet e mëvonshme u bënë sipas akteve ligjore në fuqi dhe nga Portali “Mësues për Shqipërinë”.
Në shkollë “Ali Maskaj” Lapulec, mësuesja e gjuhës merr lejen e lindjes. Në datë 01.09.2015 u shpall nga drejtoria e shkollës vend vakant (zëvendësim leje lindje). Njoftimi u bë në faqen zyrtare të ZA. Mallakastër, ambientet e saj dhe të shkollës. Bashkë me njoftimin u shpallën dhe kriteret e dokumentacionit, që duhet të dorëzoheshin nga kandidatët në drejtorinë e shkollës sipas Udhëzimit Nr. 35. datë, 30.09.2014 të MAS-it. Konformë këtij udhëzimi u ngrit dhe komisioni për shqyrtim dosjeje në datë 10.09.2015 komisioni Nr 1 i s’kualifikon të tre kandidatët për mungesë dokumentacioni të detyrueshëm për t’u dorëzuar. Shpallet sërish vend i lirë për konkurrim. Paraqiten po këta dy kandidate, veç Sokolit, të ardhur nga portali dhe me vjetërsi pune në arsim. Sokol Hysenaj është i 43-ti në renditjen e portalit në Qarkun Fier. Komisioni nr. 2, ngrihet pas pretendimit të Sokolit dhe familjarëve të tij se përfaqësuesja e ZA. Mallakastër specialiste prej 14 vitesh në këtë institucion nuk është e fushës përkatëse. Edhe komisioni Nr 2 nuk i kualifikon kandidatët për mungesë dokumentacioni të detyrueshëm për t’u punësuar. I ndodhur në këto kushte (20 ditë shkolla pa mësues gjuhe) drejtoria e shkollës emëron mësuese me kontratë për gjuhë-letërsi zonjën Margarita Pajaj me shkallën e dytë të kualifikimit dhe me 13 vite punë e prekur nga reforma në arsim dhe në vitin shkollor 2014-2015 ka qenë mësuese me kontratë në një shkollë tjetër. Letërshkruesi Sokol Hysenaj ka pasur probleme shëndetësore, është trajtuar dhe me kemp invalidi. Komuniteti këtu i di problemet e tij shëndetësore.
Në ambientet e ZA. Mallakastër nuk ka ankesë gojore, apo me shkrim nga letër shkruesi.
Për sa i takon akuzave për korrupsion të ngritura në shkrim nga Sokol Hysenaj, do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për vërtetësinë e tyre.
Jam i hapur për çfarëdolloj inspektimi, kontrolli dhe hetimi të çështjes nga organet kompetente.
Me respekt, Gentjan Dervishaj
Përgjegjës ZA. Mallakastër.
Shënim i Gazetës “Telegraf”
Shkrimi është qëndrim personal i autorit dhe jo i gazetës “Telegraf”, në shërbim të informimit të opinionit, është e hapur për të botuar, ballafaquar çdo reagim, të cilat respektojnë etikën dhe moralin!