Autobusët interurbane: Po na falimenton konkurrenca e pandershme e furgonave privat!

622
Sigal

DURRËS/ Flasin pronarët e linjave dhe kreu i Shoqatës së Autobusëve, Met Arapi: Fajin e ka bashkia që nuk zbaton ligjin!

Në qytetin e Durrësit duke qenë në një pike të mesme komunikacioni mes jugut dhe veriut ka një përqendrim të madh të mjeteve të transportit të udhëtarëve, të cilat përfshijnë të gjitha linjat e vendit në të gjitha qytet. Vetëm në linjat e afërta Durrës – Tiranë, sipas pronarit të linjës se autobusëve Zef Nikollit, janë rreth 14 autobusë që u përkasin dy shoqërive, të cilët përballojnë një fluks të konsiderueshëm pasagjerësh, por krahas tyre ka dhe një sasi të madhe furgonësh, të cilët operojnë në këtë linjë, si dhe në linjat e tjera, të cilat janë të paligjshme pasi janë të palicencuara e punojnë edhe pa dokumentacion. Të njëjtat shqetësime ngre edhe kreu i Shoqatës së Autobusëve, Met Arapi. Ndërsa Nikolli thotë se megjithëse policia po bën përpjekje të vazhdueshme për t’i bllokuar në afërsi të stacionit të trenit furgonët e palicencuar, ku dhe janë stacionet qendrore të nisjes se autobusëve, ata gjejnë rrugë dytësore për t’u mbushur me pasagjerë dhe për të dalë në autostradë me pasagjerë. Kjo ndodh sipas tyre në rrugët e Tiranës po edhe në atë të Kavajës. Megjithëse transporti me autobusë është më i sigurt për udhëtarët thonë ata, pasi ecin më me siguri dhe kryesisht kanë shoferë shumë të kualifikuar me përvojë pune shumë vjeçare, furgonat  mund të jenë deri me shofer pa patenta, shumica janë të rinj dhe ecin me shpejtësi për të dalë para njëri-tjetrit në gjueti të pasagjerëve. Shoferet e autobusëve tregojnë se ka pasur dhe raste kur furgonët ju kanë prerë rrugën për të marrë një pasagjer në rrugë duke e çuar situatën deri në aksident. Autobusët nuk kanë bërë asnjëherë aksident, thonë ata, ndërsa aksidentet me furgona kanë ndodhur.

PËR FURGONAT KA PERGJEGJËSI BASHKIA

Duke e ndjerë veten përballë një konkurrence të pandershme, siç shprehen ata, situatë, e cila po i çon drejt falimentimit, Shoqata e Autobusëve fajëson Bashkinë e Durrësit, e cila nuk ka bërë sa duhet kundër transportit të paligjshëm që bëjnë disa furgona të palicencuar. Bashkia thonë ata nuk duhet t’i lejojë furgonat piratë duke vendosur tabela në vendet e duhura për mos lejimin e qëndrimit të këtyre mjeteve. Thjeshtë kërkojmë, thonë ata që të zbatohet ligjshmëria mbi kriteret e përcaktuara të transportit të udhëtarëve. Për këtë, sipas tyre është një kërkesë e domosdoshme që të vendosen tabelat për mos lejimin e mjeteve të palicencuara në qytet, ashtu si e kanë dhe qytete të tjera si Lushnja, Fieri, Elbasani etj..

Box

KONKURROHEN EDHE AUTOBUSËT E BASHKISË

Gjatë një udhëtimi me autobusin urban të linjave të brendshme të Durrësit, mësohet se ky problem është edhe për linjat e autobusëve të Bashkisë. Fatorinot ndjehen të konkurruar për arsye se ata kanë nga një kuote ditore për të realizuar. Linjat Durrës – Nish Tulla ka si normative të grumbulloje 125 mijë lekë, ndërsa linja Durrës – Plepa ka si normative që të grumbullojë 135 mijë lekë, pasi është rrugë me më shumë qarkullim. Një nga fatorinot e radhës ndërsa po rrinte thuajse pa punë pasi autobusi e gjeti stacionin bosh nga që furgonët që kishin kaluar i kishin marrë pasagjerët, kur e pyesim na thotë se  kjo situatë është thuajse e përditshme, pasi furgonët që kalojnë nëpër këto linja operojnë me të njëjtin çmim dhe kjo bën që pasagjerët të preferojnë furgonët e rastit dhe jo autobusët. Ndërkohë që, në linjat e plazhit hyjnë të gjithë furgonët e rretheve dhe nga kjo ka një sasi të madhe prej tyre që marrin pasagjerë. Nga kjo, thotë fatorinoja, rrogat që marrim kanë një mesatare të zakonshme prej 130-160 mijë lekëve, nga që paguhemi me orë pune dhe pasi nuk realizojmë dot normative e caktuar të transportit të udhëtarëve. Ndërkohë shoferët e këtyre mjeteve, të cilat ecin me shpejtësi të reduktuar, ankohen se autobusët janë të vjetërsuar dhe se kanë mungesa në pjesë këmbimi, gjë që shton orët jashtë efektiviteti të tyre.