Auditimet e Kontrollit të Lart të Shteti: Mbi 165 mijë euro dëm shtetit

591
Tre krye-inspektorë të prokurimit në Pogradec si dhe 3 specialistë janë kallëzuar penalisht në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në bazë të një auditivi të realizuar nga KLSH, 6 zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 22.9 mln lekësh ose mbi 160 mijë euro, duke shkelur barazinë në tendera. Ndërkohë KLSH pohon se janë vendosur masa administrative nga 38 punonjësve të administratës së Bashkisë Pogradec për shkak të parregullsive dhe shkeljeve në fushën e Urbanistikës, administrimit të taksave dhe tarifave vendore. 
Shkeljet e konstatuara nga KLSH, janë: 
1. Në tenderin me objekt: “Pastrimi, grumbullimi dhe largimi i mbeturinave publike në Qytetin e Pogradecit”, u konstatua se, nëpërmjet përcaktimit të kritereve të panevojshme për kualifikim në lidhje me: Paraqitjen nga ofertuesit të dokumentit/dëshmisë, kanë vepruar, në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta, kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”, dokumentet standarde të tenderit. Përcaktimi i kritereve të panevojshme dhe të padobishme për kualifikim sa sipër ka favorizuar me te padrejtë bashkimin e operatorëve ekonomikë, duke i shkaktuar buxhetit të Bashkisë Pogradec një dëm ekonomik në vlerën 4,796,530 lekë. 
2. Në zgjedhjen e procedurës së prokurimit me “negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës”, në tenderët me objekt: “Blerje kuote ushqimore”, Blerje Karburanti” dhe Blerje lende djegëse (dru zjarri)”, u konstatua se këto procedura janë bërë në kundërshtim me nenin 33 “Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit” të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe pikën 5, të kreut IV, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, për arsye se janë ndryshuar dokumentet e të tenderit, në procedurën me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës. Nga auditimi rezultoi se kontratat për tenderët e mësipërm janë hartuar dhe lidhur në kundërshtim me nenet 1 “Objekti dhe qëllimi”, 2 “Parimet e përzgjedhjes”, 4 “Fusha e zbatimit” dhe 29 “Procedurat standarde të prokurimit”, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik, për arsye se autoriteti kontrator, në përcaktimin e fituesit, nuk ka zbatuar procedurat e parashikuara në këtë ligj, duke cenuar parimet e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike, mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë te ofertuesve dhe parimin e transparencës në procedurat e prokurimit, me pasojë favorizimin e një operatori ekonomik të caktuar, të zgjedhur nëpërmjet procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. 
3. Punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Vendor (IMTV) Pogradec, në mënyrë të qëllimshme nuk kanë përcaktuar sipërfaqen dhe vlerën e shtesës në objekt duke mos hartuar fare preventiv me koston mesatare të Entit Kombëtar të Banesave, duke shkelur kërkesat e detyrimit ligjor të përcaktuar në ligjin nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për Planifikimin e Territorit”, i ndryshuar. Në këtë mënyrë, subjekti privat, megjithëse ka përfituar sipërfaqen shtesë për gjithë katin, ka shmangur detyrimet dhe pikërisht një gjobë prej 3,184,815 lekë, të parashikuar në ligj për përfitime të sipërfaqes shtesë. Sa më sipër, KLSH ka përcjellë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, kallëzimin penal nr. 1204/13, datë 10.07.2015 për 6 persona, respektivisht për S.Ll, F.B e E.L, në cilësinë e Specialistëve në Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Pogradec, me akuzën e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, kanë sjellë mospërdorimin me efektivitet, ekonomicitet dhe eficencë të fondeve publike në vlerën prej 4,796,530 lekë, veprime këto në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta, kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”. Gjithashtu kallëzim penal është bërë edhe për K.Gj, A.M dhe G Sh, respektivisht me detyrë Kryeinspektorë të Inspektoratit Mbrojtjes Territorit Vendor Pogradec, për periudha të ndryshme, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante në zbatim të ligjit nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar, kanë favorizuar duke shmangur pagesën e gjobës prej 3,184,815 lekë, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundraligjshme, ndaj një subjekti privat.
KLSH kallëzon në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj
Përveç 6 zyrtarëve të Bashkisë së Pogradecit, KLSH ka kallëzuar penalisht në Prokurori edhe ish-kreun e Bashkisë Memaliaj, Lulzim Meçe pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 5 milion lekësh. Gjithashtu janë vendosur gjoba ndaj 6 punonjësve të Bashkisë së Memaliaj. Nga auditimi dhe riauditimi “në të nxehtë” (ky i fundit i kryer pas një ankese nga një grup qytetarësh), u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore. Në tenderin me objekt: Rikonstruksioni i rrugës “Rrapo Çela”, i rrugës hyrëse qytet “Selam Musai”, “Memo Nexhipi”, “Tahir Gashi”, “Raship Brahimi”, Autoriteti Kontrator (Bashkia), nga 2 operatorë pjesëmarrës në konkurrim, ka skualifikuar njërin nga operatorëve ekonomikë i cili ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët në vlerë se operatori i kualifikuar dhe i shpallur fitues, me diferencë vlerën 4,196,242 lekë, pa TVSH. Nga auditimi mbi ligjshmërinë e arsyeve të skualifikimit, u konstatua se Autoriteti Kontrator nuk ka kërkuar sqarime, në mënyrë që pas marrjes së tyre të gjykonte për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e kësaj oferte. Rezultoi se kërkesat për skualifikim janë të pa argumentuara dhe të pa mbështetura ligjërisht, sepse kontrata që prokurohet nuk është kontratë shërbimi, por është kontratë e mirëfilltë pune. Del qartë se vendosja e këtyre kritereve është diskriminuese, sepse ato nuk sigurojnë barazi ndërmjet operatorëve ekonomikë në procedurën e prokurimit, por shmangin konkurrencën duke favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar. 
KLSH kallëzon në prokurori zëvendëskryetarin, dy drejtorë dhe një specialist të Bashkisë Fier
Nga auditivet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën janar 2013 deri më dhjetor 2014, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për zëvendëskryetarin e Bashkisë Fier, dy drejtues si dhe një specialist. Konkretisht janë dërguar për ndjekje penale shtetasi me F.M. me detyrë zëvendëskryetar, L.C. me detyrë drejtor i Zyrës Juridike, P.B. me detyrë drejtor i Drejtorisë Programim Zhvillimi dhe G.P. me detyrë specialist në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Nga hetimet janë konstatuar shkelje, të meta e mangësi, në fushën e prokurimeve publike, veprime në kundërshtim me ligjet “Për prokurimin publik”, “Për rregullat e prokurimit publik” dhe ”Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve të çmimeve të punimeve të ndërtimit”. Në vijim, KLSH i ka kërkuar Kryetarit të Bashkisë Fier, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga Shërbimi Civil” të këtyre personave.
Sigal