Atentati ndaj vëllezërve, kamerat zbulojnë autorin

244

Atentat ndaj dy vëllezërve, kamerat e sigurisë zbulojnë autorin.

Hetuesit kanë arritur të zbardhin skemën e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tepelenë, ku mbeti i vrarë një 47-vjeçar dhe u plagos vëllai i tij. Viktimë mbeti Artur Bresha, i cili u qëllua në vendin e punës, ndërsa Artan Bresha, 43 vjeç, u plagos me dy plumba.

Shkak dyshohet prishja e pazareve të drogës dhe borxhet. Policia ka gjetur të braktisur automjetin, me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes vrasësi. Mjeti tip “MercedesBenz” u sekuestrua pranë digës së Bënçës, rreth 4 km larg qytetit të Tepelenës.

NGJARJA

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të ndodhura në kantierin e ndërtimit të bypass-it të Tepelenës, ku Artur Bresha punonte si roje, autori i vetëm, i pamaskuar dhe i armatosur, ka qëlluar pa paralajmërim 47-vjeçarin që ndodhej brenda dhomëzës ku bënte rojë gjatë natës. Më pas, autori ka marrë makinën e viktimës dhe është drejtuar për në dyqanin në pronësi të familjes Bresha, ku ndodhej vëllai tjetër, Artani.

Ky i fundit ka dalë në derën e dyqanit pasi ka njohur makinën dhe i habitur që i vëllai po kthehej aq herët në shtëpi. Ka qenë ora 20:15 e mbrëmjes kur autori del nga makina i armatosur, por këtë herë i maskuar dhe pa asnjë paralajmërim qëllon drejt 43-vjeçarit, i cili mori dy plumba në njërën këmbë. Rrethanat e ngjarjes ngrenë dyshimin se vrasësi nuk ka pasur për qëllim eliminimin e plotë fizik të Artan Breshës, por vetëm plagosjen e tij.

Më pas, autori, ende i paidentifikuar, është larguar sërish me automjetin e vëllezërve Bresha, duke e braktisur atë në rrugën e Bënçës. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Në ndihmë të grupit të posaçëm hetimor u bashkua edhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

MOTIVI

Ende nuk ka asnjë pistë konkrete të dalë nga hetimet e kryera për ngjarjen e rëndë. Deklarimi i vëllait të plagosur e ka lënë hetimin ende në udhëkryq, edhe pse implikimet e mëparshme të tij me transportin e kanabisit shihen si një pistë e mundshme.

Hipoteza e dytë ka si objektiv kryesor viktimën dhe dyshimet ngrihen mbi një sasi të madhe të hollash të marra borxh dhe ende të pashlyera apo të mohuara.

Autori duket se ka qenë një njohës i mirë i zonës dhe veprimtarisë së dy vëllezërve, pasi ka mundur të fshehë mirë gjurmët dhe të vështirësojë punën e grupeve hetimore dhe të Prokurorisë, duke e lënë këtë ngjarje ende të pazbardhur.

VIKTIMA

Familja Bresha nuk ndryshon nga familjet e tjera të qytetit të varfër të Tepelenës, që ka njohur përgjatë 2019-ës një rritje drastike të numrit të familjeve me ndihmë ekonomike.

Në vështirësi për të gjetur një vend pune në një qytet ku varfëria prej dekadash është ulur këmbëkryq, Artur Bresha zgjodhi, si një pjesë e madhe e bashkëqytetarëve të tij, të emigrojë jashtë Shqipërisë. Për disa vite, ai jetoi e punoi jashtë shtetit, por pa mundur të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për familjen e tij.

Prej disa kohësh, pas fillimit të punimeve të bypass-it të Tepelenës, prej afro një viti, 47-vjeçari i divorcuar tashmë dhe baba i një vajze adoleshente, punonte si roje në kantier, aty ku gjeti edhe vdekjen. I plagosuri Artan Bresha, “Bostani” siç e thërrasin shkurt miqtë e tij, punon si punonjës shërbimesh në Bashkinë Tepelenë.

Ai është një emër i njohur për Policinë, pasi në 2011 u ndalua nga Policia e Gjirokastrës në “Qafë të Muzinës”, Sarandë, gjatë një operacioni ku u sekuestruan një sasi e madhe kanabisi.

Ai u arrestua në flagrancë nga forcat RENEA gjatë operacionit të koduar “Koordinata”, ku u kap duke transportuar 820 kg drogë dhe për disa vite ka kryer dënimin në burgun e Bënçës në Tepelenë.