Atentati ndaj prokurorit/ Cilat janë dosjet që po kalojnë në sitë

463
Sigal

Prokuroria për Krime të Rënda ka përqendruar hetimet për motivet e atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, Aleksandër Lahos ose Rrumit dhe shoferit të tij, në konfliktet gjyqësore të pronave në Durrës. 

atentati

Dyshimet janë se ndër vite, Aleksandër Laho ka përfituar prona në bregdet, ndërsa në mes janë shumë procese gjyqësore. Sipas burimeve, bëhet e ditur se prej dy ditësh hetuesit janë duke kaluar në sitë dosje të pronave, mes tyre edhe atë të gjyqtarit Skerdilajd Konomit.

Një nga dosjet që është duke u shqyrtuar është ajo e Pal Selçunit, i cili u njoh me vendim Gjykate si pronar i 45 mijë metrave katrorë tokë. Burime thanë se ka qenë zyra e avokatisë së bashkëshortes së prokurorit, që e ka përfaqësuar çështjen, ndërsa konflikti për këtë pronë shkoi edhe jashtë dyerve të Gjykatës, pasi në këtë tokë do të investonte biznesmeni libanez Fadi Mitri.

Ndërkohë, në atë kohë, i moshuari Selçuni ia shiti familjes Muharremi dhe Pëllumb Muharremi u dyshua si një prej personave që dhunoi biznesmenin e huaj. Dosjet e pronave në Durrës janë të shumta dhe proceset për tjetërsimin e tyre shpeshherë kanë çuar në dyert e Gjykatës edhe zyrtarë të Bashkisë apo të Hipotekës.

Burime bënë të ditur gjithashtu, se me vëmendje është duke u parë edhe procesi për pronat e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, një proces i cili është duke u zhvilluar në Gjykatën e Durrësit. Deri më tani, burimet thonë se nuk janë gjetur lidhje mes këtij procesi dhe personave të përfshirë në atentat, por verifikimet janë duke vazhduar.

Që në orët e pasatentatit, hetimet i mori në dorë Prokuroria për Krime të Rënda, ndërsa procedimi penal është regjistruar për “Vrasje të funksionarëve publikë” në tentativë, “Vrasje ndaj dy ose më shumë personave” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja, Pëllumb Muharremit dhe shoferit, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, Andi Maloku, ndodhi në Mbikalimin e Shkozetit pasditen e 1 nëntorit. Për ngjarjen është vënë në pranga deri më tani një person, Redjan Rraja, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.