Atentati ndaj Ndojës/ Çfarë fshihet pas historisë së makinës së gjetur

225

Policia ka shoqëruar dhjetëra persona pas ngjarjes së rëndë të para tre ditëve në Durrës, ku u sulmua me armë makina ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja. Bashkë me të në mjet ishte edhe Landi Muharremi, një person i njohur edhe si ‘i forti i Sukthit’.

Të hënën u raportua se është ndaluar një person që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Të dhënat e para thonë se ai mund të jetë ndaluar pas ekspertimit të një mjeti të gjetur në varrezat e Shkafanës në Ishëm.

Por çfarë fshihet pas historisë së makinës së gjetur në këtë zonë? Dyshimet e para nisën pasi mjeti nuk ishte djegur, ashtu siç ndodh zakonisht në krime të tilla.

Në disa media u përhap varianti se autorët ishin larguar me shpejtësi pasi dikush i kishte parë kur lanë mjetin në zonën e varrezës.

Varianti nuk u duk shumë i qëndrueshëm për hetuesit për shkak se autorët e krimit duken profesionistë dhe nuk mund të jenë trembur nga dikush që i ka parë.

Një pistë ku po hetohet është se mjeti mund të jetë lënë qëllimisht aty për të ngatërruar policinë.

Mjeti i gjetur nuk rezulton as i regjistruar dhe as i vjedhur në Shqipëri. News24 raporton se autorët mund të kenë ardhur nga Kosova.