Atentati ndaj Inez Hajrullës, 3 persona në pranga, shkon në 7 numri i të arrestuarve

550
Sigal

Ka shkuar në 7 numri i të arrestuarve për atentatin e ndodhur në 10 Maj 2019 në zonën Lungomares, në Vlorë ndaj Inez Hajrullës.

Në pranga ka rënë Xheladi Merko i cili u ndalua në qytetin bregdetar të Vlorës dhe I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç të cilët janë vënë në pranga në Itali.

Njoftimi i plote

Vijon operacioni policor i koduar “Gjurmimi”. Operacioni në Vlorë dhe në Itali. Shkon në 7 numri i personave të arrestuar.

Gjatë vijimit të operacionit janë kapur dhe arrestuar 3 presona. Dy prej tyre janë kapur në Itali dhe një është kapur në Vlorë. Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale kundër personit, të ndodhura më parë, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në maj të vitit 2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të tre shtetasve në një lokal dhe si pasojë mbeti i plagosur aksidentalisht 63-vjeçari D. C.

Në këtë kuadër gjatë orëve të fundit ka vijuar operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, në Vlorë dhe në Itali.

Në Vlorë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Xh. M., 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .

Operacioni ka vijuar në Itali, ku si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, bashkëpunimit të shkëlqyer mes Zyrave Ndërlidhëse të Policisë shqiptare në Bari e Romë në Itali dhe të Policisë italiane në Tiranë, me angazhimin e Skuadra Mobile në Romë është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe konkretisht:

I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të dy banues në Vlorë;

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H. dhe vijon puna për kapjen e tij.

Ndaj shtetasve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 14.11.2019 janë arrestuar edhe 4 shtetas, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të shtetasve I. M dhe G. D, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa Leje” dhe në ngarkim të shtetasit Xh. M, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .