Atëherë, kur përgatiteshim në Vlorë…për në Sazan

1100
Sigal

Dr. Ndue Bardhi, Doktor i Shkencave Mjekësore*

(Kujtime dhe refleksione)

Në mbarim të studimeve të larta për mjek në Fakultetin e Mjekësisë, të praktikës mjekësore 1-vjeçare, si dhe të dhënies së provimit të fundit shtetëror të formimit mjekësor, më në fund në maj të vitit 1975, u diplomuam duke marrë titullin “Mjek i Përgjithshëm”.

Në përfundim, gjatë muajit qershor të këtij viti, më lajmëruan se , në fillim të muajit korrik duhet të paraqitesha në Shkollën Ushtarake të Instruksionit në Vlorë, për të kryer kursin ushtarak 5-mujor pasuniversitar, me qëllimin e marrjes së titullit “Oficer aktiv”. Në atë kohë, të gjithë studentët që mbaronin studimet e larta në Universitetin e Tiranës ose në universitete të tjera të vendit tonë, kishin si detyrim ligjor mbarimin e kursit 5-mujor ushtarak në Shkollat Ushtarake të Instruksionit, të ngritura në vende të ndryshme të vendit tonë dhe që ishin në varësi direkte të disa komandave ushtarake madhore në shkallë Grupimi apo Korspusi Ushtarak.

Pas përfundimit të këtij kursi ushtarak pasuniversitar, studentët civilë që kaluan në shkolla të tilla u titulluan “Oficerë në rezervë”, ndërsa disa që kishim mbaruar shkollën ushtarake “Skënderbeg” u titulluam me urdhër të M.M “Oficer aktiv”, dhe pas mbarimit përfundimtar të të gjitha studimeve dhe procedurave të mësipërme, u emëruam në reparte të ndryshme të ushtrisë, sipas nevojave.

Me sa më kujtohet, megjithëse kanë kaluar 43 vite nga ajo kohë, kanë qenë ditët e fundit të Qershorit të vitit 1975, kur u nisa për të arritur në Shkollën Ushtarake të Instruksionit, që ishte ngritur në rajonin e Skelës, në afërsi të Shkollës së Lartë të Marinës Detare, në qytetin e Vlorës.

Siç dihet tashmë, nga të gjithë bashkëkohësit e mi, në ato kohë, vështirësitë e lëvizjes me mjetet e komunikacionit të udhëtarëve drejt Vlorës ishin relativisht të mëdha. Deri në Fier arritëm me trenin e linjës Tiranë-Fier, udhëtim i cili ishte komod dhe i sigurt, ndërsa udhëtimi me linjat e autobusëve drejt Vlorës ishte shumë i vështirë për t’u siguruar se do të realizohej në kohën e duhur.

Duhej të futeshe në radhë me orë të tëra dhe duke u shtyrë me forcë, në radhët e gjata, me qëllimin e marrjes së një biletë udhëtimi autobusi. Shpesh herë ndodhte që nuk arrije të pajiseshe me biletë dhe ishe i detyruar që të udhëtoje me mjete të tjera, me makina të rastit. Udhëtimin me taksi e kishim të vështirë për ta përballuar, sepse ishte i shtrenjtë në krahasim me të ardhurat tona, prandaj këtë lloj udhëtimi e kërkonim vetëm në raste të veçanta dhe tepër urgjente. Kështu do të ndodhte gjatë gjithë 7-8 viteve të ardhshme, kur kthehesha nga vendlindja ose nga Tirana në drejtim të Vlorës, dhe në drejtim të kundërt, qoftë për arsye pushimi, pune apo shërbimi.

Në këto rrethana, në pamundësi tjetër, u nisa drejt Vlorës me një makinë rasti, e cila më ndaloi në një fshat afër rrugës automobilistike, por në një distancë të largët nga zona hyrëse për në qytetin e Vlorës. Pas pritjes për disa orë në rrugën nacionale, u gjend një makinë tjetër me të cilën arrita më në fund në Vlorë. Sapo makina doli në kodrat rrethuese të qytetit, menjëherë më doli përpara pamja e mrekullueshme e gjirit të Vlorës. Ishte një ndjesi dhe përshtypje ekzaltuese, e rrallë për mua, gjë të cilën nuk e kam provuar ndonjëherë përsëri, deri tani, pavarësisht se, do të kisha fatin që këtë rrugë do ta bëja shpeshherë, për disa vite me radhë.

Kam përshtypjen se bukuria e Gjirit të Vlorës është e rrallë dhe vështirë se e gjen këtë lloj bukurie edhe në vende të tjera të Mesdheut. Për një çast mendova me vete : “Sa e bukur dhe e madhërishme qenka këtu natyra!”. Ishte një ditë e bukur vere të nxehtë, me diell, dhe deti i kaltër e pa dallgë dukej nën rrezet e diellit si një pasqyrë me ngjyrë blu.

Gadishulli i Karaburunit, malet e kodrat përreth gjirit, veshur me ngjyrën jeshile të stinës ishte pamja që kisha përpara syve. Qyteti i shtrirë në anën tjetër të detit, me rrugët, oxhaqet e uzinave, fabrikave dhe të ndërtesave, pas reflektimit mbi sipërfaqen e detit pa dallgë dhe të lëmuar, pasqyroheshin duke u dukur thellë në det të përmbysura, duke dhënën tablonë e një pamjeje të veçantë, të bukur e shumë çlodhëse.

Sigurisht, ishte hera e parë në jetën time që vija në Vlorë dhe, kjo ishte një përshtypje që erdhi, si në çdo rast, kur sheh për herë të parë një gjë të bukur dhe të rrallë, që s’e ke parë më përpara në jetë.

Nuk kam ndër mend të përshkruaj gjithë bukurinë e qytetit të Vlorës dhe pamjes që shtrihej përpara meje atë ditë, sepse nuk e kam mundësinë dhe as talentin e duhur për ta bërë një gjë të tillë.

E fillova këtë përshkrim modest, për të përshkruar ndjenjën fillestare të takimit për të parën herë me këtë zonë të bukur të vendit tonë, një dhuratë e rrallë e natyrës, për të sjellë ndër mend faktin, si edhe për të kujtuar se, disa vite më vonë, gjatë udhëtimeve të vështira me valëzime e dallgëzime në det me furtunë, me anije jo komode, së bashku me familjen time, me gruan në anë dhe me fëmijën në duar, kjo ndjesi e bukur dukej sikur u vyshk dhe nuk e shijoja më atë njëlloj si herën e parë, kur mbërrita në këtë qytet. Kjo, mbase kishte të bënte me gjendjen e vështirë psikologjike dhe shpirtërore të krijuar më vonë, kur ne u ndeshëm, gjatë viteve të ardhshme, jo vetëm me bukurinë e rrallë të detit, por edhe me trishtimin e tmerrin që shikonim me sytë tanë gjatë udhëtimeve në një det të trazuar me anije druri apo hekuri, sipas rastit, kur shikonim se bashi i saj zhytej në det, kur shikonim që uji i detit kalonte mësipërmes, nga njëra anë e anijes në anën tjetër, apo kur dallga fare papritmas të përplasej në fytyrë. Jo se nuk kishim frikë dhe nuk e merrnim me merak udhëtimin, por sidomos, ndjeheshim jo mirë kur shikonim që anija lëkundej nga dallgëzimi i madh i detit, dhe për pasojë, jo vetëm fëmijët dhe gratë, por edhe ushtarët, kuadrot dhe gjithë udhëtarët e tjerë pasagjerë të anijes, villnin mbi kuvertën e saj duke nxjerrë gjithë ushqimin që kishin ngrënë, para nisjes së anijes nga Vlora apo Sazani.

Në Shkollën Ushtarake të Instruksionit, të përgatitjes së oficerëve, në Skelë të Vlorës, jetuam dhe u stërvitëm në kushtet e kazermës ushtarake për pesë muaj me radhë, duke filluar që nga programi i stërvitjes 3-mujore të ushtarit, duke vazhduar pastaj dy muaj të tjerë stërvitje, që kishte lidhje me edukimin e oficerit, si puna me harta ushtarake, etj., për të cilat duhet shumë kohë e letër për t’i sqaruar me detaj, gjë që nuk është qëllim i këtij shkrimi.

Nuk mund të rri pa përmendur se, për hir të së vërtetës, duhet thënë se, në atë kohë Vlora dhe në mënyrë të veçantë zona e Portit dhe e Skelës ishte shumë e pastër dhe e sistemuar, që nga rrugët me palma të Skelës, lulishtet e bukura me lule shumë ngjyrëshe, që arrinin deri në zonën e “Ujit të Ftohtë”, që në tërësi krijonin një ambient shumë të këndshëm dhe çlodhës, për njerëzit, vendasit dhe pushuesit, në çdo kohë, , por sidomos në stinën e verës.

Duke biseduar nga afër me kalimtarë të rastit, por edhe me shokët, sidomos me ata që ishin nga Vlora, na tregonin se kjo tokë e veçuar, mes detit dhe në krah të Karaburunit, ishte ishulli ynë i vetëm dhe që quhej “Ishulli i Sazanit”.

Sidomos në mbrëmje dhe me kohë të mirë, gjatë perëndimit të diellit në horizont, midis Kraburunit dhe Sazanit, që më vonë e mësova që quhej “mezzo-kanal”, krijohej një pamje me bukuri të rrallë, që besoj se njeriu do ta kërkonte ta shihte gjithë jetën e tij dhe të mos arrinte të ngopej me të. Kur shikoje lëmshin e zjarrtë të diellit duke perënduar në horizont, midis “ishullit të Sazanit” dhe “Karaburunit”të krijohej përshtypja apo ndjesia sikur ky “lëmsh i zjarrtë”, pra dielli, po zhytej diku larg e gradualisht në detin e madh e të pafund, që vinte pas këtyre dy tokave, Karaburunit dhe Sazanit.

Gjatë bisedave të ndryshme me shokët dhe qytetarët e Vlorës mësuam se ishulli ishte një zonë ushtarake e veçantë, në të cilën ishin të vendosura shumë forca ushtarake, se aty vite më parë kishin qenë edhe anije ushtarake ruse, dhe se atje nuk do të lejohej të hynte çdokush, apo thjesht një njeri i zakonshëm, etj., Shpeshherë, dallonim në horizont, mbi det, anije të mëdha tregtare që udhëtonin ngadalë, por edhe anije të vogla luftarake me një shpejtësi të madhe, që kalonin kryq e tërthorë në det, nga gjiri i Vlorës për në drejtim të kësaj toke, që quhej “Ishulli i Sazanit”.

Na tregonin se pas luftës së madhe të popullit të Vlorës, pas hedhjes në det të ushtrisë italiane, ishulli mbeti përsëri zonë e pushtuar, e administruar nga Italia deri në vitin 1944, kur italianët u larguan të detyruar nga ardhja e gjermanëve, ndërsa, siç dihet çlirimi i tij ishte shënuar në datën 22 Nëntor 1944, kur forcat partizane të Brigadës së 12-të sulmuese e kishin çliruar ishullin edhe nga gjermanët.

Historitë e treguara dhe të dëgjuara gjatë kësaj kohe ishin të pafundme, mbi mënyrën se si ishte çliruar ishulli dhe se si kishin rrjedhur kohërat pas çlirimit, me vendosjen e anijeve ruse në atë zonë, me gjallërinë e krijuar në gjirin e Vlorës nga forcat e shumta ushtarake detare ruse të kohës, deri në prishjen e marrëdhënieve me ta.

Dalëngadalë, falë këtyre rrëfimeve, filluam të krijonim një ide të saktë mbi historinë e afërt të “Ishullit të Sazanit”, por përsëri vazhdonte të mbetej një histori e largët, relativisht e panjohur e kësaj toke sa të afërt aq edhe të largët, që ishte pjesë e pandarë e vendit tim, për të cilën jo vetëm unë por edhe bashkëkombës të tjerë, dinin shumë pak, ose thënë ndryshe edhe aspak. As nuk e shkonim ndër mend që do të vinte një ditë, madje shumë shpejt, që do të bëhesha si shumë të tjerë pjesë e kësaj legjende, pjesë ekzistenciale e një jete të vështirë dhe me shumë sakrifica, për shumë vite me radhë.

Erdhi momenti që në dhjetor të vitit 1975, të isha një nga banorët e ishullit, por i emëruar në ata kohë për të kryer edhe detyrën e mjekut , për kujdesin ndaj shëndetit të popullatës civile dhe ushtarake të “Ishullit të Sazanit”. Kisha pozicionin e mjekut të zonës ushtarake dhe civile. Isha mjeku i familjeve të shumta të vendosura në ishull, por edhe mjeku ushtarak i kësaj zone të rëndësishme që në atë kohë konsiderohej si një post i rëndësishëm, një post i avancuar ushtarak i atdheut tim, i Shqipërisë.

Gjatë 7-8 viteve të jetës sime në ishull u mora me të gjitha gjërat që i përkasin shërbimit shëndetësor: me higjienën, me epidemiollogjinë e zonës, me vizitat e ushtarakëve, të ushtarëve dhe kuadrove; të civilëve, të grave, të fëmijëve; me çerdhen dhe kopshtin e fëmijëve, shkollën, tregtinë ushqimore dhe me kuzhinat e mensat e panumërta të reparteve ushtarake të shumta dhe të shumëllojshme, të llojeve të ndryshme të armëve e të shërbimeve, të dislokuara në zonë tokësore dhe detare; në kushte të vështira të jetesës dhe banimit, në ndërtesa e godina jo komode, shpeshherë pa ujë dhe banjë brenda tyre, në kushtet e vështira të mungesave në higjienën dhe furnizimin me ujë të pijshëm, e të ngrohjes.

Jam marrë nga afër dhe drejtpërdrejtë me organizimin dhe planifikimin e sigurimit shëndetësor, të medikamenteve dhe të pajisjeve shëndetësore në reparte dhe në spital; në organizimin e stërvitjeve ushtarake të personelit shëndetësor të spitalit, në çadra dhe tunele; të përgatitjes shëndetësore në Ishull dhe në Shkollat e lira Ushtarake të Vlorës; të administrimin dhe ruajtjes e rezervave shëndetësore në medikamente dhe pajisje, të funksionimit të spitalit të ishullit, në kohë paqeje, në kushte normale, por edhe për në kohë lufte, në tunele e çadra , etj…

Në këtë mënyrë, për disa vite me radhë, së bashku me shume kuadro të tjerë të ushtrisë, jetuam dhe punuam në këtë zonë ushtarake me devotshmëri dhe pa u lodhur, duke u bërë pjesë e një historie jo shumë të largët që vazhdon të shkruhet herë pas here, gjatë viteve të fundit, në gazetën “Sazani”dhe në shtypin tjetër periodik të vendit tonë.

*Ish-Shefi i Shëndetësisë të Ishullit të Sazanit, gjatë viteve 1975-1983