At Nikolla Marku: Janullatosi do të rrëmbejë Normalen e Elbasanit

540
Sigal

INTERVISTA/ Flet Atë Nikolla Marku, kreu i Kishës SHËN MARIA

Ditët e fundit ka nisur një konflikt mes Atë Nikolla Markut, kreu i Kishës Shën Mëria Elbasan dhe Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale Janullatos. Sipas Atë Markut, Janullatosi kërkon të kthejë Shkollën Normale të Elbasanit që është godinë e arsimit kombëtar  shqiptar dhe pronë  e historisë sonë intelektuale shqiptare, në një qendër të shovinizmit grek me pretekstin se ka qenë dikur metropoli e kishës. Është e qartë në dritë të diellit se, ish- metropolia është godinë tjetër, e shitur për arsye financiare një banori të lagjes “Kala” Elbasan.

 Zoti Atë Marku çfarë është në të vërtetë dhe pronë e kujt është Shkolla Normale e Elbasanit, ku gjendet ajo?

 Shkolla Normale e Elbasanit është shkolla më e vjetër shqiptare, e cila ka dokumente origjinale, të rregullta dhe të pakundërshtueshme që është ndërtuar si shkollë për fëmijët e qytetarëve të Elbasanit.  Në një dokument, të cilin unë e kam thuhet: “Janë mbledhur 35 mijë aspra nga qytetarët e Neokastrës (Elbasanit), që të ndërtohet një shkollë në gjuhën shqip. Ku të mësojnë të gjithë fëmijët e familjeve të qytetit pa dallim besimi fetar… etj”..Pra është një dokument, që s’ka burrë nëne ta lëvizë.

Aktualisht në ndërtesën e kësaj shkolle çfarë aktiviteti ka?

Aktualisht në këtë tokë, ku është bazamenti i shkollës së vjetër dhe më vonë me rikonstruksion shërbeu si objekt i Shkollës Normale, vazhdon të jepet mësim. Pra, këtu janë ambientet e shkollës “Zëra jete”, ku mësojnë rreth 80 fëmijë handikap.

 Por në fakt si pronë kujt i takon?

Atëherë, në fakt i takon popullit të Elbasanit, popullit që e ngriti këtë shkollë shekuj më parë, por realisht, de jure e ka në pronësi kisha e Janullatosit.

 Po pse e ka Janullatosi me dokumente?

Kjo është histori e gjatë. Në vitin 1996 kjo kishë mbas një gjyqi në Elbasan, i kalon, i jepet në pronësi kishës Autoqefale për t’u bërë Metropoli. Kjo, pasi, në atë kohë Metropolia e Elbasanit kishte ndërruar pronësi dhe nuk kishte ku të vendoste priftërinjtë e vetë. Janullatosi dha para dhe e fitoi këtë tokë, apo ndërtesë që është shenjëtaria e vet kombit, e gjuhës, e dijes shqiptare.

 A ka pasur Metropoli më parë Elbasani?

Po ka pasur. Këtë Metropoli  e bleu apo e mori në pronësi prifti Spiro Veli. Ky ka qenë prift qysh në vitin 1950, pra një prift i vjetër. Me ardhjen e demokracisë, ai kërkoi që Metropolia e vjetër t’i kthehej kishës dhe ai të ishte administrator. Këshilli Bashkiak i lagjes miratoi kërkesën e tij dhe kështu ai mori pronësinë qysh në vitin 1992. Pikërisht në këtë kohë Janullatosi shkon qytet më qytet, ku kishte kisha ortodokse për të krijuar Kishën Autoqefale. Kështu ai përplaset dhe me priftin Spiro Verli, të cilit i kërkon të njohë Kishën Autoqefale dhe atë vet si Kryepeshkop. Spiro e kundërshton, por Janullatosi i ofron shuma të mëdha dhe ai i thotë më lërë në pronën time dhe të njoh si Kryepeshkop. Më vonë në vitin 1996 kur priftërinjve nuk u dhanë rrogat Spiro ja shet Mitropolinë e Elbasanit një prej djemve të tij.  Pra, nuk pa shpresë të fitonte gjë, apo të paguhej dhe gjeti këtë rrugë. Pas ca kohësh djali i tij ndërron jetë dhe e shoqja e djalit, ja shet Metropolinë një qytetari elbasanas. Pra Metropolia e vërtetë është jashtë territorit të kishës sonë dhe në pronësi të një qytetari të thjeshtë.

 Po atëherë si ka mundësi që Janullatosi kaloi apo kërkoi Normalen e Elbasanit për Metropoli?

Këtu është Odisea e ngjarjes. Ai ngriti pretendimin se, duke qenë së bashku në një territor, kjo shkollë është pronësi e Metropolisë. Gjeti dhe një drejtësi të korruptuar, e cila ja njohu si pronësi këtë shkollë Kishës Autoqefale me qendër në Tiranë. Pra as asaj nën Elbasan, por në Tiranë. De jure sot, Shkolla Normale i takon Janullatosit dhe pse unë kam vite që bëj gjyq dhe Gjykata e Shkollës së Lartë qysh në vitin 1999 njeh atë si pronare trualli.

 Po si i larguat priftërinjtë e Janullatosit nga ndërtesa?

Me dhunë. I larguam me forcë. Unë erdha në krye të kishës në Elbasan në tetor të vitit 1995 pas vdekjes së priftit Spiro Verli.  Që atëherë filluam kontradiktat me Janullatosin. Ne donim të na drejtonte një prift shqiptar.  Filluan gjyqet që na fakt i ka fituar ai. Madje në vitin 2002 Janullatosi hodhi shumë para për rikonstruksionin e Shkollës Normale dhe e bëri. Por ne nuk ndenjëm dhe i larguam priftërinjtë.

 Aktualisht çfarë përmban trualli i kishës së Shën Mërisë Elbasan?

Aktualisht në tokën tonë janë përfshirë Kisha e Shën Mërisë, varri i Konstandin Kristoforidhit dhe Shkolla normale. Pra janë tre objekte, ndërsa Mitropolia e vjetër është në pronësi të një qytetari elbasanas. Përse nuk kërkon këtë objekt Janullatos? Jo, -ai do historinë e gjuhës tonë, -do të shkel mbi veprën e  Konstandin Kristoforidhit që ne të ngelemi pa histori, të ngelemi pa mësuesit tonë të mëdhenj. N.q.s Janullatosi merr këtë objekt, dënohet me vdekje gjuha shqipe, historia e saj, ajo që ata duan ta fshehin. Kurrë nuk mund të rrinë bashkë Kostandin Kristoforidhi me Janullatosin, ata që e luftuan deri në vdekje.

Albert Z. ZHOLI

*********************

 Kisha Ortodokse e pavarur kombëtare shqiptare  “Shën Maria” Elbasan konferencë për shtyp

  Atë Nikolla Marku: Janullatosi do të rrëmbejë Normalen  e Elbasanit, qendrën e dijes sonë kombëtare

 Zyra e Përmbarimit, të mos bëjë gabim historik që godinën e shkollës Normale t’ia dhurojë Janullatosit për qendër spiunazhi shovinist grek

  DEKLARATË

Elbasan 17.08.2014

Shqiptaret ortodoksë, por dhe mbarë opinioni kombëtar shqiptar, si në trojet e tij etnike ashtu dhe në diasporë dhe mërgim, i bëjmë të ditur se shovinisti dhe anti-shqiptari Anastas Janullatos, i cili është në krye të kishës ortodokse greke brenda Shqipërisë, po përgatit një skandal të ri.

Janullatos, kërkon të kthejë shkollën Normale të Elbasanit që është godinë e arsimit kombëtar  shqiptar dhe pronë  e historisë sonë intelektuale shqiptare, në një qendër të shovinizmit grek me pretekstin se ka qenë dikur metropoli e kishës. Eshtë e qartë në dritë të diellit se, ish -metropolia është godinë tjetër, e shitur për arsye financiare një banori të lagjes “Kala”, Elbasan.

Duke përfituar nga një vendim gjykate, i cili u dha pa njohur mirë origjinën e pronave, kërkon nga Përmbarimi zbatimin e një vendimi gjykate të gabuar për shkak të ngatërrimit të godinave.

Zyrës së Përmbarimit, i bëj thirrje që të jetë e përgjegjshme dhe të mos bëjë gabim historik që godinën e shkollës Normale t’ia dhurojë Janullatosit për qendër spiunazhi shovinist grek, i cili ka kthyer të gjitha kishat dhe manastiret në qendra të greqizimit dhe shovinizmit të partisë “Agimi i artë”. Kjo parti naziste është përfaqësuesja direkt në politike, por dhe me veprime e të ashtu quajturit Vorio-Epir. Kërkojmë nga institucionet më të larta të shtetit, ndërhyrjen dhe parandalimin e çdo veprimi anti -shqiptar. Institucionet e shtetit shqiptar, nuk mund të jenë kundër historisë sonë kombëtare të arsimit shqiptar,  Anastas Janullatos. Të paralajmëroj se, ajo që bëre në Përmet me spiunë grekë dhe antishqiptarë, nuk do të ndodhë kurrë me Shkollën Normale të Elbasanit. E kupton nuk do të ndodhë kurrë. Kushdo që do t’i afrohet Shkollës Normale, do të bëhet viktimë e shovinizmit grek kundër Shqipërisë. Të paralajmëroj se Shkollën Normale do ta mbrojnë ortodoksët, së bashku me popullin shqiptar. Historinë e arsimit shqiptar e mbron çdo shqiptar pa dallim krahine dhe feje.

KËSHILLI KISHËS SHËN MARIA

ATË NIKOLLA MARKU