Asnjë institucion nuk punon gjatë orarit zyrtar

536
Gjithë shteti prej 2 muajsh gjendet në fushatë. Gjithë stafet e administratës së institucioneve të shtetit gjenden nga mëngjesi në darkë në shtabe fushate, dhe rroftë sebepi dhe nuk paraqiten fare në zyra apo sportele shërbimesh. Por ata që e vuajnë janë qytetarët e thjeshtë, hallexhinjtë. Adem Saraçi qytetar nga Elbasani banor i lagjes 5 Maj u shpreh për “Telegraf” se “kam 25 ditë sot që shkoj për të marrë një firmë tek Hipoteka, apo për të dorëzuar dosjen time tek Sigurimet Shoqërore dhe njëherë më thonë nuk ka njeri vijnë pas orësh 15.00, vij në drekë mes vapës më thonë janë në fushatë”. E njëjta gjë ndodh edhe me zyrat e shërbimeve shëndetësore, tek ujësjellësi, energjia elektrike, zyrat rajonale të gjendjes civile, etj. Jo vetëm drejtuesit e institucioneve por edhe vartësit e tyre do ti takosh shpesh me volën e shtetit me vete duke u mbaruar punë hallexhinjve në zyrat elektorale. Shkrehja e punës duket si diçka e ligjëruar. 
Edhe pse fushata do ti jepte shansin qytetarëve të takonin edhe ndonjë deputet zone, për ti parashtruar ndonjë problem, duket se edhe ata janë “të pakapshëm”. Kjo pasi deputetët më tepër janë të shtrirë në zonat e fshatrave, duke pretenduar se punojnë me “të lëkundurit”. Fakti është se këto zgjedhje janë thjesht lokale, por situata e krijuar të jep përshtypjen e atyre të përgjithshme politike. I gjithë shteti gjendet në fushatë, kurse qytetarët në radhë të gjata nën diellin përvëlues, duke pritur shefin, drejtorin, sekretaret, sportelistët, mjekët, apo juristët. Të gjithë janë me detyra fushate, të gjithë duket sikur janë të justifikuar me fushatën, ndërkohë me ligj, me Kodin Civil dhe Kodin e Punës, ata duhet të përmbushin detyrimin e 8 orarshit në punë dhe pastaj të merren me angazhimet e tjera. Po më e pabesueshmja është kur mungon mjeku dhe u thuhet pacientëve se “ka një takim elektoral vjen pas orës 18.00”. Një rast tjetër është në një lagje tjetër periferike ku prej 10 ditësh nuk vjen në oraret e caktuara mjeku qendrës shëndetësore, duke lënë pa receta dhe ilaçe dhjetëra pensionistë që marrin kuotën mujore. Kjo për faktin se u thuhet se “ka angazhime stafi me fushatën”. Në fakt kjo gjë nuk ndodh çdo ditë ndoshta, por muajt e fushatës gjithmonë janë koha e rrumpallës për ata që marrin rrogën në shtet. Edhe ushtarakët janë në fushatë sikundër policët. Edhe ata marrin pjesë në fushatë me të vetmin ndryshim se duhen civilë dhe jo me uniformë. 
Edhe ata duhen për të mbushur sallat dhe sheshet e fushatës madje nga dy kampet politike. Por prej 2 javësh Ministria e Mbrojtjes ka pezulluar nga detyra 11 ushtarakë që shërbenin në depot e Mjekësit dhe Krastës, pasi “ishin parë në takimet elektorale të opozitës pasdite civilë”. Ky absurditet i ka shokuar 11 ushtarakët, të gjithë me eksperiencë 20-22 vjeçare në punë, dhe kanë kërkuar sqarime nga komanda e Elbasanit, e cila nuk ka pranuar ta bëjë atë. Absurditetet e fushatës nuk kanë të mbaruara dhe ato ngjajnë si rituale të pandara qysh nga 1992 dhe deri sot në 2015. Duket se asgjë nuk do ta ndryshojë edhe për shumë vite të tjera mentalitetin shqiptar të fushatës, militantit, punonjësit të shtetit që duhet të votojë me urdhër, apo zbulimi i kundërshtarit (apo tradhtarit) kur shkon apo mungon në mitingjet e partive. 
Sigal