Asllan Refati, një jetë mbi medaljonin e fjalës që ngroh shpirtrat e njerëzve

697
Sigal

Vitet kalojnë si pa kuptuar në rrjedhën e tyre. Ato rrëshqasin  në akullin e të përditshmes pa zhurmë. Pastaj, në udhën e tyre ato  vijnë  një ditë duke trokitur në memorien tonë duke na thënë se jemi këtu, e do t’ju rrëfejmë pak histori. Dhe kjo është më se e vërtetë. Në një lokal  të qytetit bregdetar të Durrësit, takohem  pas kaq vitesh me një ish-kuadro të viteve të largëta të shekullit që lamë pas Asllan Refati (Zylyftari). Aty , në atë kafene ishte ulur së bashku me disa bashkëmoshatarët e vetë, si: Niazi Braçaj, Fetah Bregu, Bashkim Halili etj..

Nga e majta në të djathtë: Fetah Bregu, Xhevahir Cirongu, Niazi Braçaj, Asllan Refati, Bashkim Halili. Foto nga Xh. Cirongu, Durrës 2013

-Eja,eja djalo!,- ulu këtu se ka vend edhe për ju,- foli  me një zë dashamirës ai njeri i thjesht e modest. Shikimi i tij dukej sikur ishte zënë në faj, por në brendësi të syve dukej qartë e lexohej respekti njerëzor ndaj të tjerëve. Sipër kokës mbante një kapele me strehë. Unë nuk e zgjata, por u ula diku aty afër në një cep të tavolinës.

-Epo mirë se na erdhe, – u dëgjuan përsëri të flisnin të pranishmit e tjerë. Disa nga ata i njihja se kisha pirë edhe më parë kafe në atë lokal, kurse burrin me kapele në atë çast si kushtova edhe shumë rëndësi. Kur  porositën edhe për mua një kafe, ai më foli përsëri e më pyeti për shëndetin, familjen , punën e po interesohej deri në  intimitetet  më të vogla të jetës. Kjo më bëri përshtypje e thashë se ky njeri  përsa më pyet kaq shumë duhet të më njohë. Edhe unë po e vështroja me kureshtje e po sillja në memorien time se kush mund të ishte ky njeri  sa i thjeshtë e njerëzor.

-Më fal, nuk po më njeh!,- fali ai me një buzëqeshje të ëmbël e me një ton të butë. U zura ngushtë në ato çaste, sepse kishin kaluar shumë vite e s’mund të më kujtohej ai njeri ngaqë edhe kishte ndryshuar për shkak të moshës.

-Pa më vështro me kujdes, më tha ai. Ku jemi parë e takuar vite më parë!? E vështrova përsëri dhe sikur më erdhi diçka në kujtesë, por i sigurt nuk isha se ku mund ta kisha parë atë njeri. Në bisedë ndërhyri  një burrë babaxhan që unë kisha kohë që e njihja. E quajnë Njazi Braçaj që i cili është nga fshati Muzhënckë të  rrethit  Skrapar, por ka shumë vite që jeton në Durrës. Pastaj më tha: “Po Asllan Refatin e ke njohur më parë!?’’ . Po, – i ktheva përgjigje, e vështrimin e treta tek i panjohuri që ishte ulur në tavolinë. Unë kisha më se 27 vite pa e takuar atë njeri sa të thjesht e modest që me fjalën e ëmbël të ngrohte shpirtin. Tek ai njeri kishte ndryshuar fizionomia, kurse thjeshtësia e fjalës jo.

Po kush është Asllan Refati (Zylyftari)?!..

Asllan Refati (Zylyftari) ka lindur në fshatin Spatharë të rrethit Skrapar të Qarkut Berat. Ishte muaji mars i vitit 1932 kur në familjen “Zylyftari” erdhi në jetë djali  që mori emrin Asllan. Bashkëshortët Refat e Naze, prindërit e Asllanit, u gëzuan shumë atë ditë, sa edhe gurët e fshatit të Spatharës kënduan atë ditë. Po emrin si do ja thërrasim, – thanë me një frymë nga gëzimi të afërmit që shkuan për urim te familja  e Refatit. Do mendohem për këtë,- u thoshte Refati atyre. Dhe sipas zakonit mbas disa ditësh në shtëpinë e Refati  u shtrua darka për thirrjen e emrit të djalit të sapo lindur. Lulet e marsit sapo kishin çelur e bora kishte marrë udhën e malit e po shkrinte. Ndërsa bilbilat  po këndonin se po trokiste pranvera. Edhe në shtëpinë e Refatit  këndohej e gëzohej se ishin bërë me djalë.

-Gëzuar e ta pimë me fund shëndetin e djalit Asllan!,- uroj Refati të pranishmit me gotën e rakisë në dorë. Kënga e vallja, urimet zgjatën deri në mëngjes ku dielli ledhatoi me buzëqeshje kodrat mbi Spatharë. Familja e Asllanit shquhet për atdhedashuri e mirësi. I ati Refati e nëna që e quanin Naze janë marrë me punë bujqësore e blegtorale në fshat. Jetën e tyre ata ja dedikuan fëmijëve e tokës atje në fshat, por kishin në shpirt edhe dashurinë për atdheun. Ndjenja e patriotizmit  i kishte rrënjët si të lisave shekullorë . Në Luftën Italo-Greke më 1940-n, familja e Refatit si gjithë familjet e tjera të Skraparit, shkojnë muhaxhir në Gjyroven e Bilçë të Beratit për t’u shpëtuar masakrave të monarkëve grekë, që në këto vite në fshatrat e Skraparit e të Tomorricës bënë masakra nga më ç’njerëzoret, gjer atje sa me anën e bajonetave të armëve vranë gra shtatzëna, dogjën shtëpi e plaçkitën pasuri e bagëti të banorëve  të skraparasve. Kështu, familja e Refatit u kthye në fshat në maj të vitit 1941, kur çetat shqiptare po luftonin kundër pushtuesve italianë e grekëve. Në këto rrethana, edhe  familja e Refatit  e përkrahu me një herë luftën nacionalçlirimtare nga viti 1943 deri më 1944 deri me çlirimin e plotë të Shqipërisë.

– Babai u aktivizua me çetën territoriale të fshatit, na thotë në bisedë e sipër Asllani. Kurse vetë Asllani aktivizohet me Rininë si agjitator dhe kryente detyrën e korrierit. Mbas çlirimit të Shqipërisë nga okupatori  nazifashist, Asllani merr pjesë në ndërtimin e hekurudhës Durrës- Peqin në vitin 1947. Më vonë përsëri atë e gjen në trasenë e  hekurudhës Durrës- Tiranë. Kujton ato vite të stuhishme të vrullit rinor të rinisë së tij, por edhe të bashkëmoshatarëve që derdhën djersën e gjakun për ndërtimin e Shqipërisë. Ai krenohet sot kur udhëton  me tren mbi trasetë që ka punuar edhe vetë. A nuk është kjo ndjenjë e fortë atdhedashurie për Atdheun?!  Ne e ngacmojmë për të na sjellë kujtimet e rinisë të atyre viteve, ndërsa ai loton e kujton vitet e arta të punës ndërtimore që u desh shumë sakrifica. Dhe vazhdon duke na thënë se  ka punuar edhe në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë në vitet 1949- 1950. Ndje keqardhje që ai kombinat u shkatërrua e sot nuk ka as nam e nishan , -na thotë Asllani. Por edhe për hekurudhat që kanë mbetur në mëshirë të fatit. Hekurudhat e një vendi janë arteret e atdheut, nga ku merr zhvillim e përparim  ekonomia në dobi të gjithë shoqërisë. Që këtej Asllani kthehet në vendlindje Skrapar , ku  ai fillon punë në Komitetin e Rinisë së Rrethi, e vazhdon në këtë detyrë deri në vitin 1966, shef i (Agipropit) i propagandës. Në vitin 1960 emërohet sekretar i dytë i Rinisë së rrethit Skrapar. Asllani ka mbaruar arsimin e mesëm gjimnazin, e më vonë shkollën e lartë të Partisë. Ai ka studiuar edhe në Moskë në vitin 1960. Përkushtim në punët shoqërore, për Asllanin ishte një kënaqësi e veçantë, por edhe një art më vete për t’u shërbyer njerëzve të thjeshtë duke shprehur para tyre mendimin e fjalën e ngrohtë në dobi të edukimit të shoqërisë. Asllani mban me vete talentin e komunikimit me dashamirësi ndaj njerëzve me fjalën që zotëron kur flet me ta. Prandaj ai gëzonte e gëzon  respektin e gjithë shtresave shoqërore , pavarësisht se sot është në pension pleqërie. Por, puna edukative, komunikimi mes njerëzve, përkushtimi ndaj punës, i dha mundësinë që t’i jepej edhe detyra e Sekretarit  të Rinisë së Rrethit Skrapar, prej vitit 1960 deri në vitin 1966. Prej këtej, Asllani emërohet në një sektor të vështirë për ato vite, si kryetar i kooperativës  bujqësore në Vëndreshë. Tashmë, ky njeri i përkushtuar tërësisht ndaj fjalës e komunikimit me njerëzit merr përsipër të punojë në një zonë të largët, në atë të Tomorricës, nga viti 1968 deri në vitin 1971, me detyrën  sekretar partie për zonën. –Ishte një punë e vështirë, por jam krenar se aty gjeta njerëz të mrekullueshëm dhe të përkushtuar për përparim e zhvillim në gjithë fushat e jetës , na thotë Asllan Refati pas kaq vitesh. Tomorricarët janë njerëz të urtë, të punës e me kulturë. Por edhe të besës e mikpritës aq bujarë në shpirt. Aty mësova shumë gjëra, e sidomos bardhësinë e shpirtit. Që nga viti 1966, kur në Tomorricë  erdhi mekanika bujqësore, bujqësia mori zhvillim të madh, por krahas saj ,edhe blegtoria, vreshtaria e frutikultura. Asllani ka shkelur në çdo fshat e shtëpi tomorricare. Në ato vite një zhvillim të paparë mori Arsimi e Kultura. U ngritën shkolla e shtëpi kulture deri shkolla të mesme, nga ku dolën shumë kuadro me arsim të mesëm e të lartë, nga ku nuk mungojnë edhe gradat shkencore që kanë marrë djemtë e vajzat tomorricare. Asllani kujton midis të tjerëve mjaftë emra tomorricarë që janë të regjistruar në memorien e tij, e midis tyre ne mundëm të shkëputim vetëm disa prej tyre: Ambeli Shatro, Beshir Nuhu, Remzi Cirongu, Syrja Dorrozhani, – Leskovë, Axhem Breshani e Syrja Breshani ,- Çerricë, Shaban Mezini,- Dobrenj, Ali Saliasi, – Zhepë, Zyferr Avdasi,- Rromas, Zalo Boçi,- Tërrovë, Xhemal Ismaili,- Zaloshnje, Belul Lajthia, – Gjerbës, Iljaz Musabelliu e Sabri Musabelliu, – Ujanik, Turhan Mëlova, Abedin Biraku, Rexhep Metani,- Barç, Halim Lika,- Gjogovicë, Nesim Alimadhi,- Kuç, Bajram Cane,- Kovoçanj, etj.. Ata janë shumë, e të gjithë janë futur brenda zemrës sime me dashurinë më të madhe, na thotë Asllani. Të them të vërtetën, shton në bisedë e sipër Asllani, kur më emëruan sekretar të byrosë së Ndërmarrjes Bujqësore “ 5 shtatori” në qytetin e Çorovodës në vitin 1971-1974, nuk më erdhi mirë që unë të larohesha nga zona e Tomorricës. Isha bërë me të vërtet “tomorricar” si djali i saj. Pas këtyre viteve,  pra nga viti 1974 gjer në 1992, Asllani punoi në komitetin e partisë së rrethit e në telekomunikacion, deri sa në vitin 1992 del në pension pleqërie. Kalvari i punës së këtij njeriu është i gjatë, plotë  vështirësi , por edhe krenari, sa medaljoni i fjalës së artë ka ngrohur me qindra e mijëra zemra të njerëzve të thjeshtë e punëtorë. Për kontributet e punës në vite Asllan Refati ka marrë shumë urdhra e medalje si: “Urdhër të Klasit të Parë”, “Urdhër të Klasit të Dytë”, Urdhër të Klasit të Parë për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore”,  “Medaljen e Punës në kombinatin e tekstileve Tiranë”, “Medaljen për shërbime të shquara në ekonomi bujqësore”.