Arumunët e Shqipërisë: Do kërkojmë vendosjen e bustit të kryeministrit Iorga në Sarandë

1988
Përshëndetje z. Pano!Ju sapo jeni kthyer nga Tirana, nga një mbledhje shumë e rëndësishme për jetën e komunitetit arumun në Shqipëri, ku u themelua Unioni Kombëtar Arumun Shqiptar. Çfarë është ky bashkim?
Ky union lindi si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit të gjitha shoqatave dhe organizatave të tjera në shërbim të komunitetit arumun në Shqipëri me interesa të njëjta për çështjen arumune të Shqipërisë.
Çfarë do kërkohet nga ky bashkim?
Do kërkohet që kultura arumune të ketë më shumë mbështetje nga qeveria shqiptare për integrimin e kësaj kulture,forcimin e minoritetit etnik arumun në Shqipëri,në bazë të konventave ndërkombëtare për minoritetet, si dhe të kushtetutës shqiptare. Përfaqësimin e arumunve në komitetin e minoriteteve në qeverinë shqiptare, ku zgjedhja e tyre do të jetë jopolitike, por nga radhët e shoqërisë civile arumune. Funksionimin dhe bashkërendimin e gjithë problematikës arumune në Shqipëri bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës.
A ju mbështet ambasada rumune në Tiranë?
Po!Shteti rumun nëpërmjet të gjitha organizmave ligjorë kërkon njohjen e këtij minoriteti, kjo në vazhdën edhe të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, Shqipëri-Rumani, brenda konventave dhe të drejtave të njeriut, por edhe të një të kaluare të shkëlqyer që i është bërë mbështetjes së çështjes shqiptare nga shteti rumun historikisht. Deri tani shteti rumun ka bërë të gjitha përpjekjet ligjore duke ndihmuar në arsimimin e gjithë fëmijëve të komunitetit arumun në shkollat e Rumanisë që nga viti 1992 duke u bazuar në legjislacionin dhe kushtetutën shqiptare. Nëse nuk i arritëm këto, ne përsëri do zgjedhim rrugën ligjore për intensifikimin e përpjekjeve tona dhe realizimin e tyre, madje me përpjekje maksimale edhe në organizmat ndërkombëtare, por siç thashë, të gjitha këto me mbështetjen e shtetit rumun dhe ligjit shqiptar për respektimin e minoriteteve, shteti rumun do mbështes pjesën e tij.
Cili është qëndrimi i shtetit grek?
Ky është një problem i shtetit grek. Arumunët në gjithë Ballkanin si dhe në Shqipëri, duhet të ratifikojnë rezolutat për arumunët, kjo do të jetë në të mirën e një bashkëjetese ndër ballkanike. Në qoftë se do të respektohen të gjitha këto vlera, asnjë shtet nuk do kundërshtojë. Shteti rumun do të jetë totalisht në mbështetjen tonë dhe të çështjes që kërkojmë dhe diskutojmë. Këto i kemi të konfirmuara nga takimet me ministrat e jashtëm të Rumanisë këto vitet e fundit, si dhe atë shqiptar, për të mos thënë se nuk kanë munguar as takimet me presidentin Bosesku, i cili i ka kërkuar shtetit shqiptar çështjen e minoritetit arumun.

Cili do të jetë hapi i parë konkret i UNIONI-it të sapokrijuar?
Hapi i parë konkret është me prof. Iorga, historian rumun dhe letrar me përmasa të gjithanshme. Organizatat arumune kanë kërkuar ngritjen e një busti të tij në Sarandë. Bashkia e ka mirëpritur dhe pritet vendimi i Këshillit Bashkiak që ky personalitet të përjetësohet edhe në qytetin e Sarandës, pasi në Sarandë Mbreti Zog i dhuroi një truall për shtëpi në vitin 1930, të cilën ai nuk e përdori, por la porosi që të kthehej në muze arkeologjik në shërbim të lashtësisë shqiptare, pa të cilën historia e mëvonshme mbetej e pashpjegueshme, ku është edhe dokumenti origjinal. Në vitet e socializmit ishte klubi i sportit, ndërsa tani e ka një biznesmen, me të cilin bëhen negociata që të vihet në vend amaneti i të zotit, në të kundërt do të zbatohet me shërbimin përmbarimor vendimi i gjykatës. Busti i tij pritet të vendoset në mjediset e qytetit, diku në afërsi të Muzeut arkeologjik të Sarandës. Për shtëpinë,siç thashë, janë në negociata dy shtetet tona. Shteti rumun ka dhënë dhe jep përherë kontribut në shërbim të çështjes shqiptare, ashtu siç është vendosur busti i Ismail Qemalit në Bukuresht, ngritja e bustit të Naum Veqilharxhit në Minisk, në parlamentin rumun ka dy përfaqësues nga komuniteti shqiptar, kjo e përcaktuar me ligj, vendosja e shumë toponimeve shqiptare në Rumani, shumë personalitete shqiptare japin mësim në akademinë rumune. Mund të them se Nikolae Iorga zbuloi për herë të parë në Vatikan predikimin në gjuhën shqipe, po kështu më 1910 hodhi idenë e krijimit të shtetit të Kosovës dhe nga shumë Universitete Europiane ka marrë çmimin “Non kauza”, dhe për Sarandën do të jetë një nder vendosja e këtij personaliteti historian dhe politikan, aq dashamirës dhe kontribues i çështjes shqiptare, por edhe një lidhëse e ngushtë për arsimimin e të gjitha niveleve arsimore të Sarandës për t’u dhënë nxënësve më të mirë, pa dallim etnik, bursa studimi në Rumani me emrin “Nikolae Iorga”.Gjithmonë duke negociuar. Godina do të bëhet sipas amanetit të vet Nikolae Iorga, një institut i përbashkët i kulturës shqiptaro-arumune. 
Kush është kryeministri Rumun, Nikolae Iorga
Ka lindur më 6 qershor 1871 në Botoshan-Rumani. Iorga është një ndër dramaturgët, publicistët, poetët dhe kritikët letrar, politikan dhe kryeministër, nga më të famshmit në Rumani. Arritjet kanë nisur shpejt me mbarimin e universitetit të Iashit brenda një viti të vetëm akademik dhe mbarimit të doktoraturës në moshën 23 vjeçare, vit ky që shënoi edhe hyrjen e tij në Akademinë Rumune. Karriera e tij si politikan mori rrugë kur ai zgjidhet deputet, më pas ministër e deri kryeministër i Rumanisë. Iorga mbahet personaliet i madh i rumunëve me 1003 volume, 12755 artikuj, 4963 përmbledhje dhe 69 vite jete. Në shkrimet e tij prej historiani ka pasqyruar me vërtetësi etnogjenezën rumune, shqiptare popujve të Ballkanit. Iorga u zgjodh anëtar i Akademisë Rumune, anëtar i Institutit të Francës, anëtarë korrespodent i disa akademive në Romë, Pragë, Varshavë, Bratislavë dhe institutit të Venecias si dhe nderuar me titullin “Honoris Causa”. Iorga e ka dashur me gjithë shpirt popullin që e lindi, si dhe atë shqiptar, të cilin e ka parë si më të vjetrin në Ballkan. Në studimin “Nikolae Iorga dhe Shqipëria”, del sheshit se Iorga rridhte nga arumunët e Shqipërisë Lindore, ndoshta nga Voskopoja. Vlen për t’u përmendur gjithashtu në këtë pikë edhe definicioni i Iorga për artin popullor si më poshtë: arti i stërgjyshërve trakë, ilirë, dakë, të cilin shekujt e pasuruan. Vritet pabesisht nga grupe të politikave shoviniste në Ballkan, më 1940.
Veprimtaria, pro çështjes shqiptare
Krahas përkrahjes që Iorga i dha çështjes shqiptare, ai ka edhe veprimtari të drejtpërdrejtë në mbrojtje dhe përkrahje të çështjes shqiptare në vitet më të këqija për të, kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e një shteti shqiptar. Disa nga kontributet e tij kanë qenë: 1. Maqedonia dhe shteti shqiptar-1912; 2. Proverba turke në Shqipëri-1912; 3. Mbi çështjen shqiptare-1913; 4. Balada shqiptare-1919; 5.Historia e Shqipërisë (kurse leksionesh në institutin e studimeve të Evropës Juglindore)-1914; 6. Shqipëria dhe Rumania, leksion hyrës i mbajtur në institutin për studime europiane juglindore, më 15 janar 1915; 7. Mbi Shqipërinë e re-1917; 8. Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe popullit shqiptar-Bukuresht 1919; 9. Latinët dhe elementet latinë në Ballkan-1919; 10. Për Shqipërinë-rubrika lajmesh-1934; 11. Një pretendent shqiptar në shek. XVIII.1926; 12. Një mik në Rumani-1914; 13. Mbi një aventurë të trishtuar; 14. Mbreti i shqiptarëve, Vilhelmi i Parë-1914;15. Fundi i Shqipërisë-1914; 16. Një aventurë e trishtuar-1914; 17. Shqipëria dhe Rumania-1915;18.Shqipëria dhe arumunët-1915; 19. Mbi Shqipërinë e re-1917; 20. Kërkime mbi Shqipërinë-1919; 21. Mbarimi i një aventure 1920 dhe 22. Shqipëria sot,1921.
Dekreti i Zogut për faljen e shtëpisë në Sarandë
Krahas atyre vlerave që përmendëm, Iorga ka qenë edhe kryetar i parlamentit dhe kryeministër i Rumanisë. Për vërtetësinë e gjenezës dhe të drejtave territoriale të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të cilat nuk rreshti kurrë dhe për këtë kontribut Mbreti Zog i dha një truall më 1930. Leksionet e tij mbi historinë e shqiptarëve në universitetin e Bukureshtit janë përdorur për të mbrojtur të drejtat tona kombëtare në konferencën e paqes. Historiani dhe politikani rumun ishte nga të parët mbështetës dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Iorga do të mbahet mend gjatë nga e gjithë bota e historianëve, shkrimtarëve, politikanëve. Por ajo që do të mbetet akoma më gjatë, është emri i tij i skalitur me gërma të arta në historinë kombëtare të dy shteteve tona si dhe në marrëdhëniet Shqipëri –Rumani.
Sigal