Artur AJAZI/ Hirësi, mbajeni fjalën!

89

Hirësi, mbajeni fjalën e dhënë! Fjalën e dhënë shqiptarëve, se do të mbani meshën në gjuhën shqipe. Çdo shqiptar e kujton fare mirë se, ju, përgjatë viteve ‘91-‘97, e flisnit fare mirë gjuhën tonë, mbajtët edhe për pak muaj mesha në gjuhën shqipe, madje lëvdonit edhe kryeministrin dhe presidentin e asaj kohe në gjuhën shqipe. Por çudia më e madhe po ngjet prej disa vitesh, kur ju Hirësi, deklaroni, shpesh, madje se “vetëm greqishtja është gjuhë e kishës ortodokse” (?), gjë e cila tregon se ju nuk e konsideroni fare Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por e quani atë “aneks të kishës greke”. Çdo shqiptar ka shprehur vazhdimisht habinë e tij se si Kryepeshkopi Janullatos “ka harruar gjuhën shqipe” dhe, pothuajse, në të gjitha meshat dhe në komunikimet publike, flet vetëm në greqisht. Hirësia e tij në mesha del gjithmonë pranë podit dhe lexon në greqisht, lutet në greqisht, predikon në greqisht, ndërkohë që ka besimtarë ortodoksë që dikur e dëgjonin atë të fliste, edhe në shqip. Kjo prej disa vitesh po bëhet si diçka e zakonshme, por fakti është se kjo nuk është aspak etike dhe ka si qëllim që shqiptarët të mësohen me greqishten , si “gjuha e kishës”. Besimtarët ortodoksë shqiptarë nuk kanë lidhje fare me greqishten, por, po janë të detyruar të dëgjojnë meshën në gjuhën greke, pasi kështu dëshiron dhe ka vendosur Kryepeshkopi. Personalisht nuk dua ta besoj se Hirësia ka patur dhe ka si qëllim të ecë në gjurmët e paraardhësve të tij që mallkonin gjuhën shqipe dhe predikuan në shekuj se ajo nuk “është gjuha e kishës”. Ata madje bënë edhe kurban rilindasit tanë, si Petro Nini Luarasin, Papa Kristo Negavanin, e dhjetëra të tjerë. Çdo shqiptari i kujtohet fakti se Hirësia e tij e dinte dhe e di fare mirë gjuhën shqipe. Ai në vitet e para të ardhjes së tij (1991 – 1997) i mbante meshat në gjuhën shqipe, madje një miku im pedagog i Gjuhës Shqipe më thoshte se “ai e njeh gjuhën tonë, edhe me gramatikë”. Janullatosi shpesh e ka përdorur shqipen tonë të bukur në mesha për të krijuar mendimin dhe hequr kureshtjen se “ gjuha jonë nuk ishte pengesë për ushtrimin e misionit të tij si klerik”. Por, shumë shpejt Hirësia nisi ta “harrojë” gjuhën shqipe, që e ka detyrim statutor Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke dashur me qëllim të fshijë faqet e ndritshme të historisë së Rilindjes Kombëtare dhe vendimet e Kongresit të Beratit dhe të Korçës të viteve 1922 dhe 1929. As më shumë dhe as më pak, Hirësia zbaton pikë për pikë, platformën greke sipas të cilës “ortodoksët shqiptarë” duhen trajtuar dhe konsideruar si “grekë”. Kjo padyshim është pasojë e urrejtjes, përçmimit dhe natyrës shoviniste të klerikëve grekë. Mjafton të përmend një fakt shumë domethënës për krahinën më të persekutuar nga klerikët ortodoksë grekë në shekullin e kaluar, për Kolonjën. Deri në vitin 1914, atje kishte kisha për besimtarët ortodoksë, por pothuajse në të gjitha dhe veçanarisht në kishën e Luarasit (falë ndikimit të Petro Ninit) meshat bëheshin në gjuhën shqipe, nga At Josifi. Pas Petro Nini Luarasit, edhe ai pati të njëjtin fat nga klerikët grekë. Por, duke u kthyer tek Janullatosi, mendoj se, edhe meshat në gjuhën greke nga ai, janë përdhosje e besimtarëve shqiptarë dhe tregues i urrejtjes ndaj gjuhës shqipe. Hirësi, ne e dimë se parimi bazë i autoqefalisë është gjuha kombëtare, ndaj, në rastin tonë gjuha shqipe është e vetmja dhe e pranueshmja në mesha, kurse e dyta dhe më kryesorja është kombësia e drejtuesit të lartë të KASH. Si mundet që në 24 vjet në Kishën Autoqefale Shqiptare nuk u përgatit një klerik i lartë për t’ju zëvendësuar, ju Hirësi ? Si mundet që në Sinodin e Shenjtë nuk paska klerikë shqiptarë që mundet ta përfaqësojnë denjësisht kishën tonë? Pse ndalohen klerikët të japin mesha në gjuhën shqipe në Korçë, Gjirokastër, Durrës, etj.? Përdorimi i greqishtes në mesha është shkelje ligjore Hirësi. Edhe diçka, hirësi. Dua t’ju kujtoj se, artikulli nr.3 i Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, përpiluar në Korçë më 29.6.1929 nga Fan Noli thotë se “gjuha zyrtare e kishës është shqipja”. Kjo u ruajt edhe në statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare miratuar me dekretin nr.1065, datë 4.5.1950 e Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.Sh. Kaq besoj se mjafton Hirësi për t’ju ribërë për të 100-n herë pyetjen se “Kur do ta mbani fjalën e dhënë shqiptarëve ortodoksë, për t’i bërë meshat në gjuhën tonë?”. Shqiptarët duan dhe e meritojnë një përgjigje, zoti Janullatos.