Artur AJAZI/ “Armiqtë” e korrupsionit

509
Sigal

Sot  të gjithë  janë vetëshpallur “armiq” të korrupsionit, të gjithë rrahin gjoksin duke u mburrur se “do ta luftojnë dhe do ta zhdukin korrupsionin”. Edhe në kohët e lashta, pavarësisht se nuk njihej si term zyrtar, ky fenomen kaq negativ, ekzistonte në pallatet dhe oborret mbretërore, në principata dhe qarqe ushtarake. Por sot korrupsioni është sistemi më i sigurt, më kompakt dhe më rezistent ndaj të gjitha ndryshimeve themelore politiko-sociale. Atë do ta ndeshim si bashkudhëtar në ndryshimet dhe sistemet e vjetra dhe të reja shoqërore, duke dalë fitues mbi të gjitha betejat dhe kryqëzatat. Sot në Shqipëri korrupsionit i kanë shpallur luftë të gjithë, qytetarët e politikanët, intelektualët dhe qeveritarët, shoqëria civile dhe të gjitha sektet fetare, por ai ka ditur dhe vazhdon të mbijetojë. Të gjithë  janë vetëshpallur si “armiq” të korrupsionit, kryeministra e deputetë, ministra e presidentë, gjyqtarë e prokurorë, policë e drejtorë, biznesmenë e fermerë. Por të gjithë janë aktorë dhe faktorë të korrupsionit. Të gjithë janë viktima dhe xhelatë të korrupsionit. Të gjithë marrin dhe japin, të gjithë e joshin dhe e forcojnë sistematikisht korrupsionin. Në Shqipëri edhe para viteve ’90, ekzistonte një farë  korrupsioni, që kufizohej tek vlera të vogla monetare apo tek pulat dhe gjelat që dërgoheshin natën vonë në banesat e zyrtarëve të lartë. Por pas viteve ’90, korrupsioni nisi të ngjizej me hapa vigane, nisën rrugën e tyre mitmarrja, gjobëvënia, lufta për poste të blera me para, lufta për t’u renditur në lista deputetësh në partitë politike ku natyrisht edhe kjo bëhej me para, gara e emërimeve dhe shkarkimeve etj.. Korrupsioni u bë “shtëpia” dhe profesioni  i dytë e çdo shtetari, politikani, gjyqtari, prokurori, avokati, noteri, ministri, e drejtori, gjithçka nisej, diskutohej dhe vendosej, pasi ishte rënë në ujdi për paratë. Sot gjithkush e di se një post drejtori në rrethe shkon nga 50 deri 150 mijë euro, një vend gjyqtari apo prokurori shkon nga 100 deri 200 mijë euro, kurse posti ministrit  trefishohet. Gjithçka  për korrupsionin dhe me korrupsionin. Askund nuk mund të trokasësh dhe të kërkosh një favor në rast se ti nuk ke dijeni sa para duhet të japësh, pasi në të kundërtën të etiketojnë “budalla dhe  jashtëtokësor”. Ky realitet denigrues ka shkatërruar  institucionet, njerëzit, moralin, individin, zyrtarin, familjarin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj, sistemin shkollor dhe shëndetësor, drejtësinë dhe gjithçka tjetër në këtë vend. Nuk ka nismë dhe projekt-ligj, nuk ka platformë apo edhe parti politike, nuk ka shoqatë dhe qeveri vendore dhe qendrore, që të mos ketë si kryefjalë “luftën ndaj korrupsionit”. Por fakti është se pas  referateve dhe kumtesave, sërish ata kthehen tek korrupsioni, pasi e shohin si burimin e vetëm nga ku mund të bëhet dhe rritet  pasuria e tyre. Nuk ka gjë më qesharake tek dëgjon “armiqtë” e kollarisur  të  korrupsionit, tek  çirren  për  “luftë pa kompromis ndaj tij”. Nuk ka gjë më  të shëmtuar tek dëgjon referues e lektorë  tek flasin me orë të gjata për “sfidat e luftës ndaj korrupsionit”, kur prej vitesh janë nën hetim për mitmarrje, abuzime financiare dhe vjedhje parash nga fondet e shtetit. “Armiqtë” e korrupsionit sot në Shqipëri, janë aktorët dhe aleatët e tij më të sigurt dhe strategjikë. Janë ata që e krijuan deri në sistem, janë ata që mbajnë dhe perfeksionojnë tentakulat e tij, duke e bërë atë e keqja më e madhe e këtij  vendi