Artisti i Merituar, Limoz Dizdari për reformën e re arsimore

712
Duke biseduar me mikun tim, Artistin e Merituar, Limoz Dizdari, mes shumë diskutimeve, erdhi fjala edhe për reformën e re arsimore parauniversitare që do të nisë të aplikohet nga data 1 shkurt 2018. Pas shumë debateve dhe diskutimeve në tryezën tonë miqësore, profesor Limozi ndërhyri me takt:

” Miqtë e mi, më dëgjoni vetëm disa minuta dhe sipas dëshirës më kuptoni. Isha gjimnazist në Gjirokastër dhe kishim një mësues gjeografie që kishte mbaruar studimet në Budapest, Muharrem Bejleri ia thoshin emrin. Kish një humor të hidhur me nxënësit. Na jepte hartën dhe thoshte që do të udhëtoni për në X qytet të botës. Çfarë vapori do të merrni dhe çfarë malli do të sillni. Pasi ne shfaqnim preferencat, ai bënte pyetjet. Në këtë mënyrë na kontrollonte njohuritë gjeografike, se si do të udhëtonim deri tek qyteti ku do shkonim. Kontrollonte se sa mall do merrnim dhe a kishim njohuri për potencialin e transportit detar të vendit tonë në atë kohë dhe çfarë malli do të sillnim. Cila qe njohuria jonë e përgjithshme për industrinë përpunuese që t’i sillnim lëndën e parë. Njëherë, si klasë i thamë: “Mësues, po këto nuk i ka teksti!”. Mësuesi na i ktheu: “Po t’i kishte teksti, juve do t’ju duhej një karvan me kuaj për të sjellë librat e mësimit, ndaj mësuesi sjell karvanët e mendimit për t’u shkarkuar në hangarët tuaj të dijes.” 
kaq tha profesor Limoz Dizdari, duke na parë në sy. Duhet mësuesi ta pasurojë lëndën dhe jo alterteksti….duke lënë kështu të hapur debatin dhe dyshimin për këtë aplikacion të ri në procesin mësimor.

Agron MEMA
Sigal