Sigal

Artistët dhe personalitetet më të shquara të skenës shqiptare vazhdojnë për çdo ditë protestat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, duke kërkuar që qeveria të heqë dorë nga projektligji që do të diskutohet të enjten në parlament, për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave, siç është planifikuar nga qeveria dhe bashkia e Tiranës. Gjatë fjalës së tij në protestë, arkitekti Maks Velo ka kërkuar llogari, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga PD-ja dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Maks Velo është shprehur se në kohën e qeverisë Berisha ka ardhur një fond nga Greqia për Teatrin, por sipas tij nuk dihet ku shkoi.

“PD po të kishte dashur e kishte bërë teatrin, kushdo që vjen shan atë që ka ikur. Nuk jep asnjë llogari për ato që ka bërë vetë. Në kohën tuaj ka ardhur një fond nga Greqia për Teatrin. Ku është ai fond?. Berisha ka interes për këtë veprim, pse nuk ka reaguar asnjëherë. Dje, disa deputetë të PD-së organizuan edhe një peticion, ku u kërkuan qytetarëve, artistëve, që të nënshkruajnë dhe t’ia dërgojnë Presidentit të Shqipërisë, që të mos e firmosë ligjin e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Mirëpo, ajo që të bën përshtypje, është heshtja e deritanishme e kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe e ish-kryeministrit Berisha. Koncesionarët, që do të ndërtojnë kullat e reja janë dy, një është afër qeverisë, ndërsa ndërtuesi i dytë është i njohur si pranë PD-së. Mos vallë, janë këto interesa, që detyrojnë të heshtin deri tani kryetari i PD-së Basha dhe ish-kryeministri Berisha? Protesta e disa deputetëve të PD-së, a është thjesht një zhurmë për të kamufluar heshtjen e krerëve të PD-së, që fshihen pas interesave të biznesmenëve, që do ndërtojnë kullat në tokën publike të Teatrit Kombëtar?