Artistët: Sonte do të “pushtojmë” Teatrin. Derisa Rama të tërhiqet ne aty do të rrijmë…

611
Sigal

Artistët do të ndërmarrin sot aksione konkrete për të mos lejuar shkatërrimin e godinës së e Teatrit Kombëtar. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, organizata që ka brenda saj aktorë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë paralajmëruar sot në orën 19:00 bllokimin e godinës.

Mësohet se artistët kanë vendosur të ngrenë çadra në sheshin para Teatrit Kombëtar deri në plotësim të kërkesave të tyre. Aktorët thonë se nuk do të largohen nga sheshi derisa Qeveria dhe kryeministri Edi Rama të tërheq prishjen e teatrit, i propozuar nga mazhoranca.

Vendimi për bllokimin e Teatrit është bërë publik dje në orët e vona të mbrëmjes. Po dje artistët zhvilluan një bashkëbisedim me Kryebashkiaku Erion Veliaj për çështjen e Teatrit Kombëtar ku palët nuk ranë dakord.

Në deklaratën për shtyp, përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit shkruajnë se: “Artistëve nuk mashtrohen nga deklaratat e zyrtarëve nën nivelin e kryeministrit. Me këtë rast ne deklarojmë se takimi nuk solli asnjë rezultat konkret dhe se palët kanë pozicione diametralisht të kundërta. Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër aleancave mafioze të pushtetit me biznesin, derisa qeveria të tërhiqet përfundimisht nga ky projekt-ligj dhe t’i hapë rrugën dialogut për rindërtimin e teatrove kombëtare, dyfishimin e buxhetit të kulturës dhe miratimin e ligjeve demokratike për artin në përgjithësi dhe teatrin në veçanti”.

Artistët kundërshtojnë projektin e shpallur të qeverisë, e cila i jep tokën ku ndodhet sot teatri një kompanie private me ligj të veçantë. Kompania merr përsipër ndërtimin e një teatri të ri, por duke ndërtuar në këtë zonë edhe disa kulla banimi, biznese dhe shërbime të ndryshme. Ky projekt, sipas artistëve, përveç se shkatërron pjesën historike të  Teatrit e kthen zonën në një qendër tregtare dhe jo ambinet kulturor.

Bllokimi i Teatrit pritet të sjellë incidente dhe përplasje me autoritet shtetërore. Artistët u kanë bërë thirrje qytetarëve që sot të jenë në shesh dhe ti mbështesin. Protesta nuk do të jetë vetëm disa orë, por flitet për një tubim të organizuar. Artistët thonë se do të qëndrojnë edhe me çdo ditë për të mbrojtur godinën nga fadromat.

DEKLARATË E ALEANCËS PËR MBROJTEN E TEATRIT

“Më 14 qershor, u zhvillua një takim i organizuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me artistë teatri, për të diskutuar projekt-ligjin që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental dhe ofrimin e truallit kompanisë private Fusha shpk për ndërtimin e disa kullave për biznesin privat dhe një teatri. Në takim nuk u lejuan të marrin pjesë qytetarë, aktivistë të grupuar në Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, por vetëm artistët pjesë e këtij grupimi, anëtarë të sindikatave SASE dhe SPATK.

Artistët, në shumicë dërrmuese, përjashto drejtorët dhe kandidatët për drejtorë, u shprehën kundër shembjes së dy teatrove kombëtare dhe kërkuan me vendosmëri anullimin e projekt-ligjit dhe fillimin e diskutimit për rikonstruksionin e dy teatrove kombëtare dhe ndërtimin e një teatri të ri diku tjetër. Artistët nuk pranuan të diskutojnë përmbajtjen e projekt-ligjit, pasi e konsiderojnë atë të gabuar, jotransparent dhe të porositur nga interesa korruptive të biznesit privat.

Veliaj përdori tone më të moderuara se sa në daljet e tij të mëparshme. Nuk guxoi t’i quajë artistët “histerikë”. Madje, ndryshe nga sa deklaroi dy ditë më parë në intervistë për Oranews, u shpreh se asgjë nuk është vendosur. Gjithashtu, ndryshe nga sa deklaroi kryeministri Rama tre muaj më parë, gjatë prezantimit të projekt-idesë për teatrin e ri, sipas të cilit “ky debat 20-vjeçar tashmë ishte mbyllur”, z. Veliaj tha se sapo kishte nisur një proces konsultimi publik që do të merrte kohën e vet.

AMT dhe Sindikatat e artistëve nuk mashtrohen nga deklaratat e zyrtarëve nën nivelin e kryeministrit. Me këtë rast ne deklarojmë se takimi nuk solli asnjë rezultat konkret dhe se palët kanë pozicione diametralisht të kundërta. Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër aleancave mafioze të pushtetit me biznesin, derisa qeveria të tërhiqet përfundimisht nga ky projekt-ligj dhe t’i hapë rrugën dialogut për rindërtimin e teatrove kombëtare, dyfishimin e buxhetit të kulturës dhe miratimin e ligjeve demokratike për artin në përgjithësi dhe teatrin në veçanti.

Nesër, më 15 qershor, ne fillojmë “pushtimin” e sheshit të Teatrit dhe do të qëndrojmë aty derisa të zgjidhen kërkesat tona.

Me këtë rast falënderojmë të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur dhe i sigurojmë se këtej e tutje, artistët e teatrit do të jenë përkrah tyre në nisma civile të ngjashme, që nuk kanë lidhje me teatrin.