Artistët nuk dorëzohen, nesër marshojnë drejt Kryeministrisë

170

Artistët nuk dorëzohen, pavarësisht se Parlamenti e ka miratuar projektligjin që parashikon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ata do të ngrihen sërish në protesta.

Këtë të enjte, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka organizuar një marshim i cili do të nisë nga sheshi i Teatrit për të vazhduar drejt Kryeministrisë dhe Presidencës. Takimi i protestuesve para Teatrit do të nisë rreth orës 18:30.

Ky marshim vjen për shkak të vendimit të Parlamentit për t’i dhënë të drejtën firmës “Fusha Shpk” për të rrëzuar teatrin dhe sipas artistëve dhe opozitës për të ngritur mbi të njëjtin truall kulla të larta.

Projektligji për Teatrin kaloi me 75 vota pro por u shoqërua me shumë debate, pikërisht për shkak se Robert Bitri rezultoi të kishte votuar me kartën e Vangjel Tavos, ndërkohë që ai nuk ishte fare në Kuvend.

Dy ditë më parë artistët i kanë dërguar një letër presidentit Meta, me anë të së cilës i kërkojnë që të mos dekretojë ligjin për shembjen e Teatrit.