Artistët bashkohen kundër zhvendosjes së Teatrit

616
Sindikata e Pavarur dhe ajo e Operës e Baletit shprehin mbështetje për kolegët dhe kërkojnë transparencë. Derhemi: Po kthehet në pallat
Artistët bashkohen kundër zhvendosjes së Teatrit
Kërkesave të artistëve për refuzimin e projektit të Ministrisë së Kulturës për ndryshimet në ligjin mbi artin dhe kulturën i bashkohet edhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë. Në një deklaratë për median nga çadra e cirkut, ata shprehën gatishmërinë për t’i shkuar deri në fund luftës së tyre për kthimin mbrapsht të projektligjit. “Kemi luftuar me qeverinë e kaluar tre vjet që cirku që ishte në varësinë e Tiranës, që quhej Cirku i Tiranës, të kalonte cirk kombëtar në varësi të Ministrisë së Kulturës. Tashmë që po flasim, sipas amendamenteve dhe ndryshimeve që do i bëhen këtij ligji. Për të cilën gënjejnë dhe mashtrojnë që ky material i ka shkuar institucioneve, sindikatave, artistëve, shoqatave, komuniteteve të ndryshme siç pretendon ministria nuk është e vërtetë. Do vazhdojmë deri në fund luftën tonë që ky projektligj të kthehet mbrapsht”, shprehet Reshat Ibrahimi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Po ashtu, kryetari i Sindikatës së Artistëve së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Rudi Sata, u shpreh për refuzimin e zhvendosjes së Operës në godinën e sotme të Teatrit Kombëtar si dhe kërkoi miratimin e statusit të artistit. “Ministria duhet të bëjë transparencë të plotë në lidhje me projektin e ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Për lëvizjen e trupës artistike të teatrit të operës dhe baletit në TK, Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë refuzon kategorikisht. Teatri duhet të hyjë në fazë rikonstruksioni total, sepse gjendja fizike e godinës paraqet rrezikshmëri për jetën e artistëve. Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë refuzon këtë projektligj pa u miratuar statusi i artistit”, thotë Rudi Sata, kryetari i sindikatës së artistëve dhe punonjësve të TKOB-së.

Mundësia e ndërtimit të një kulle në vend të godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar është një ndër akuzat kryesore të artistëve ndaj Ministrisë së Kulturës. “Flet ministrja për çfarë u bë me Teatrin Kombëtar në një kohë të caktuar para 20 vitesh dhe nuk thotë se çfarë duhet të bëhet me Teatrin Kombëtar sot. Dhe kjo ministre që flet për bingot, po e kthen Teatrin Kombëtar në një pallat”, shprehet aktori Arben Derhemi.

Ndërkohë punimet vazhdojnë në Teatrin “Turbina”, ndonëse gjendja aktuale nuk premton shumë se ajo mund të jetë gati brenda prillit. Sipas projektit të Ministrisë së Kulturës, në godinën e quajtur “Turbina” duhet të zhvendoset Teatri Kombëtar, ndërsa ende nuk dihen detajet e projektit të rikonstruksionit të godinës në qendër të Tiranës. Artistët akuzojnë Ministrinë se ka në plan të ndërtojë një godinë shumëkatëshe, brenda së cilës, do të përfshihet edhe salla e Teatrit. 
Sigal