Artan Lame: Problemet për legalizimet

691
Artan Lame, drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, foli për disa nga problemet që ndeshen në marrëdhënie me hipotekat. “Për fat të keq nuk ka përmirësim dhe në raport është me shifra. Nëse në rang republike, përgjigja e statuseve është 53% për muajt e parë, për majin ka rënë në 34 %, pra, ka shkuar drejt uljes numri i përgjigjeve të statuseve. Pa hyrë tek cilësia e përgjigjes që me shifra mund të dalë që ke dhënë përgjigje, sepse ke thënë që nuk ka informacion, por praktikisht nuk ke dhënë përgjigje se termi “nuk ka informacion” nuk jep asnjë ndihmë dhe objekti mbetet prapë i bllokuar, për sa kohë thuhet “nuk ka informacion”. Kështu që, edhe ky 34% është prapë me problemin brenda, që në realitet është edhe më e ulët se kaq”, tha Lame. Sipas tij, mjafton shembulli i Kavajës, me blloqet e zonës së bregdetit.” Për shkak të kësaj ndjeshmërie që kishte zona atje me disa personalitete, kemi mbi një vit që merremi, jam marrë unë, janë marrë drejtoritë tona, është marrë Drejtoria e Kavajës, është marrë Drejtoria e Përgjithshme e ZRPP-së, është marrë Kryeministri dhe ende sot nuk është bërë rregullimi i atyre dy blloqeve. Janë dy blloqe kadastrale gjithsej. Janë ndërruar disa herë, për fat të keq, edhe drejtorët atje, por jemi në këtë situatë që nuk është bërë akoma dhe ka mbi një vit që po merremi me ato dy blloqe të Kavajës”, tha Lame. Për kreun e ALUIZNI-t, e njëjta situatë nga raportimi i fundit i maj-qershorit të këtij viti, zyra vendore e Beratit ka vonesa të mëdha në përgjigje, gjë që pengon sistemin mbrapa. “Kruja rezulton pozitive. Fieri është ndoshta e vetmja zyrë që funksion mirë, për shkak se janë ulur bashkë drejtori i ALUIZNI-t me drejtorin e ZRPP-së dhe në një farë mënyre iu ka hapur derën atyre. Hipoteka iu ka thënë, bëjini si t’i doni blloqet, se ne s’kemi kapacitetin t’i bëjmë, por kanë bashkëpunuar dhe i kanë bërë. Kavaja, siç e thashë, është tmerrësisht keq. Korça, ankohet vetë ZRPP-ja, thotë se për mungesë personeli nga ana e tyre na komunikojnë që e kanë shumë të vështirë, gati të pamundur që të kthejnë përgjigje për kërkesat tona. Lezha, jo më larg se sot (dje) më ka raportuar për tjetër çështje”, përmendi Lame disa nga degët vendore. Sipas tij, Shkodra është jashtëzakonisht keq, Kamëz-Vora rezulton se shumica e statuseve që vijnë, vijnë si përgjigje, por shumica nuk vlejnë, sepse vijnë pa informacion.
Sigal