Artan Lame: Fillon të hënën regjistrimi i banesave para 1991. Ja procedurat dhe kriteret që duhen të plotësoni

686
Sigal

Regjistrimi i banesave para 1991, Artan Lame: Aplikimi fillon të hënën, ja procedurat dhe kriteret

Në korrik 2018, Qeveria miratoi Vendimin 442: “Për regjistrimin e Banesave të ndërtuara para vitit 1991”. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave, shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të banesave të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon.  Pra, qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë patur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht. Numri i banesave që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë. Duhet theksuar se asnjëherë nuk është bërë një evidentim i plotë dhe i saktë i këtyre objekteve, ndaj si rrjedhim, shifra reale mund të jetë edhe më e lartë se ajo e mësipërme. Zbatimin e këtij vendimi dhe gjithë procedurën përkatëse, Qeveria ja ngarkoi ALUIZNI-t. Tashmë që procesi i legalizimeve ka hyrë në fazën përmbyllëse të tij, procesi i rregjistrimit të banesave para vitit 1991, është sfida e radhës e ALUIZNI-t.

Risitë kryesore të vendimit të miratuar së fundmi janë:

  1. Lehtësimi i barrës së aplikuesit, nga detyrimet dhe dokumentacioni i tepërt, (aplikuesi tanimë do të duhet të paraqesë vetëm një numër sumë të kufizuar dokumentesh pranë ALUIZNI-t);
  2. Zgjidhja e të gjithë pamundësisë së deritanishme, për të provuar periudhën e ndërtimit (para datës 10.8.1991), gjë që ka penguar finalizimin e procedurës;
  3. Kalimi i pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metra katrore, si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë.

Siç e thashë edhe më lart, vendimi u miratua që në korrik dhe këta dy muaj na shërbyen për të organizuar stafet tona dhe për të krijuar pranë secilës drejtorie rajonale të ALUIZNI-t nga një sektor që do të merret me ndjekjen dhe zbatimin e kësaj VKM-je.

Po çfarë duhet të bëjnë tani qytetarët nga ana e tyre?

Duke filluar nga e hëna, 17 shtator, të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991, do të mund të fillojnë të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar.

Ndërkohë mund të fillojnë nga grumbullimi i dokumentacionit që ata posedojnë, leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica genplane, akte shitblerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të Këshillave Popullore, apo dokumenta të tjera provuese të çdo lloji dhe kohe.

Formularët e aplikimit mund të plotësohen pranë Drejtorive Rajonale në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu ato mund të shkarkohen direkt nga faqja zyrtare dhe profili në fb i ALUIZNI-t. Meqenëse kemi të bëjmë me një problem të mbartur prej dhjetra vjetësh dhe që intereson me dhjetramijëra familje, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve për të mos krijuar situata rradhash dhe grumbullimesh pranë sporteleve tona.  Në një periudhë të parë, le të paraqiten ata qytetarë që kanë urgjenca të ndryshme, duan të shesin banesën, çështje kredish, trashëgimie, etj, si edhe ata qytetarë që e kanë filluar këtë aplikim pranë Bashkive.  Më pas le të vazhdojmë qetësisht së bashku me qytetarët e tjerë.

Në këto vite krijuam besim tek qytetarët dhe çuam drejt përfundimit kalvarin e legalizimeve. Me të njëjtin besim ju drejtohemi qytetarëve, që edhe këtë sfidë të re ta përballojmë së bashku.

Për herë të parë, shteti shqiptar filloi procesin e rregjistrimit të banesave në vitin 1995. Kjo u bë asokohe me VKM 432 dt. 14.08.1995 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”.  Ky vendim është aplikuar në atë kohë në masë minimale në disa zona rurale dhe, sikurse kuptohet nga vetë titulli, nuk e trajtonte problemin për të gjithë territorin e vendit, por ofronte një zgjidhje të pjesshme vetëm për fshatrat. Më pas, është vijuar me VKM 608 datë 05.09.2012, i cili gjithashtu nuk e ka realizuar dot qëllimin e tij gjatë këtyre gjashtë viteve. Arsyet e dështimit të këtyre dy vendimeve të kaluara, lidhen së pari me mungesën e kapaciteteve njerëzore, por në shumë raste edhe të vullnetit, apo neglizhencën e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë qenë organet e ngarkuara me kryerjen e këtyre procedurave.  Së dyti, për sa i përket VKM nr. 608/2012, shkaqet lidhen edhe me burokratizimin e tepruar të procedurës dhe mbi të gjitha me qasjen jorealiste ndaj problemit.