Arsyet pse 65% e pacientëve të spitalit të Durrësit janë nga ish-Këneta

726
Sigal

STATISTIKAT/ Kanali i ujërave të zeza është i pambuluar dhe përmbytjet që sjellin lagështi janë të përvitshme

Menjëherë sapo në qiell shfaqen retë banoret e ish-Kënetës së Durrësit hapin sytë nga qielli dhe shprehin frikë se mos nisin rrebeshet dhe ujërat si zakonisht do t’u hyjnë nëpër oborre dhe nxënësit nuk do të kenë mundësi që të shkojnë normalisht në shkolla pasi sa herë ka shira të shumta kjo situatë është më se e zakonshme për ish-Kënetën. Rrugët që vërehen me sy të lirë kanë filluar të humbasin asfaltin dhe gropat e reja kanë filluar që të jenë kërcënim për gomat e mjeteve që kalojnë nëpër to. Madje ka shumë rrugë që nuk kanë as asfalt dhe të sjellin në vëmendje rrugët e dikurshme të kooperativave bujqësore mbi të cilat kalonin çdo ditë traktorët me zinxhirë. Rreth 87 për qind e rrugëve të komunitetit janë të pashtruara, thotë një studim i vitit të shkuar. Nëpërmes zonave shfaqen kanalet e famshme të mbushura me ujëra të të gjitha llojeve duke filluar nga ujërat e bardha dhe të zeza dhe mbi to pluskojnë si për të mbuluar pamjen ngjyrat e detergjenteve të përdorura për larjet në lavatriçe. Kur ka fluks ujërash mbushen dhe pusetat e ujërave të zeza ose të gropave septike dhe atëherë mbushen kanalet. Më pas ujërat e kanaleve derdhen nëpër oborre dhe deri në banesa duke rikthyer në to edhe ujërat e zeza. Në këto kanale shihen me sy të lirë edhe tubacionet prej plastike nga ku furnizohen me ujë të pijshëm banorët. Merret me mend lehtë se si janë kushtet higjienike. Ibrahim Selmani, banor prej shumë vitesh në këtë zonë, thotë se ai nuk arrin që të kuptojë se, çfarë.

Ndotja e lartë

Turizmi promovohet në këtë zonë kur nuk ka investime serioze në rrugë, pasi sapo mbarojnë fushatat elektorale, asfalti fillon e shqyhet dhe gropat septike që në dimër mbushin oborret nga ujërat që i tejmbushin, në verë lëshojnë një arome mjaft të rëndë, e cila nga era shkon edhe drejt plazhit. Ne banojmë këtu, thotë ai, por edhe kur na vijnë miqtë e ndjejnë fëlliqësinë e shpërndarë në ajër. E ç’mund të kërkojë një turist në këtë atmosfere të ndotur që është e gjitha vetëm sëmundje, -thotë ai. Përqendrimi i ndotjeve me këtë densitet të lartë që ka në këtë zonë, zakonisht vetëm epidemi mund të shpërndajë në mes të banoreve.

Sëmundjet që sjell ndotja  

Në këtë zonë sëmundjet janë shtruar rrafsh. Për këtë mjafton që të theksohet se ndotjet mikro –biologjike me substancat e marra nga tubacionet e ujërave prej plastike dhe gome, kanë bërë që të përhapen sëmundje të shumta dhe sot rreth 65 % e të shtruarve në Spitalin Rajonal të Durrësit janë nga zonat informale. Në të njëjtën valë shpreh shqetësimin edhe një grua, Life Cakurti. Ajo thotë se situata është e rëndë sidomos për fëmijët e vegjël që rriten në këtë ambient të ndotur. Ndërkohë rendit dhe shqetësimet sociale të zonës, ku varfëria është e madhe në komunitet. Përveç të sëmurëve thotë ajo, këtu ndodhen edhe rreth 296 persona me aftësi të kufizuar. Janë 197 fëmijë jetimë. 230 fëmijë janë me prindër të divorcuar, ndërsa nëna kryefamiljare me jetimë janë rreth 185 gra. Ajo jep dhe një të dhënë interesante, ku ndërthuret varfëria me problemet sociale të tjera si analfabetizmi. Mbi 3% e banorëve janë analfabetë dhe kjo shifër ka tendencë rritjeje. Pra banorët sipas sajë janë mes varfërisë, mizerjes ekologjike që degradon sëmundje çdo ditë. Një banor tjetër shprehet se, “kur na kanë kërkuar votat bashkiakët, na premtuan male me lule, ndërsa sot kemi rrugët plot baltë, kanalet kundërmuese dhe sëmundjet që kanë arritur shifra të frikshme.