Arsimi i Lartë, Nikolla e zhgënjyer nga Nishani: Zgjodhi opozitën

525
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se ndjehet e zhënjgyer me vendimin e Kreut të Shtetit Bujar Nishani, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për Arsimin e Lartë. Përmes një deklarate, ministrja Nikolla akuzon Presidentin se zgjodhi të bëhet palë me opozitën, duke mos dëgjuar zërin e ekspertëve më të mirë të fushës.
Reagimi i ministres Lindita Nikolla
“E zhgënjyer me qëndrimin aspak mbi palët të Presidentit të Republikës dhe me shurdhërinë e tij partiake ndaj argumentimit të hollësishëm të Komisionit të Reformës së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, ku rikujtoj se bëjnë pjesë ekspertët më të spikatur shqiptarë të fushës pa dallime prirjesh e bindjesh politike. E zhgënjyer me faktin që Zoti President shpërfilli produktin profesional të një procesi gjithëpërfshirës dëgjesash e konsultimesh që si rrallë herë u shtri në më shumë se një vit, duke i dhënë mundësi e hapësirë të gjerë demokratike çdo zëri të veçantë, çdo institucioni të arsimit të lartë, çdo grupi e komuniteti pedagogësh e studentësh të interesuar për të thënë fjalën e tyre.
Por e zhgënjyer gjithashtu me faktin se Presidenti bëhet palë me pakicën politike dhe me pakicën shumë të vogël të pedagogëve që e kundërshtuan Ligjin e Arsimit të Lartë verbërisht, ndërkohë që për Presidentin mbështetja dhe përgëzimi publik që ky ligj mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit të Komisionit Evropian, si edhe nga një numër i vyer ekspertësh të shquar evropianë, nuk paska asnjë vlerë.

Megjithatë, ky qëndrim antireformist i radhës nga ana e Presidentit të Republikës, nuk e lëkund aspak, përkundrazi e përforcon bindjen dhe vullnetin e shumicës sonë për ta rivotuar Ligjin e Arsimit të Lartë sapo të çelet sesioni i ri parlamentar. Arsimi i Lartë nuk do të jetë më as bajrak i partive politike, as tokë e djegur nga disa bajraktarë që duan ta mbajnë peng atë. Koha kur konkurenca dhe merita abuzoheshin papushim në emër të një autonomie të kufizuar vetëm në kuadrin e papërgjegjshmërisë ndaj prindërve e studentëve, ka marrë fund.”
Sigal