Arrestohet vlonjati që përplasi furgonin në Kavajë, duke u thënë pasagjerëve “unë ju vras të gjithëve!”

488
Sigal

Policia e Kavajës ka vënë në pranga 48-vjeçarin, Ferdinand Rapaj, nga Vlora i cili një ditë më parë provokoi aksidentin e një furgoni me pasagjerë, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Policia sqaron se Rapaj ka qënë duke udhëtuar si pasagjer bashkë me rreth 20 persona të tjerë në një mjet tip “Volkswagen”, drejtues i së cilit ka qënë shtetasi L. B.

Po sipas bluve, shtetasi Ferdinand Rapaj ka qënë i ulur në sediljen e parë paralel me drejtuesin e mjetit, kur gjatë lëvizjes në superstradë në afërsi të fshatit Blerimaj të qytetit të Kavajës, dyshohet të ketë nisur të flasë përçart dhe ka kërcënuar pasagjerët e tjere duke ju thenë; – “Më njihni ju mua. Unë ju vras të gjithëve”.

 “Në këtë moment ka kapur timonin duke e devijuar mjetin, dhe si pasojë e kësaj mjeti është përplasur me trafikndarësen, e cila ka penguar daljen e tij jashtë rrugës që do të kishte sjellë edhe pasoja në jetë njerezore” thuhen në njoftimin e policisë.

Drejtuesi i mjetit është munduar të mbajë kontrollin e tij dhe ka arritur ta ndalojë mjetin.

Pasi mjeti ka ndaluar, shtetasi Ferdinand Rapaj ka tentuar të largohet por është mbajtur nga pasagjerët dhe më pas arrestuar nga policia.

Materialet i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë”.