Arrestohet vëllai i ministres së Arsimit, kërkohej nga FBI

531
Sigal

Arrestohet vëllai i ministres së Arsimit, ishte në kërkim nga FBI-ja

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën biznesmenin nga Kosova Imer Shahinin, vëllain e ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe njëkohësisht edhe kunati i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, shkruan Insajderi. Shahini, i cili është në kërkim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është arrestuar të martën në Fushë Kosovë nën akuzat se ka kryer mashtrime me vlerë miliona euro. Burime brenda autoriteteve shtetërore të drejtësisë kanë konfirmuar se Imer Shahini pritet të ekstradohet drejt SHBA-ve pasi është i kërkuar nga FBI-ja. Imer Shahini, është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve. Skema e mashtrimit, parashikonte që të merreshin nën kontroll fshehurazi miliona aksione të kompanisë ‘Gerova Financial Group Ltd’, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin. Plani parashikonte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit. E për t’u realizuar kjo skemë, vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia hapnin një llogari Shahinit, ‘Shahini Accounts’, ku do të kaloheshin aksionet e shitura fshehurazi në mënyrë që në ‘Gerova’ të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre. Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë ‘Gerova’ duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova-s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë. Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë ‘Dorian & Pan Illyrian Partnership’. Ortaku i tij në këtë firmë është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja, Jason Woodruff Galanis. Sipas asaj që thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, kjo kompani merret me shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrjet e naftës së papërpunuar dhe me aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës.