Arrestohet turku në Rinas dhe ish-polici në Tiranë

762
Sigal

Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona. Në pranga ka rënë një turk, 19 vjeç, pasi kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, ndërkohë që po largohej nga Rinasi me një pasaportë franceze të falsifikuar. Ai gjithashtu dyshohet se ka ndihmuar edhe persona të tjerë, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Rinasi.

“Kapet dhe arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme shtetasi turk U. S.,19 vjeç, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”. Ky shtetas ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Nga kontrolli i ushtruar në dalje në PKK Rinas, Policia Kufitare i gjeti një pasaportë franceze e dyshuar si e falsifikuar”, – thotë policia.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një ish-polic, pasi merrej me shitjen e drogës në Tiranë. Policia i gjeti edhe një pistoletë në banesë, ndërkohë që bashkëshortja e tij e ka denoncuar për dhunë.

“Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë nr 4, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit në kërkim S. O.,31 vjeç, (ish punonjës policie), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të banesës Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë me 7 fishekë. Njëkohësisht ndaj këtij shtetasi ka bërë kallëzim edhe bashkëshortja e tij për dhunë fizike dhe psikologjike sistematike ndaj saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, – thekson policia.

Janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, me akuzën e dhunës në familje dhe plagosje me dashje, e kryer në bashkëpunim.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë nr 2, arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim i ati ,të cilin ka tentuar ta godasë me mjet prerës (thikë) në banesë.

Gjithashtu nga Seksioni i Forcës Operacionale Speciale në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr 1 u kap shtetasi në kërkim A. S.,31 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje kryer në bashkëpunim”, pasi me datë 06.08.2019, ky shtetas së bashku me një shtetas tjetër dyshohet se gjatë një konflikti kanë dhunuar fizikisht dy shtetas të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme”, – thuhet në njoftimin e policisë