Arrestohet kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika

611
Sigal

VLORE – Me vendim Gjykate është arrestuar kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika. A1 Report mëson se bashkë me kryebashkiakun janë arrestuar edhe një biznesmen dhe drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë e qytetit bregdetar.

Është Prokuroria e Vlorës, e cila ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjikën, drejtoreshën e Urbanistikës Doriana Sulaj dhe biznesmenin Artur Haxhi.

Gjika dhe zyrtarja tjetër e Bashkisë akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë dhënë leje të jashtëligjshme për ndërtimin e një pallati 11 katësh.

 
Urdhri i ndalimit është firmosur nga Prokurori Ramadan Troci i cili ka kaluar në krye të prokurorisë së Vlorës vetëm pak muaj më parë, prokurori që arrestoi edhe ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.

Burime të sigurta pranë Prokurorisë së Vlorës thanë për A1 Report se biznesmeni Artur Haxhi, administrator dhe përfaqësues ligjor i shoqërisë “Turi & M.Z.B” sh.p.k ka përdorur dokumente të falsifikuara për të ndërtuar një pallat 11-katësh në qytetin e Vlorës. Me këto dokumente të falsifikuara biznesmeni Haxhi ka bërë regjistrimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë. Sipas hetimeve prej 6 muajsh që ka kryer Prokuroria e Vlorës, rezulton se pallati në fjalë është ndërtuar pjesërisht mbi një truall shtetëror, por ka përvetësuar edhe një pjesë në pronësi të personave të tjerë.
 
Po ashtu, burime nga Prokuroria e Vlorës thanë se në përmbajtjen mbledhjen e KRRT-së të Bashkisë së Vlorës më 17janar të vitit 2011, duke u nisur nga përmbajtja e protokollit të kësaj mbledhje, “nuk rezulton që të jetë marrë në shqyrtim ndonjë kërkesë për shesh ndërtimi apo për leje ndërtimi nga pronarët e truallit apo nga subjekti ndërtues, si dhe nuk rezulton që të jetë miratuar shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimi në favor të pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues”. 

Kjo nuk është herë e parë që kryebashkiaku i Vlorës përballet me drejtësinë. Në nëntor të këtij viti, pas një procesi gjyqësor i cili u zhvendos në Tiranë për të mos pasur ndikime si pasojë e funksionit të tij publik në Vlorë, Gjykata e kryeqytetit e shpalli të pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit të lejeve të ndërtimit për dy godina, njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në vendin e quajtur “Tre Rasat”, pranë Skelës.
 
Gjykatësi Arben Micko në vendim e tij për argumentoi se prokuroria nuk ka mundur të faktojë se falsifikimi është kryer nga kryebashkiaku duke vendosur gjithashtu dhe heqjen e sekuestrove ndaj dy pallateve të konsideruara si të ndërtuara pa leje nga prokuroria, e cila kërkoi shembjen e tyre. Në këtë proces, prokuroria kërkoi dënimin me 4 vjet burg për Gjikën.