Arrestohet “Beu” i Rrashbullit, pas 4 muajsh hetim

504
Sigal

Hetim 40 lejeve të ndërtimit që masakruan Shkëmbin e Kavajës

Në kryetitullin e datës 11 korrik, gazeta “Telegraf” ka denoncuar superskandalin e grabitjeve të 200 mijë metrave katrorë tokë në vijën bregdetare Durrës-Rrashbull-Ishëm-Gjiri i Lalzit, në kundërshtim me ligjin, nëpërmjet falsifikimit. Ky shkrim i ka paraprirë në këtë mënyrë edhe arrestimeve që janë bërë dje në komunën e Rrashbullit, me në krye kryetarin e saj, i cili ka betonizuar Shkëmbin e Kavajës, në kundërshtim flagrant me ligjin.

* * *

Arrestohet “Beu” i Rrashbullit. Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Krimeve të Rënda njoftuan dje se “kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi dhe pesë zyrtarë të tjerë të komunës, u arrestuan në pranga, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre në përmasa të mëdha dhe abuzime financiare”. Tre anëtarë të tjerë të KRRT-së të kësaj komune, do të hetohen në gjendje të lirë, pasi gjykata caktoi ndaj tyre vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kryetari komunës së Rrashbullit (i cili kohët e fundit thirrej nga banorët edhe si Beu i Rrashbullit) akuzohet për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve të ndërtimit në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Nga hetimi 4-mujor, ka rezultuar se janë e pakta 16 pallate që kanë betonizuar Shkëmbin e Kavajës, dhe dhjetëra leje të tjera për lokale dhe vila, për të cilat kryetari komunës Gashi dhe KRRT-ja e komanduar nga ai kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin. Bazuar në ligjin mbi Urbanistikën dhe vendimet e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë (KKRRTSH)”, në atë zonë nuk lejohet në asnjë rast ndërtime të tilla. Tashmë, dosja e Prokurorisë është mbushur me fakte të pakundërshtueshme, që akuzojnë Hysen Gashin dhe pesë personat e tjerë për korrupsion dhe abuzime financiare. Një burim nga Prokuroria e Durrësit tha për “Telegraf” se “prej 4 muajsh kemi nisur përgjimet dhe hetimet ndaj kryetarit të komunës Gashi dhe 5 anëtarëve të KRRT komunës, duke u bazuar mbi raportin e KLSH-së dhe të tjera denoncime të ardhura nga persona dhe subjekte private dhe shtetërore, por natyrisht ndihmesë të madhe ka dhënë Qarku Durrës, sipas të cilit kryetari i kësaj komune, kishte nisur dhënien e lejeve qysh para 3-4 viteve dhe vazhdonte akoma të jepte dhe abuzonte me ato duke dëmtuar rëndë vijën bregdetare dhe mjedisin”. Hetuesit kanë zbuluar se, edhe 15 praktika të tjera të lejeve të ndërtimit, janë dhënë nga Komuna Rrashbull në kundërshtim me ligjin. Një prej hetuesve të çështjes deklaroi për “Telegraf” se “hetimet tona u intensifikuan, kur ne morëm së fundit një telefonatë, e cila na njoftonte se, në Plazh, pikërisht në vendin e quajtur Shkëmbi Kavajës, në një objekt 10 kate, po ndërtohej një kat shtesë, atje ne konstatuam se, objekti ishte 10-katesh dhe po tentohej të ndërtohej një kat shtesë, pasi në të gjithë hapësirën sipër, ishte ngritur armaturë me skela dhe dërrasa”. Hetuesit mbi katin e 10-të ndërtesës kanë gjendur dhe një vinç i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit. Nga materialet që vuri në dispozicion komuna, rezultonte se ndërtimi kishte filluar në bazën e Vendimit nr.1 datë 21.03.2011, të KRRT-së pranë Komunës Rashbull-Durrës, për objektin “Godinë 8 kat (kati përdhe lokal + 7 kate banim) + Garazh” në një truall me sipërfaqe 600 m2 me koeficient shfrytëzimi 68.-8% në favor të subjektit ndërtues “E…….” sh.p.k. Por hetimet nxorën në dritë faktin se subjekti të cilit i ishte dhënë leja nuk e kishte respektuar atë, duke shtuar sipërfaqe ndërtimore. Skandali thellohej dhe më tej, pasi godina po ndërtohej në brezin e rërës në zonën e shkëmbit të Kavajës. Sipas ligjit, urbanizimi i bregdetit duhet të jetë i kufizuar vetëm për pajisje që lidhen drejtpërdrejt me të. Në një rrip me gjerësi 250-300 m nga niveli më i lartë i sipërfaqes ujore nuk lejohen ndërtime. Pos kësaj, KRT-ja e komunës ose bashkisë, nuk mund të japë leje ndërtimi në këtë zonë, pasi miratimi i studimeve urbanistike në zonat turistike bëhet nga KRRTRSH. Sipas një vendimi të KRRTSH-së së vitit 2006, është përcaktuar ndër të tjera, “Të pezullohet dhënia e lejeve të reja të ndërtimit deri në miratimin e studimit të ri urbanistik të zonës turistike Rrashbull-Golem-Karpen. Pasi janë sekuestruar materialet dhe procesverbalet e mbledhjes së KRRT së Komunës Rrashbull, hetuesit kanë konstatuar se KRRT- ja e kësaj komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore. Konkretisht, bëhej fjalë për 15 praktika për dhënie leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi për subjekte të ndryshme, për ndërtime në zonën e Shkëmbit të Kavajës, Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës-Kavajë në zonën e Shkëmbit të Kavajës. “Në 15 praktikat e sekuestruara konstatohen të njëjtat shkelje si në rastin e subjektit “E….” sh.p.k, duke dhënë leje dhe rikondicionuar kushtet e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe vendimin nr. 2 datë 21.11.2006 i KRRTRSH ‘Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar te zonës turistike Rrashbull-Golem- Karpen'”, saktësohet në dosje.

Rinasi dhe Gjiri i Lalzit

Burime për “Telegraf” bëjnë të ditur se hetimet janë në përfundim e sipër edhe për grabitjet e torojeve në zonat rreth Rinasit dhe Gjirit të Lalzit. Burime të sigurta bëjnë të ditur se pas arrestimeve të djeshme, priten arrestime të tjera për vendorë, avokatë, noterë, ndërsa flitet se janë të përfshirë në këto skandale politikanë dhe funksionarë të shtetit në nivelin vendor dhe qendror.