Sigal

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe specialistët për hetimin e korrupsionit arrestuan sot në Tiranë avokaten Donata Lepenica dhe shtetasit Yzeir Bala dhe Megi Maksi, pas akuzave mbi përpjekjet për korruptim të punonjësve të drejtësisë, raporton VOA.

Operacioni policor “Ndërmjetësi” zbatoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ku dyshohet se në këtë veprimtari kriminale u përfshinë edhe persona të tjerë.

Avokatja Lepenica dyshohet se ka marrë të holla nga klienti për të ndërhyrë në prokurorinë e Tiranës dhe për të ndryshuar rrjedhën e një çështje hetimore.

Avokatja e arrestuar dyshohet se për të lehtësuar pozitat e një klienti, që akuzohet për kultivim kanabisi, i ka ofruar rreth 2 mijë euro një prokurori.

Prokurori që u takua me avokaten është Përparim Hasa dhe aktualisht po hetohet roli i tij, nëse përmushet akuza për mitmarrje edhe për të mbas dyshimeve për korrupsion.

Pamjet e kamerave të prokurorisë janë sekuestruar nga zyrtarët e krimeve të rënda, ku gjendet çastet e dhënies së rryshfetit, ndërsa besohet se janë kapur edhe biseda telefonike mes avokates dhe personave të tjerë, ku përmendet zgjidhja e çështjes pas rryshfetit.