Arrestohen 11 persona, kush janë organizatorët e mbjelljes së kanabisit në jug

121

Policia e Gjirokastrës ka vendosur në pranga 11 persona, si të dyshuar për kultivim kanabisi në këtë qark.

Po kështu në këtë aksion 5 persona po ndiqen në gjendje të lirë ndërsa 4 te tjerë janë në kërkim.

Hetimi që zgjati 6 muaj, doli në konluzionin se financuesi i grupit është një 45 vjeçar.

Bujar Saraçi, 45 vjeç, nga Gjirokastra kishte rolin e organizuesit dhe financuesit.

Të gjithë personat e ndaluar  dyshohet se janë përgjegjës për mbjelljen e së paku 30 parcelave me kanabis në Qarkun e Gjirokastrës.

Ata kishin role të ndryshme në organizatë që varionin nga mbjellja deri te transportimi i lëndës narkotike.

Të gjithë këta persona janë identifikuar nga përgjimet e telefonave.

Ata kishin zgjedhur për kultivimin e parcelave me kanabis fshatrat Picar në Gjirokastër, Gusmar në Tepelenë si dhe disa fshatra në Përmet.

Një nga të ndaluarit është edhe shtetasi Erion Sheme, 41 vjeç, banues në Gjirokastër.

Sheme, i lindur në Këlcyrë, siguronte punëtorët dhe tokën ku kultivohej kanabisi; B.K., 34 vjeç, dhe K.K., 33 vjeç, banues në fshatin Gusmar, në Tepelenë, akuzohen për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”; Trimosh Duraj, 35 vjeç, banues në fshatin Bënçë të Tepelenës, ndihmonte për transportimin e lëndës narkotike.

Dy të arrestuarit e tjerë nga Tepelena janë shtetasit Mondi Elmazi, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës si edhe dhe Florian Tahiri nga Gusmari i Tepelenës.

Të dy këta persona kanë qenë më herët të proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Gjatë kohës kur Tahiri procedohej në gjendje të lirë, ushtronte edhe funksionin e kryeplakut të fshatit.

Gjatë kontrollit të kryer në banesat e tyre, Policia gjeti lëndë narkotike. Në banesën e Elmazit u gjet një sasi prej 3.5 kg kanabis, ndërsa në banesën e Tahirit, 750 g kanabis të thatë. Ndërsa për katër persona të tjerë, për të cilët kishte urdhër ndalimi, konkretisht për E.K., Gj.B., E.T., dhe J.S., gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa. Ata u shpallën në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tyre.

Po në kuadër të këtij operacioni janë proceduar në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” shtetasit: F.B., A.D., V.L., D.T., dhe G.E. Gjithashtu, pjesë e këtij grupi, që organizonte kultivimin e kanabisit në tri qytete të ndryshme, janë përfshirë edhe disa persona të arrestuar gjatë periudhës majnëntor. Ndërkohë, Policia bën të ditur se në lidhje me këtë operacion, mund të ketë arrestime të tjera.