Arratisje nga spitali për të vdekur në shtëpi

680
Sigal

INVESTIGIMI / Shkatërrimi i Spitalit Ushtarak dhe Onkologjik, strategji  për të vjedhur  dhe  mashtruar shqiptarët  

Grabitja e Spitalit Ushtarak është pjesë e strategjisë për të futur  këmbët dhe më vonë për ta privatizuar institucionin më të rëndësishëm dhe me sipërfaqe toke sa çereku i Tiranës. Është e pafalshme dhe e patolerueshme që babëzia e këtyre njerëzve nuk po njeh kufij. Dhe njeriu, i cili mund t’i shërbente më mirë Ministrisë së Mbrojtjes në shkatërrimin e këtij institucioni apo përdorimin e tij nga njerëz që s’kanë lidhje me humanizmin ishte Bedri Mihaj (Drejtori i Spitalit Ushtarak ). Themi njeriu më i devotshëm , pasi ai vinte nga dështimi si kandidat për deputet i Partisë Demokratike në  Fier.  Në këto kushte, ky njeri do të mbahet mënd në historinë e Shqipërisë  si njeriu kur  dha shpirt  dhe vdiq Spitali i famshëm Ushtarak i Tiranës. Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet të besuarve  të tij në dikasterin qendror dhe në bazë, hodhën  poshtë dhe sabotuan  marrjen e ndihmës që Koperacioni Italian kishte akorduar për këtë spital në kuadrin e ndihmës së vendit partner në NATO. Kjo ndihmë llogaritej në vlerën e 5 milionë eurove dhe konsistonte në  pajisjen dhe modernizimin e sallave të operacionit dhe urgjencës  me teknologjinë bashkëkohore. Gjithashtu,  kjo shumë do të shërbente edhe për futjen e pajisjeve të dializës dhe sidomos të “Rezonancës magnetike” në Spitalin Ushtarak, pasi ky është Spitali Ushtarak i vetëm ndoshta në botë që nuk ka rezonancë magnetike. Po ku ndodh në vend tjetër që spitali i traumës nuk ka rezonancë magnetike? Rezonancë ka Shkodra, ka Lushnja, ka Elbasani e shumë të tjerë që s’u hynë në punë apo nuk kanë mundësi të paguajnë mirëmbajtjen dhe nuk ka Spitali Ushtarak. Por arsye e vërtetë është se përse nuk ka rezonancë në këtë qendër është pikërisht spitali privat që është futur si “kollovar” brenda spitalit më të madh të ushtrisë shqiptare. Dhe duke mos patur rezonancë, atëherë hallexhinjtë do të përplasen tek spitali turk me emrin Amerikan?!  Dhe këta “pashallarë” që kanë zaptuar territorin e spitalit le të bëjnë një provë dhe të zaptojnë territore apo të futen spitalin e “GATES” në Ankara ( Spitali Ushtarak Turk). E dinë mirë këta zotërinj që edhe si vizitorë si fut njëri, pale t’u shkojë ndër mend për një  pëllëmbë tokë. Po këtu tek ne jepen ujërat territoriale, shitet Vermoshi apo Shën Nauni dhe ai që i shiti nga tradhtar i kombit, i ngrihet një përmendore në mes të bulevardit kombëtar, duke i hequr emrin e dëshmorëve  që ranë për lirinë e vendit që shiti Ahmet Zogu. Ylli i luftëtarëve partizanë që dhanë jetën për liri, nuk shkon në ballin e bashkëpunëtorëve të fashizmit as të atyre që sot rrinë pas Ramës, si Kurt Kola, ashtu sikurse dhe shpata që ka marrë në dorë Ahmet Zogu në monumentin e ngritur,  nuk është simbol i tij, por i heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Por këto do jenë objekt i një tjetër analize ndaj le të kthehemi tek Spitali Ushtarak dhe gjendja e mjerueshme e mjekësisë sonë.  Ndoshta shqiptarët nuk e dinë, por dializa që sot e bëjnë edhe në një ambient 1 dhomë e 1 kuzhinë nuk bëhet në Spitalin Ushtarak . Dhe e dini pse? Sepse mafia e bluzave të bardha është e lidhur me ata mafiozë me kollare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po gllabërojnë çdo ditë miliona e miliona nga djersa dhe gjaku i shqiptarëve. Po si mundet që dializa që duhej të bëhej në Spitalin Ushtarak bëhet tek privati ngjitur dhe ministria i jep për këtë shërbim nga 700 milionë deri 1 miliard çdo vit, a thua se të gjithë ushtarakët na qenkan të sëmurë me veshka (Isufisienca renale). Sigurisht që, shqiptarët dhe të gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre ndër breza do dinë ta ndëshkojnë këtë maskaradë me votën e tyre të lirë. Por nga ana tjetër edhe vetë  “NATO”  është ndjerë e tronditur kur ka parë shkatërrimin e kësaj qendre pasi Aleanca e Veriut  ka trajnuar me dhjetëra qindra mjekë dhe specialistë për ta kthyer Spitalin Ushtarak në njësi të “Rolit të 3-të”. Kjo do të thotë që, i sëmuri apo i traumatizuari të merret nga vendi i aksidentit dhe të trajtohet deri në rehabilitim të plotë. Veç kësaj, këtu do përgatiteshin edhe specialistët e “Rolit 1 dhe 2” që do shërbenin në terren dhe do jepnin ndihmën e parë. Sipas marrëveshjes në këtë  spital  duhej të operoheshin ushtarakë apo ish-ushtarakë  nga zemra apo sëmundje të tjera, por gjithçka është në letra, pasi nuk bëhen publike  dhe  implikimi i familjarëve të pushtetarëve të lartë të kësaj qeverie e ka bunkerizuar këtë qendër. Kjo është e përkohshme dhe një ditë të gjithë do japin llogari dhe do të kthejnë çdo qindarkë që kanë fituar nga gjaku i shqiptarëve dhe ish- ushtarakëve. Shtimi i organikave nga 349 në 400, heqja për motive politike dhe krahinore e specialistëve dhe zhvlerësimi i njerëzve me karrierë profesionale, lokalet e shumta me qira, parkimet dhe lavazhet, lojërat me organikat dhe kthimi i tyre nga ushtarak në civil si në rastin kur duhej të mos digjej  Drejtori aktual, si dhe investimi i milionave me qëllim që t’ia jepnin privatit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Spitali Ushtarak është maja e ajsbergut që ka mbërthyer Ministrinë e Mbrojtjes dhe mjekësinë shqiptare.

E reja braktis spitalin për të vdekur në shtëpi

Por skandalet e mjekësisë shqiptare nuk kanë të mbaruar. Bëhet fjalë  për spitalin Onkologjik, aty, ku vdekjen e pret me sy hapur. Po të kishin dëshirën e mirë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë do të merrnin mundimin dhe do të afroheshin deri tek  QSUT  “Nënë Tereza” Tiranë për të parë marrëzinë se ku e kanë katandisur qendrën më të madhe të Intelektualëve dhe humanizmit shqiptar. Sigurisht që, ata venë por venë për hallet dhe qokat e tyre pasi edhe Ministria edhe Spitali është në dorë të LSI-së. Sot edhe vetë  nëpunësit e kësaj ministrie i kanë dëgjuar barsoletat, të cilat thonë për spitalin “Nënë Tereza” me nofkën “Si në kohën  e  LSI-së dhe Elvana Hanës”. E pra, shqiptarët do mendohen mirë dhe vetëm kur të shkojnë në kutinë e votimit të kujtojnë mungesën e ilaçeve, bakshishet, urrejtjen, përbuzjen, pisllëkun dhe gjithçka  kanë ndierë në shpirtin e tyre dhe të familjarëve të vetë. Në emisionin e mëngjesit “Forum” të Shijak TV. Një zonjë e nderuar ka disa ditë që telefonon dhe ngre shqetësimin se në Spitalin Onkologjik  mungojnë  ilaçet bazë për bërjen e kimioterapisë me emërtimin “Gemta”. Sipas zonjës në fjalë, një flakon kushton 15 mijë lekë të reja dhe për një terapi duhen 6 copë, të cilat në total kushtojnë 90 mijë lekë. Në kushtet e papunësisë dhe me një asistencë prej 6 mijë lekësh nuk i blejë dot këto ilaçe ndaj po bëjmë këtë apel qytetar për shtetin, Ministrinë e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja, e cila  nuk dihet se ku i çon paratë e taksapaguesve shqiptarë. Më vjen keq,- thotë qytetarja- për një vajzë të re që kisha në dhomë, e cila doli dhe tha se po shkoj më mirë të vdes në shtëpi, sepse unë nuk kam para dhe mundësi të blejë ilaçe. Sa tronditëse aq edhe prekëse për këtë maskaradë që ndodh vetëm në mjekësinë shqiptare.  Duke vazhduar rrëfimin e saj pacientja thotë se, “unë vajta e bleva “Gemtën” tek privati, ku kishte pafundësisht. Ndërkohë që, po e bëj në spital vjen Taks-Forca dhe thotë se, ky ilaç është pa pullë dhe mos e blini më. Po mirë i them mor zotëri mua më kërkon llogari që po ble me lekët e mija  vdekjen e sigurt? Po përse nuk shkon tek farmacia e spitalit, tek ISKSH-ja, tek Ministria e Shëndetësisë dhe t’u kërkoni atyre llogari, por më kërkon mua që jam duke injektuar pikat e fundit të atyre që po më shtyjnë ditët e jetës. Duke u nisur nga ky fakt ne pamë gjendjen reale në QSUT, ku fatkeqësisht, një tjetër personi, mjekja i kishte dhënë recetën për ALMINTA, por kjo nuk gjendej në spital dhe ky i fundit ishte i detyruar ta blinte me lekë në dorë. U ngjitëm në pavijone dhe çfarë të shikoj. Një tmerr i vërtetë dhe një skandal, ku shirat e katit të fundit binin brenda në dhomë. Emërimi  jashtë çdo lloj logjike dhe kriteri në krye të QSUT-së, janë gafa më e madhe që ka bërë në çfarëdolloj rrethane Kryeministri  Berisha. Spitali me intelektualë  dhe personalitete me grada shkencore nuk mund të përdhoset nga mediokrit, shoferët dhe  kapterët  e partive. Po përse mungojnë ilaçet, kur taksapaguesit i paguajnë lekët dhe një pjesë të mirë ua  rimburson vetë qeveria?  Mjafton të themi që ISKSH ka çdo vit në dispozicion afërsisht 150 milionë euro për blerjen e medikamenteve të spitaleve dhe rimbursimin e farmacive. Ndërkohë që, Ministria e Shëndetësisë ka  në dispozicion rreth 70 milionë euro. Të dy së bashku kanë rreth 220 milionë euro në vit.  Atëherë, ku shkojnë këto para, pasi dihet fare mirë se në spitale nuk gjen dot qoftë edhe 1 shiringë, por duhet ta blesh tek privati.  Me problemet e ISKSH-së, gazeta “Telegraf” po përgatit një analizë të gjatë për 8 vitet që në krye të saj ndodhet zonja Hana dhe fondet që ka përfituar ky institucion. Gjithsesi, pacientët presin që farmacitë e spitaleve të furnizohen me ilaçe dhe këta të fundit të shtyjnë disa ditë  jete më shumë në agoninë e mjekësisë shqiptare.