Armë dhe drogë në web, mbyllen AlphaBay dhe Hansa

585
Kohë të vështira për tregun e zi online. AlphaBay dhe Hansa, dy ndër faqet më të rëndësishme të të ashtuquajturit Deep Web, janë mbyllur.
Kjo, pasi prej kohësh kishin tërhequr vëmendjen e hetuesve të agjencive ligjzbatuese, që kishin konstatuar një shit-blerje masive armësh, droge, agjentësh kimikë, viruse dhe të dhëna të vjedhura. 
Dy faqet, të njohura edhe si simotrat e Amazon për kriminelët, u mbyllën nga një task forcë e posaçme e përbërë nga FBI, DEA dhe policia gjermane për të goditur web-in e thellë, siç njihet ajo pjesë e rrjetit që nuk gjendet nga motorët e kërkimit. 
Mbi 350 mijë shkëmbime ilegale – Pas një faze të parë monitorimi, hetuesit kanë zbuluar mbi 350 mijë shkëmbime të paligjshme të kryera në AlphaBay dhe kanë arritur të identifikojnë një nga personat në krye të platformës. 
Bëhet fjalë për 26-vjeçarin kanadez Alexandre Cazes, i cili u arrestua në Tjalandë më 5 korrik dhe pak ditë më vonë u vetëvra në qelinë e tij. Falë trafiqeve të tij, i riu kishte mundur të blinte 4 makina “Lamborghini”, tre komplekse pronësore dhe kishte vënë mënjanë mbi 3 milionë dollarë. 
Drogat më të shitura, heroina dhe fentanili – Sapo kanë fshirë nga rrjeti AlphaBay, puna e hetuesve nuk është ndalur. Në pak kohë, Hansa ishte kthyer në tregun e ri të transaksioneve të paligjshme. 
Sipas EUROPOL, agjencia e BE për lufën kundër krimit ndërkombëtar, në faqen në fjalë shkëmbimet tregtare pas mbylljes së AlphaBay ishin rritur 8 herë. 
Në krye të substancave më të shitura rezultonin heroina dhe fentanili, një lloj opiumi sintetik shumë i përhapur në Azi dhe që mund të blihet përmes Bitcoin. 
Por trafiku ilegal nuk ndalet – Për EUROPOL-in, super operacioni është hapi i parë për të çmontuar tërë tregun e zi të webit të thellë dhe falë informacioneve të mbledhura janë hapur pista të reja hetimi. 
Por, nëse kjo betejë duket se është fituar, fundi i luftës kundër kësaj forme ilegaliteti është ende shumë larg. Pavarësisht mbylljes së Hansa-s dhe goditjes së fortë dhënë narkotrafikut në rrjet, hetuesit presin që në muajt e ardhshëm të shfaqen faqe alternative për të rifilluar shit-blerjen e drogave dhe armëve.
Sigal