Arkëtimet rriten me 100 milionë dollarë, nisin investimet në në të gjithë vendin

547
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në një deklaratë për mediat, bën publike të dhënat e muajit qershor 2015, ku sipas të cilave konfirmohet stabiliteti i pagesës së faturës së energjisë elektrike, ulja e humbjeve dhe fillimi i investimeve konkrete në sektor. Sipas tyre, arkëtimet këtë muaj arritën në 4.5 miliardë lekë, afro 1.2 miliardë më tepër se qershori i vitit 2014 dhe 2 miliardë më shumë se viti 2013. Në total, si 6-mujor, arkëtimet arritën në vlerën e 34.3 miliardë lekë, plot 11.4 miliardë më tepër se periudha janar-qershor 2014 (50% rritje) dhe 15.4 miliardë më shumë se 2013-a (82% rritje). Vlera 100 milionë dollarë më shumë arkëtime si 6-mujor, në raport me pjesën e parë të vitit të kaluar, sipas specialistëve të këtij dikasteri, dëshmon qartë se kompania OSHEE është e angazhuar seriozisht për të realizuar objektivat e vendosura, në bashkëpunim me qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë. Tregues tjetër pozitiv është fakti se kompania ka performuar pozitivisht në muajt maj-qershor 2015, pavarësisht periudhës zgjedhore. 
Reduktimi i humbjeve në rrjet
Nga ana tjetër, humbjet në rrjet vijojnë reduktimin, duke i dhënë kompanisë OSHEE, por edhe buxhetit të shtetit, frymëmarrjen e munguar gjithë këto vite. Në qershor, humbjet zbritën në nivelin 28.6%, kur dy vjet më parë ishin mbi 40%. Humbjet në total si 6-mujor, teknikët dhe jo teknikët, arritën në 32.3%, nga 40.3% që ishin në 2014-n, dhe 45.3% të regjistruara në 6-mujorin e parë 2013. Reduktimi i humbjeve, si pasojë e mirëmanaxhimit të sektorit dhe luftës së pandalshme ndaj vjedhjes së energjisë, i kanë sjellë kompanisë të tjera tregues pozitivë, si në rastin konkret tek importet. Si rrjedhojë e uljes së sasisë dhe reduktimit të çmimit për njësi të energjisë së blerë për periudhën janar – korrik 2015, janë kursyer rreth 44.8 milionë Euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Kursimi prej 44.8 milionë në krahasim me vitin 2014 është rrjedhojë:
– 29.7 milionë Euro, prej uljes së humbjeve në rrjet;
– 8.1 milionë Euro, si rrjedhojë e blerjes së energjisë nga importi me çmim më të ulët;
– 7 milionë Euro, si rrjedhojë e aplikimit të marrëveshjes ndërmjet OSHEE dhe KESH sh.a.

Në lidhje me aksionet, sipas specialistëve të OSHEE, ato vijojnë normalisht, pasi deri më tani, janë kryer 518,168 kontrolle (rreth 100 mijë të përbashkëta me Policinë e Shtetit), nga të cilat, energjia elektrike është ndërprerë në 272,267 raste. Në vijim të rezultateve pozitive, sikurse kishte planifikuar, OSHEE ka intensifikuar procesin e investimeve në të gjithë vendin, nga ku parashikohen të shpenzohen për vitin 2015 rreth 5.4 miliardë lekë për ndërtim dhe rikonstruksion n/stacionesh, vendosjen e linjave dhe kabinave të reja, rrjet shpërndarës cilësor me kabllo ABC, etj. 
Sigal