Arjan Zadrima: Pasiguria e Tregut të ngrohjes

608
Sigal

Nga 138  mijë bombola gazi që janë në qarkullim e
përdorim, vetëm afro 4 mijë janë të kolauduara dhe të sigurta

 

Kanë
nisur shpërthimet e bombolave të gazit, qeveria jep vetëm këshilla

 

Përditë
njoftohen raste me pasojë viktima e shkatërrim banesash, zyrtarët e kontrollit
recitojnë me “FB”, citatin “Kujdes”
nga
zyrat e ngrohta

 

Arjan Zadrima:

 

Acari që ka mbërthyer vendin, ka diktuar përdorimin
e bombolave të gazit për ngrohje. Familjet në varfëri, ato me pensione pleqërie
e invaliditeti, me ndihmë ekonomike e të papuna, të cilat nuk përballojnë dot
ngrohjen as me kondicionerë, as me kaloriferë e rezistenca “teli elektrike dhe
as me dru zjarri, për shkak të çmimit të lartë të tyre, kur kushton sa gjysmë
pensioni mujor vetëm 1 metër kub, kanë gjetur “ngrohtësi” tek bombolat e gazit.
Mirëpo këto u rrezikojnë jetën, për shkak të gjendjes fizike e teknike të tyre,
që shiten e mbushen në treg! Pa harruar faktin, që bombolat mbushen e tregtohen
në rrugë nga persona jo specialistë e të paspecializuar për këtë lloj tregu. Çfarë
ndodh? Shitësi i bukës, i miellit, i vajit, i çimentos, i hekurit, i tekstileve
e deri tek kioskat e pijeve dhe kafeve, mbushin e shesin bombola gazi të pa
kolauduara, të pa kontrolluara nga shërbim i inspektimit teknik industrial e, për
më tepër, të pa certifikuara prej tyre për të qenë në përdorim e në treg!

 

 

Pas shpërthimit në Tiranë, institucionet dhe
shërbimet shtetërore që merren me sigurinë e tregut të gazit, pranuan që ky
treg është krejt jashtë kontr4llit edhe si licencim, edhe si kontroll edhe si
siguri e bombolave dhe qendrave të gazit. Veçanërisht në 15 vitet e fundit,
vazhdon një treg i tillë i këtij produkti të rrezikshëm: kush dëshiron të shes
gaz, del e shet pa licencë, pa certifikim, pa kolaudim bombolash, pa kontroll
cilësie e përmbajtje të gazit. Mjafton të ketë një aparat mbushjeje, të ketë disa
bombola që i gjen të shiten edhe tek pikat e grumbullimit të skrapit dhe del e
shet në rrugë, në pallat e deri në dyqane buke e perimesh. Askush nuk i thotë
asgjë, ose ata që kanë detyrë t’a ndalojnë, në shkëmbim të zbatimit të ligjit
dhe kryerjes së detyrës, marrin ndonjë “dorë lekë”, plotësojnë “letrat në
rregull” dhe heshtin e ikin tek shitësi tjetër për të mbushur xhepin në mënyrë
të kundërligjshme! Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e në cdo zonë të
Shqipërisë, ku vepron tregu ilegal dhe banditesk e “kamikaz” i bombolave të
gazit, ka probleme të shumta të pasigurisë për pajisjet dhe impiantet që
shërbejnë për depozitimin, ambalazhimin dhe tregtimin e gazit të lëngshëm
(GLN). Fill pas prag-tragjedisë së ndodhur në Tiranë, shteti u hodh në veprim.
Kanë nisur kontrolle nëpër lokale, nëpër pika karburantesh, nëpër dyqane e
bodrume ku shitet gaz. Por ashtu si përherë, ky “alarm” e premtim publik për të
vendosur kontrollin dhe zbatimin e ligjit mbi tregun e gazit, do të jetë vetëm
një aksion kalimtar, siç ka ndodhur përherë, sa për të mbushur evidencat
zyrtare, mbasi sipas investigimit të gazetës “Telegraf”, këtë treg e
kontrollojnë si biznes shtetarët. Skandali, ose “burim krimi” i lejuar prej
shtetit është ky: Tregu shqiptar i gazit, 
në 95% të aktivitetit të tij është krejt i pa sigurt dhe jashtë çdo
standardi cilësor, madje edhe jashtë kontrollit tatimor, si një bazë gjigande e
evazionit fiskal, prej të cilit arka e shtetit humbet 350 milionë euro në vit!
Praktika aktuale e tregtimit të bombolave të gazit në Shqipëri është pothuajse
krejt jashtë kontrollit teknik. Bombolat e gazit mbushen, transportohen, shiten
e përdoren në rrugë, në dyqane, në oborre pallatesh, në kafene, pranë
shkollave, çerdheve, kopshteve, spitaleve, stacioneve të autobusëve, në parqe,
plazhe e kudo ku u vjen për mbarë atyre që tregtojnë. Madje edhe në karroca
dore, karroceri makinash e bagazhe veturash, tamam siç shitet qumështi prej
fshatarëve. Ky realitet është në krejt qendrat e banuara të vendit. Bombola
shiten kudo në dyqane buke, në kinkaleri, në mobilieri, në njësi e magazina
ushqimesh, perimesh, veshjesh, në oborre shkollash, në tezga rruge e kudo.
Alarmi është ky: Nga 138 mijë bombola gazi që janë në qarkullim e përdorim,
vetëm afro 4 mijë janë të kolauduara dhe të sigurta
. Natyrisht që synohet
të fitohet duke mos zbatuar rregullat dhe ligjet, kushtet e tregut, por kur kjo
ndodh në tregun e gazit që përdoret edhe në lokale, edhe në shkolla, çerdhe e
kopshte fëmijësh e në mënyrë masive edhe në familje, kemi të bëjmë me një krim
të paramenduar! Ky treg i pa kontrolluar dhe i pa sigurt që në fakt është një
treg kriminal, kriminal ka shkaktuar viktima në njerëz dhe shkatërrime banesash
prej shpërthimeve të bombolave të pasigurta në Shkodër, Tiranë, Fier, Elbasan,
Berat, Korçë, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Peshkopi, Vlorë etj. Menaxherë dhe
tregtarë të gazit në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Pogradec, Lezhë, Shkodër,
Fier e Vlorë, i deklaruan dje gazetës “Telegraf”, se  tregu i gazit dhe për më tepër nëpërmjet
bombolave të gazit është totalisht i pakontrolluara e të pa kolaudura për
rrjedhojë janë të pasigurta për përdorim. Konkretisht, sipas të dhënave, vetëm
në tregun e Tiranës nga  afro 70 mijë bombola gazi që qarkullojnë, vetëm
400 prej tyre janë të kolauduara e të sigurta për përdorim, mbasi u ka kaluar
afati teknik i sigurisë prej 5-10 vite garanci. Por ato vazhdojnë të jenë në
treg e në përdorim.  Sipas evidencës që disponon MKZ dhe policia e
shtetit, bilanci i tregtimit dhe përdorimit të bombolave të pa sigurta,
regjistron 162 raste shpërthime me 18 viktima dhe 34 gjymtime gjatë vitit 2012

 

Statistikë, nga tregu “vrasës” i bombolave të pa sigurta
të gazit

 

Në Shqipëri, janë 890 “kamikazë” që shesin
bombola gazi vrasëse

Në Tiranë, ushtrojnë aktivitet 1130 distributorë gazi

Në Tiranë, janë në përdorim 134 mijë bombola gazi në
gjendje teknike e fizike “skrap”

Në Tiranë 49 mijë biznese përdorin gaz të blerë rrugëve,
me bombola gazi të pa kolauduara

Në Shqipëri karburante shesin gaz familjarë, u ndalohet
me ligj

Në Tiranë 151 kopshte e shkolla punojnë me gaz, ndaluar
me ligj

Në 20 vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 7254
shpërthime bombolash gazi në familje, 1871 shpërthime bombolash gazi në biznese
private dhe 111 shpërthime zjarri në distributorë e pika shitjeje shumice e pakice,
me pasojë 562 viktima dhe gjymtime njerëzish