Arjan Jaupllari:“Shteti ia fut pacientëve TVSH-në e ilaçeve të rimbursuara”

647
Sigal

Intervistë/Arjan Jaupllari, kreu i “Urdhrit të Farmacistëve”: Përgjegjësia është e QKKB-së, nëse në farmaci ka produkte të falsifikuara

Jo shumë kohë më parë, gazeta “Telegraf” denoncoi futjen në tregun farmaceutik të produkteve kozmetike të falsifikuara. Kontrolli i farmacive është përgjegjësi e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, prandaj nuk përjashtohet nga përgjegjësia nëse në farmaci gjenden produkte të tjera që janë të falsifikuara, qofshin këto barna, ushqime, suplemente, vitaminave apo produkteve kozmetike. Këtë e konfirmoi në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Arjan Jaupllari, kreu i “Urdhrit të Farmacistëve”. Në këtë intervistë, Jaupllari shkon më tej, duke thënë se tregu ynë farmaceutik nuk është imun ndaj barnave të falsifikuara dhe si të tillë na tregon rastin e viagrës. Përsa i përket rritjes së çmimeve të barnave, Jaupllari tregon se “rritja e çmimit të barit për disa barna që janë dhe alternativë e vetme në listën e rimbursimit, ka shkuar deri në masën 300%”.  Ndërkohë që sipas Jaupllarit, shteti ia fut pacientëve TVSH-në e ilaçeve të rimbursuara, edhe pse thuhet që për barnat që rimbursohen, këtë taksë e paguan shteti.

Në tregun tonë farmaceutik shpesh janë bllokuar produkte kozmetike të falsifikuara. Jo shumë kohë më parë, kreu i QKKB-së, Shahini, u shpreh se nuk është detyrë e këtij institucioni, kontrolli i produkteve kozmetike. Nëse nuk mban përgjegjësi QKB-ja për artikujt që shiten në farmaci, atëherë kush është përgjegjës?

Problemi i falsifikimit të barnave, ushqimeve, suplementeve, vitaminave apo produkteve kozmetike është një problem mbarëbotëror. Ky fenomen në radhë të parë, është përgjegjësi e të gjitha qeverive në gjithë botën të cilat kanë përgjegjësi të mbrojnë shëndetin e shtetasve të tyre. Së dyti, është përgjegjësi e strukturave përgjegjëse të specializuara në të gjithë vendin, Së treti, kontrolli i farmacive është përgjegjësi e QKKB-së, prandaj nuk përjashtohet nga përgjegjësia nëse në farmaci gjenden produkte të tjera që janë të falsifikuara, Së katërti, sensibilizimi për t’u mbrojtur nga produktet e falsifikuara është detyrim i të gjithëve, kurse vigjilenca profesionale është detyrimi i strukturave të specializuara dhe farmacistëve. Së pesti, hartimi i një legjislacioni bashkëkohor për produktet e falsifikuara, përgatitja e eksperteve dhe kapaciteteve teknike për zbulimin e produkteve të falsifikuara.

Ndërsa është e vërtetuar hyrja e produkteve kozmetike të falsifikuara në tregun farmaceutik, po me barnat a janë zbuluar abuzime të tilla, pra ka falsifikime barnash në tregun tonë farmaceutik dhe nëse ka, nga mësohet të vijnë dhe si hyjnë në farmacitë tona?

Ky rasti i fundit është një e vërtetë e pamohueshme për produkte të falsifikuara. Në fakt ky është rast i përsëritur për falsifikim të produkteve të kompanisë Avene, e cila ka vene në dijeni të gjitha strukturat shtetërore dhe Urdhrin e Farmacistëve. Përsa i përket barnave të falsifikuara, ky është një problem akoma më i rëndë, i cili fillon me sanksionimin në ligj të shprehjes “BARNA TË FALSIFIKUARA” dhe sanksionet që duhet të merren ndaj falsifikatorëve. Barnat e falsifikuara sot janë problem në Amerikë dhe statistikat flasin për shifra mbi 10%, kurse në Europë shkon deri në 20%, bazuar mbi këto fakte ne nuk jemi të mbrojtur nga ky fenomen, kur teknologjia e zbulimit dhe burimet njerëzore të specializuara në këto vende janë në nivelin sipëror. Përsa i përket hedhjes së tyre në tregun vendas, rrugët janë të shumta, të cilat fillojnë që nga çantat e matrapazëve e deri te rruga ligjore e importimit nga importues të licensuar, të cilët e dinë se barnat që importojnë janë të sigurta. Kur falsifikatorët arrijnë të falsifikojnë barnat e kompanisë më të madhe në Amerikë Fajzer, sikundër është dhe Viagra që qarkullon në tregun shqiptar, atëherë, çfarë do mendonim sot për barnat e tjera.

Si e komentoni rritjen e çmimeve për barnat dhe a kemi një përqindje  të masës që janë rritur ato?

Çmimet e barnave që nga viti 2005 deri në vitin 2012, kanë pësuar vetëm rritje. Në vitin 2013 për disa barna ka pasur një ulje të dukshme që me duket shumë abuzive me çmimin e tyre, gjë e cila vë në dyshim dhe cilësinë e barit. Rritja e çmimit të barit për disa barna që janë dhe alternativë e vetme në listën e rimbursimit, ka shkuar deri në masën 300%. Efekti i TVSH-së, 10 % e ka rritur çmimin e barit në masë të konsiderueshme. Efekt në rritjen e çmimit të barnave, do kishte pasur dhe pulla e re e barnave, e cila u trumbetua si arritje, por në fakt rezultoi e dështuar duke vërtetuar atë që ne e kundërshtuam që në fillim, për shkak se kjo pullë nuk sillte asgjë të re, por vetëm rritje  të çmimit të barnave. Sot edhe MSH është kundër saj, ashtu si dhe të gjithë aktorët e Sistemit Farmaceutik. Përsa i përket uljes së dukshme të çmimit të barnave, fenomen i vënë re edhe në fillim të  vitit 2013, mendoj se ky fenomen duhet parë po me të njëjtin shqetësim si dhe rritja e dukshme e çmimit të barnave. Po ju sjell vetëm një shembull: Për barin Enap 20 mg, çmimi i të cilit është ulur nga 600 lekë që ishte kutia me 20 tableta në 250 lekë, kurse po ky bar i të njëjtit prodhues Enap 10 mg kutia me 20 tableta kushton po 400 lekë pa ndryshuar. Atëherë çfarë ka ndodhur? MSH e cila është përgjegjëse për politikat e çmimeve të barnave, duhet ta shikojë këtë fenomen me shqetësimin më të madh dhe duhet të paralajmërojë kompaninë prodhuese për këtë lojë të pistë me çmimin, ndërkohë që duhet të kontrollojë në mënyrë rigoroze si cilësinë ashtu dhe efikasitetin e barit. Ulje të tilla abuzive duhet të jenë precedent dhe duhen parashikuar në legjislacionin farmaceutik si abuzime që ndëshkohen. Kurse në detyrimet kontraktuale me ISKSH-në, duhen parashikuar si zhdëmtim, si pasojë e mashtrimit për vitet që ka shitur këtë bar më çmim të lartë.

TVSH-ja një barrë ,në të gjitha shërbimet shëndetësore

Përsa i përket domosdoshmërisë së TVSH-së për barnat, si detyrim ndaj xhepit të qytetarit, kjo lidhet më politikat qeveritare të çdo vendi. Ka vende që kanë TVSH për barin, ka vende të tjera që nuk kanë. Ka vende që e kanë pasur dhe e kanë hequr atë, siç ka vende të tjera që e kanë ulur masën e TVSH-së. Përsa i përket argumentit të qeverisë shqiptare, se vendosja e TVSH-së është bërë  për të shmangur abuzimet fiskale, ky argument nuk qëndron, sepse nëse do të kishim vetëm këtë pretendim “për të shmangur abuzivitetin”, do të mjaftonte që masa e TVSH-së, të ishte vetëm 1%. Pra TVSH 10%, nuk është domosdoshmëri, por vetëm një detyrim ndaj pacientit. Ajo është një taksë vetëm për sëmundjen(TVS= Taksë Vetëm për Sëmundjen) sepse për sa kohë që nuk je i sëmurë,  nuk përballesh me të. Në momentin që sëmuresh edhe shkon në farmaci për të blerë barna, paguan edhe 10 % më shumë. Ajo që është më e çuditshme konsiston në faktin që kjo taksë është shtuar mbi të gjitha shërbimet shëndetësore dhe analizat laboratorike dhe imazherike që kryen një i sëmurë. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta, që në këtë moment të vështirë i sëmuri të ndihmohej dhe subvencionohej për hallin që e ka zënë, ai, përballet me këtë taksë. Edhe pse thuhet që për barnat që rimbursohen, këtë taksë e paguan shteti, duket sikur “shteti ia fut shtetit”, por në fakt ai ia ka “futur” pacientëve, sepse nga 84 milion dollarë që kushton lista e barnave të rimbursuara, 8.4 milion dollar shkojnë për kompensimin e TVSH-së, çka do të thotë që pacientët përfitojnë 75.6 milion dollarë.