Argita Malltezi: “Të drejtat e grave në shoqëritë tregtare që janë pjesë e bashkësisë ligjore”

1389
Sigal

Libër për të drejtat pasurore të grave në martesë

Kolanës së librave mbi të drejtat e grave i është shtuar një titull i ri i Fakultetit të Drejtësisë, UT, i përgatitur nga Argita Malltezi, Jonida Rystemaj dhe Armela Kromiçi. Këtë herë mbi të drejtat e bashkëshortes në shoqëritë tregtare që janë pasuri e përbashkët, e krijuar gjatë martesës, ndonëse janë regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit. Kodi shqiptar i familjes përcakton se regjimi pasuror i bashkësisë ligjore përfshin veprimtarinë tregtare të krijuar gjatë martesës dhe të ardhurat prej saj, por u deshën më shumë se dy dekada pas rivendosjes së ekonomisë së tregut në Shqipëri dhe fillimit të aktivitetit të shoqërive tregtare, përpara se në gjykatë të paraqiteshin paditë e para që pretendonin bashkë-pronësinë e të dy bashkëshortëve mbi subjektet tregtare të krijuara gjatë martesës. Zhvillimi i doktrinës dhe jurisprudencës është ende në hapat e para për sa i përket kësaj sfere. A janë subjektet tregtare të krijuara pas martesës në bashkëpronësi të bashkëshortëve, pavarësisht se në emër të cilit prej tyre janë regjistruar? A rrezikon pavlefshmëri absolute apo pavlefshmëri relative tjetërsimi i subjektit tregtar pa pëlqimin e bashkëshortes? Botimi me titull “Të drejtat e grave në shoqëritë tregtare që janë pjesë e bashkësisë ligjore”, përmban prezantimeve në dy workshop-et e organizuara mbi këtë temë nga pedagogë të FDUT dhe ekspertë të huaj, figura të njohura të botës akademike dhe praktikës, duke synuar t’u japë përgjigje këtyre problemeve dhe shumë të tjerave nën këndvështrimin e legjislacionit shqiptar dhe disa legjislacioneve të huaja të ngjashme me të. Libri do të shpërndahet falas ne bibliotekat e fakulteteve të drejtësisë në vend dhe tek grupet e tjera të interesit.

Argita Malltezi, Jonida Rystemaj, Armela Kromiçi

Kodi shqiptar i familjes përcakton se nëse regjimi pasuror martesor nuk rregullohet mbi bazën e një kontrate martesore, regjimi i bashkësisë ligjore merr përparësi. Ky regjim bazohet në prezumimin e kontributit të barabartë dhe të përbashkët të të dy bashkëshortëve gjatë martesës, duke iu dhënë kështu atyre të drejta të barabarta për pasuritë që krijohen gjatë martesës, përveç rasteve kur pasuritë janë fituar përmes dhurimit, trashëgimisë ose të ardhurave të tjera të ngjashme vetjake, siç renditen në ligj. Regjimi i bashkësisë ligjore krijon prezumim në favor të bashkësisë dhe e kalon barrën e provës tek bashkëshorti që pretendon se një pronë nuk është pjesë e bashkësisë ligjore.

Sipas kodit të familjes shqiptar, bashkësia përbëhet nga disa kategori pasurish (nenet 74, 75 të kodit):

Pasuria e fituar nga bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;

Të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, të cilat nuk janë konsumuar në kohën e zgjidhjes së martesës;

iii. Frytet e pasurisë së çdo bashkëshorti, të cilat janë fituar dhe nuk janë konsumuar në kohën e zgjidhjes së martesës;

iiii. Veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës.

Në rastin e një veprimtarie tregtare që i përkiste vetëm njërit nga bashkëshortët para martesës, por gjatë martesës drejtohet nga të dy bashkëshortët, bashkësia përfshin vetëm fitimet dhe shtimin e prodhimit;

Pasuria e krijuar gjatë martesës, e caktuar për administrimin e veprimtarisë tregtare të njërit prej bashkëshortëve dhe shtesat e prodhimit të saj, vetëm nëse ekzistojnë si të tilla në çastin e mbarimit të martesës.

Doktrina shqiptare i klasifikon këto lloje të pasurisë së bashkësisë ligjore, në bashkësinë eventuale (ose de residuo) dhe në bashkësinë aktuale. Bashkësia eventuale përfshin pasuritë që i përkasin bashkësisë, të cilat mund të kërkohen nga secili bashkëshort vetëm nëse nuk janë konsumuar në momentin e mbarimit të bashkësisë (ii, iii, vi, më sipër). Bashkësia aktuale përbëhet nga asetet që konsiderohen në pronësi të përbashkët të bashkëshortëve dhe të cilat ata mund t’i pretendojnë menjëherë (sipas i, iv, v, më sipër). Ky regjim pa dyshim shtrihet edhe në pronësinë e shoqërive tregtare, veprimtarive tregtare dhe të ardhurave përkatëse, por për arsye të ndryshme, garancitë e ofruara nga parimet e kontributeve të barabarta dhe regjimit të bashkësisë ligjore u reflektuan pas një vonese shumë të gjatë në raport me të drejtat e bashkëshortëve në shoqëritë tregtare të krijuara gjatë martesës. U deshën më shumë se dy dekada pas rivendosjes së ekonomisë së tregut në vitin 1990, përpara se pretendimet e para të kësaj natyre të paraqiten para gjykatave në Shqipëri. Ky hezitim i dedikohet ndoshta faktit se ligji i shoqërive tregtare u ri-prezantua në vitin 1992, pas pothuajse 50 vitesh ndalimi të pronës private dhe kuptimi i drejtë i nocioneve të tij përbënte sfidë për juristët dhe grupet e interesit. Pengesë tjetër është bërë fakti se vitet e tranzicionit, pas rënies së komunizmit dhe rivendosjes së ekonomisë së tregut, u karakterizuan nga informaliteti, i cili kontribuoi në dëmtimin e zbatimit të të drejtave të bashkëshortes/it jo-titullar në një shoqëri tregtare që ishte pjesë e regjimit të bashkësisë ligjore, por që administrohej nga bashkëshorti tjetër. Pa informacion të certifikuar mbi asetet e shoqërisë dhe situatën financiare, zbatimi i të drejtave pronësore në rast të divorcit, ishte jo vetëm i pamundur, por nganjëherë edhe i kundër-indikuar. Konsolidimi gradual i sundimit të ligjit dhe forcimi i praktikave të mira të qeverisjes së shoqërive tregtare, kontribuan gjithnjë e më shumë në rritjen e mundësive për ngritjen me sukses të pretendimeve pronësore mbi shoqëritë tregtare pas divorcit. Megjithatë, doktrina dhe jurisprudenca shqiptare, të cilat janë konsoliduar dukshëm gjatë dekadave në fushën e marrëdhënieve familjare dhe civile, nuk reflekton këtë dinamizëm në fushën e ndërthurur të të drejtave që rrjedhin nga shoqëritë tregtare që janë pjesë e regjimit pasuror të bashkësisë ligjore. Kjo dëshmohet nga numri shumë i vogël i çështjeve gjyqësore që lidhen me këto lloj pretendimesh, si dhe mungesa e doktrinës në këtë aspekt. Në këtë sfond dhe me mbështetjen e Departamentit Civil të Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, u konceptua projekti “Të drejtat e grave në lidhje me aktivitetin tregtar që është pjesë e regjimit të bashkësisë ligjore”.

Regjimi i bashkësisë ligjore

Është e rëndësishme të theksojmë që në fillim se regjimi i bashkësisë ligjore zbatohet në mënyrë të barabartë për të dy bashkëshortët, kështu që fokusimi tek të drejtat e grave, që mbart titulli i këtij projekti, sigurisht që përbën një anësim. Titulli i saktë do të ishte të drejtat e bashkëshortëve ose mbrojtja e bashkëshortit më të dobët në lidhje me të drejtat që gjeneron kjo fushe e ligjit. Megjithatë, zgjedhja është e qëllimshme, pasi reflekton me vërtetësi realitetin shqiptar. Të gjitha vendimet e gjykatave shqiptare, të cilat janë shqyrtuar për këtë projekt, i referohen vetëm padive të paraqitura nga gratë që pretendojnë shkelje të të drejtave të tyre pronësore në lidhje me shoqëritë që janë pjesë e bashkësisë ligjore. Ndaj sqarojmë se të gjitha interpretimet dhe të drejtat që lindin nga regjimi i bashkësisë ligjore sipas kodit të familjes shqiptar zbatohen pa dallim ndaj secilit bashkëshort. Çështjet e trajtuara në këtë botim dhe i gjithë projekti, gjejnë zbatim të njëjtë edhe në rastin e kundërt: kur është bashkëshorti ai që përfiton nga regjimi i bashkësisë ligjore që shtrihet mbi një shoqëri tregtare në të cilën bashkëshortja e tij është ortake ose aksionare. Projekti ka për qëllim nxitjen e debatit doktrinar, i cili shpresojmë se do t’i japë përgjigje disa prej çështjeve aktuale dhe më të të ngutshme që janë shtruar nga jurisprudenca, si dhe do të shtrojë rrugën për konsolidimin në të ardhmen të interpretimit doktrinar dhe jurisprudencial të të drejtave të bashkëshortëve në këtë fushë ndër-disiplinore të së drejtës.

Hulumtime në jurisprudencën shqiptare

Faza fillestare e projektit u fokusua në kryerjen e hulumtimeve në jurisprudencën shqiptare për të dëshmuar numrin relativisht të kufizuar të padive në këtë fushë, por gjithashtu për të dokumentuar qasjen dhe problemet juridike të ngritura nga gjykatat e shkallëve të ndryshme. Grupi i punës mblodhi dhe analizoi të gjitha rastet e kësaj natyre, më të hershmet e të cilave datonin në vitin 2011. Vendimet, të cilat janë dhënë gjatë periudhës 2011-2017, u takojnë Gjykatës së Rrethit dhe saj të Apelit në Tiranë, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Nga ky proces u bë e qartë se kuptimi dhe zbatimi i të drejtave të regjimit të bashkësisë ligjore në veprimtarinë tregtare nuk është shumë gjithëpërfshirës. Disa nga problemet kanë të bëjnë me kuptimin e saktë të formave të veprimtarisë tregtare që bien nën regjimin e bashkësisë ligjore, llojet e ndryshme të regjimit të bashkësisë ligjore që mund të aplikohen për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë me përgjegjësi të pakufizuar, llojin e pavlefshmërisë që penalizon transferimin pa pëlqimin e bashkëshortit të kuotave ose aksioneve të shoqërive që janë pjesë e bashkësisë. Vlen të vihet në dukje se mbi këto çështje edhe doktrina është e heshtur. Gjykatat kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në shumicën e këtyre çështjeve, gjë që shtron nevojën për një interpretim të drejtë doktrinor të regjimeve të ndërlidhura të drejtës së shoqërive tregtare dhe të drejtës familjare, si dhe për unifikimin e jurisprudencës përkatëse. Bazuar në problemet e evidentuara, grupi i punës organizoi dy workshop-e gjatë vitit 2018, me kontributin e juristëve shqiptarë dhe të huaj – ekspertë të së drejtës familjare dhe asaj të shoqërive tregtare. Kontribuesit janë profesorë, gjyqtarë dhe prokurorë të së drejtës shqiptare, si dhe të ftuar të huaj, profesorë të shquar dhe avokatë, ekspertë të fushës nga Italia, Gjermania, Bosnjë-Hercegovina, Portugalia, Britania e Madhe dhe Austria. Profesorët dhe magjistratët shqiptarë ofruan analiza të thelluara duke e eksploruar temën e projektit nga këndvështrime të ndryshme ligjore, gjë e cila kemi kënaqësinë të themi se e zgjeroi objektin përtej hapësirës fillestare të piketar nga grupi i punës. Kontributet e ekspertëve të huaj kanë qenë të një rëndësie të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh ngjashmëritë që ligjet e vendeve të tyre përkatëse ndajnë me ligjin dhe doktrinën shqiptare. Ata ofruan prezantime shumë interesante në një qasje krahasuese, duke paraqitur zhvillime të rëndësishme doktrinore dhe jurisprudenciale në vendet evropiane, me të cilat sistemi juridik shqiptar ndan ngjashmëri për shkak të afërsisë rajonale dhe/ose të përdorimit si model të së drejtës së tyre familjare, civile apo të shoqërive tregtare.

Kontributi i botimit

Ky publikim përmban shumicën e prezantimeve të bëra në këto dy workshop-e. Grupi i punës i projektit dhe redaktorët e këtij publikimi janë shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dy workshop-et dhe për kontributin e tyre të shkëlqyer në këtë libër. Ne besojmë se ky punim trajton shumicën e problemeve që janë zbuluar nga faza fillestare e projektit, nën një optikë krahasuese, por gjithashtu adreson disa çështje që me siguri do të shtrohen për zgjidhje në të ardhmen e afërt, si për shembull, lloji i regjimit të bashkësisë ligjore mbi obligacionet dhe titujt e dematerializuar. Ne shpresojmë që gjyqtarët, prokurorët, institucionet që janë përgjegjës për regjistrin tregtar ose regjistrat e titujve të tjerë financiarë, si dhe avokatët dhe studiuesit do të gjejnë në këtë punim disa nga përgjigjet e pyetjeve të tyre. Ndërsa jemi të vetëdijshëm se interpretimi i regjimeve të ndërlidhura të bashkësisë ligjore dhe të drejtës për shoqëritë tregtare në Shqipëri do të zhvillohet në mënyrë dinamike në të ardhmen e afërt dhe probleme dhe kërkesa të reja do të lindin, do të jemi të kënaqur nëse ky botim do të japë një kontribut fillestar në debatin e doktrinës dhe jurisprudencës, si dhe forcimin e të drejtave pronësore të grave në aktivitetin tregtar që është pjesë e bashkësisë ligjore. Falënderojmë gjithashtu Departamentin e të Drejtës Civile dhe Fakultetin e Drejtësisë, të cilët pranuan bujarisht të financojnë këtë projekt. Një falënderim i përzemërt i detyrohet stafit të administratës së Fakultetit të Drejtësisë për mbështetjen e tyre logjistike. Në sajë të kësaj mbështetjeje, ky publikim do të shpërndahet pa pagesë. Grupet e targetuara përfshijnë bibliotekën e Fakultetit të Drejtësisë (UT), Shkollën e Magjistraturës, Dhomën e Avokatisë Tiranë, Dhomën e Noterëve Publikë, disa nga gjykatat si dhe pjesëmarrësit e të dy workshop-eve. Pjesë e këtij projekti është edhe organizimi i një gjyqi simulues me këtë temë me studentët e programit Master Shkencor në Departamentin e të Drejtës Civile, si dhe një tryezë të rrumbullakët me organizata që promovojnë të drejtat e grave.