Ardit Gjebrea, gjirokastriti fisnik që na nderon të gjithëve

789
Nga: Naxhi KASORUHO, Mjeshtër i Madh

E kam ndjekur me vëmendje dhe respekt të veçantë gjithë aktivitetin artistik të Ardit Gjebresë, këtij artisti me integritet të lartë intelektual dhe qytetar. Sa herë e dëgjoj këngën e Petrit Lulos, bilbilit të këngës gjirokastrite ku thotë: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”, mendja më shkon tek gjirokastritët fisnikë, nga lashtësia deri në ditët tona, duke filluar me Princeshën Argjiro, Çerçiz Topullin, Basho Thoma Papapano, doktor Vasilin e madh, Ismail Kadarenë dhe qindra të tjerë deri tek Ardit Gjebrea, të cilët me emrin që kanë lënë në historinë e kombit tonë na bëjnë të ndihemi krenarë, që jemi gjirokastritë. Në këtë kontribut të vyer të gjirokastritëve fisnikë në shekuj e vite ka vendin e tij edhe Arditi, komopozitori, intelektuali, kantautori, prezantuesi televiziv i vlerësuar, duartrokitur e nderuar nga publiku i gjerë artdashës. Të flasësh për Ardit Gjebrenë nuk është e vështirë mbasi ai e ka gdhendur personalitetin artistik në talentin dhe punën e tij krijuese në skenë dhe para publikut, që e do dhe respekton aq shumë, prandaj jo ky artikull por edhe një libër i tërë monografi për të do të ishte i pamjaftueshëm, por u ula të shkruaj këto rreshta i nxitur nga spektakli “E diela shqiptare” që e ndoqa me vëmendje të dielën më 31 dhjetor 2017. Në atë të diel, Gjebrea prezantoi dy histori të veçanta dhe mbresëlënëse. Një vajzë e re që vinte nga komuniteti etnik ballkanik – egjiptian me arsim të lartë dhe studimet master, por që nuk kishte gjetur një vend pune dhe një djalë 9 vjeçar që nuk ecte dot, por lëvizte me karrocë me rrota e që kërkonte ta ndihmonin me një makinë që ta shpinin në shkollë dhe ta sillnin në shtëpi. Për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit për dy të ftuarit Arditi thirri në ndihmë kryeministrin e vendit z. Edi Rama. Mbasi u diskutua gjatë dhe z. Rama i ndiqte me vëmendje dhe emocion këto dy histori, në përfundim kryeministri iu drejtua vajzës, duke i thënë se do të fillonte punë si këshilltare e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa fëmija që rrinte në karrocë, që nga ajo ditë do të shkonte në shkollë me një makinë gjatë gjithë ditëve deri në fund të vitit. Si ky rast ka me dhjetëra e dhjetëra të tjerë ku Gjebrea manifeston një shpirt të gjerë human, i dashur, atëror, qytetar, filantrop, i sinqertë dhe me përkudesje njësoj për të gjithë. Duke e ndjekur me vëmendje e respekt në të gjitha prezantimet e tij në skenë dhe televizion; si këngëtar, autor e prezantues në festivale e spektakle në ecurinë e viteve si kushdo tjetër edhe unë e kam vlerësuar dhe admiruar Arditin, aq më tepër që edhe unë jam muzikant dhe për këtë e ndjek me interes gjithë aktivitetin e tij artistik. Të gjithë e kemi vërejtur ndjesinë dhe mënyrën e komunikimit të Gjebresë se si entusiazmohet dhe gëzohet kur komunikon në Tele-bingo kur ka fitues. Kur në programin e tij prezantohen ngjarje të vështira e të dhimbshme, ai ka raste edhe që pezmatohet e deri të përlotet. Sa herë që e ndjek në televizor, shpesh them me vete: “Ku e gjen gjithë atë energji dhe entusiazëm në 6 orë në sepktaklin “E diela shqiptare”, ku përballon emocione e ndjesi të ndryshme, të gëzuara e të dhimbshme por që gjithmonë shpalos optimizëm, entusiazëm, miqësi, respekt e dashuri, për sejcilin që ka të ftuar në studio?! Për të gjitha këto ne e duam Ardit Gjebrenë dhe i urojmë në këtë fillim viti suksese në aktivitetin artistik dhe gëzim në familje! Si muzikant dhe si gjirokastrit unë do t’i sugjeroja Arditit, që në këtë vit të planifikojë një aktivitet artistik në qytetin e tij të origjinës, në Gjirokastrën e bukur e të mençur si një obligim artistik e qytetar. Ne e duam Ardit Gjebrenë dhe Gjirokastrën dhe Gjirokastra i do të gjithë.
Sigal