Ardit BRAHO/ “Avokati Popullit”, ose “zëri kushtetues” në mbrojtjen ligjore të qytetarëve

3535
Kur bëhet fjalë për një institucion që ka lidhje me krejt shoqërinë, 15 vite veprimtari nuk janë pak. Institucioni i “Avokati i Popullit” e ka thënë “fjalën” e tij të parë në 27 prill 2000, kur nisi aktivitetin publik, si “zë” dhe mburojë e të drejtave sociale e ligjore të qytetarëve, përballë veprimtarisë së shtetit, në marrëdhëniet e krijuara mes palëve shtet-privat-qytetar-komunitet, ndaj dhe krijimi i këtij institucioni, erdhi si nevojë e diktuar për zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në vendin tonë. Shqipëria është Anëtare e Këshillit të Europës që prej vitit 1995. Një nga kushtet e vendosura nga ky organizëm pas anëtarësimit në të, ka qenë dhe ngritja e një institucioni të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut, siç është institucioni i “Avokatit të Popullit”. Pikërisht më 27 prill 2000, ky institucion ka bërë “mbrojtjen e parë të popullit”, ndaj dhe menduam të bëjmë pak vështrim juridik e “historik”, sot pas 15 vitesh nga nisja e aktivitetit si institucion kushtetues në shërbim të qytetarëve. 
Nga miratimi me Kushtetutë, 15 vjet institucion publik veprues
Ngritja e institucionit të “Avokati i Popullit”, u bë realitet kushtetues në muajin tetor 1998, duke u ligjëruar Kushtetutën e re të miratuar po na atë muaj me Ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998. Nga miratimi në Kushtetutë, u kalua në hapa të mëtejshëm, me qëllimin që “Avokati Popullit”, të mbështetej më bazë ligjore konkrete dhe të bëhej një realitet veprues në jetën e shqiptarëve. Në vitin 1999, parlamenti shqiptar miratoi Ligjin Nr. 8454, datë 04. 02. 1999 “Për Avokatin e Popullit” e më pas zgjidhi Avokatin e parë të Popullit më 16 Shkurt 2000. Ky ligj, u plotësua me Ligjin Nr. 8600, datë 10. 04. 2000, dhe u ndryshua me Ligjin Nr. 9398, datë 12. 05. 2005. Krijimi i këtij institucioni është model i “Avokatit të Popullit”, nga vende me përvojë në këtë lloj shërbimi mbrojtës me spektër të gjerë problematikash e raportesh ligjore prej Avokatit të Popullit, sidomos nga “Ombudsmani” i Danimarkës, ku ka një përvojë konkrete në raportet me shtetin, për zbatimin e ligjshmërisë dhe të drejtave të qytetarëve. “Avokati i Popullit” ka vetëm një objekt veprimtarie: Veprimtari juridike, për të ndihmuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve e subjekteve nga veprimet, ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe subjekteve të tjerë që veprojnë si strukturë ose si partnerë të saj, duke pasur si platformë ligjore referuese e mbështetëse si “Kodi Civil”, ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, ligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, Ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”, si dhe Ligji “Për shëndetin mendor” përbëjnë bazën ligjore, ku përcaktohen thuajse të gjitha të drejtat dhe detyrat funksionale të “Avokatit të Popullit”. 
“Avokati i Popullit” në lidhje me torturën 
Po ndalem vetëm në një objekt të rëndësishëm të veprimtarisë së “Avokatit të Popullit”: në lidhje me torturën. Kjo ka shumë rëndësi për t’u trajtuar, pasi është një çështje shumë aktuale në vendin tonë e cila ka nisur të të bëhet objekt parësor dhe tregues kryesor i reformës në drejtësi, futur në trajtesë prej ministrisë së drejtësisë e cila po punon për hartimin dhe miratimin e një bazë ligjore sa më të plotë, jo thjeshtë me koncepte juridike, por me akte ligjore vepruese për eleminimin e torturës nga shoqëria dhe nga institucionet ligj-zbatuese, me pikësynim kryesor, bazë ligjore më të rreptë për ndëshkimin e aplikuesve të dhunës nëpër institucionet policore gjatë shoqërimit e ndalimit, por edhe nëpër burgje! “Avokatit të Popullit” i njihet e drejta si subjekt i veçantë për mbikëqyrjen e zbatimit dhe realizimit të ligjit për të dënuarit dhe para burgosurit. Institucioni i “Avokatit të Popullit” gëzon kompetenca për të vëzhguar rregullisht trajtimin e individëve, që u është hequr liria në vendet e ndalimit, arrestimit ose burgosjes, me qëllim, që kur është e nevojshme, të sigurohet, garantohet dhe forcohet mbrojtja e individëve nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër, qëndrimi dhe veprimi çnjerëzor ose poshtërues. 
Bashkëpunimi me organizatat jofitimprurëse
Në këtë spektër, prej “Avokatit të Popullit” është trajtuar e po konsolidohet sidomos në 3 vitet e fundit, bashkëpunimi me mediat dhe OJF-të, për parandalimin e torturës. Prej “Avokatit të Popullit”, në 2 vitet e fundit janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me “Komitetin Shqiptar të Helsinkit”, “Qendrën Shqiptare të Rehabilitimit të Viktimave të Torturës” dhe “Institutin Europian të Tiranës”. Mbështetur në Ligjin Nr. 9094, datë 03. 07. 2003 “Për Ratifikimin e Protokollit Opsional të Konventës kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese”, sipas të cilit, edhe në Shqipëri si në gjithë vendet e BE, duhej të krijohej një strukturë kombëtare, me veprimtari parandalimin e torturës, ose të atashohej një veprimtari e tillë pranë një institucioni specifik për këto lloj mbrojtjesh, të drejtë që e fitoi institucioni i “Avokatit të Popullit”, si organi më aktiv e profesional që plotësonte të gjitha kushtet për të kryer një veprimtari të tillë e cila duhet thënë se vitet e fundit ka dhënë provat e një veprimtarie efiçente. Raportet e veprimtarisë së tij, tregojnë se “Avokati i Popullit” është kthyer një institucion që po ndryshon jo vetëm konceptin mbi torturën në institucionet e policisë e të burgjeve, por edhe po vepron për eleminimin e saj, duke kërkuar respektimin e ligjit, në ndjekje të çdo denoncimi rasti dhune, por edhe sipas një plani vëzhgues pune në këtë aspekt. Siç dihet, “Avokati i Popullit” nuk ka të drejtë të ndërmarrë veprime konkrete ndëshkuese, në rastet kur vëren shkelje të të drejtave të njeriut, apo tortura nëpër ambientet e rajoneve policore, të qendrave të paraburgimeve apo burgjeve, por kjo nuk e ka ndaluar të veproj kundër këtyre rasteve. Nëpërmjet rekomandimeve, ka bashkëvepruar me administratën e Burgjeve, me Ministrinë e Drejtësisë, duke zhvilluar edhe trajnime të shumta me uniformat blu, që janë të punësuar pranë ambienteve të burgimit apo paraburgimit. Parimi kushtetues është ky: liritë dhe të drejtat e njeriut, janë të njëjta dhe ndaj atyre që janë të burgosur, ndaj nuk duhet kryer asnjë lloj torture, pasi kjo bie ndesh me parimet e një shteti demokratik e gjithashtu, bie ndesh edhe me miratimin e konventave ndërkombëtare, që ka nënshkruar dhe ratifikuar vendi ynë. 
———————————————
Projekti bashkëpunues i “Avokatit të Popullit” shqiptar, me “Institutim Danez për të Drejtat e Njeriut”
Kur flitet për krijimin dhe fuqinë e një institucioni kushtetues, sidomos për “Avokatin e Popullit” si institucion që i shërben pjesës masive të shoqërisë (popullit), si jurist, dëshiroj t’i referohem bazës ligjore mbi të cilën është krijuar dhe funksion ky institucion. Ligji Nr. 8454, datë 19.2.1999 “Për Avokatin e Popullit” plotësuar me Ligjin Nr. 8600, datë 10.04.2000, ndryshuar me Ligjin Nr. 9398, datë 12.05.2005, ka të përcaktuar më gjerë dhe hollësisht kompetencat e tij, parimet mbi të cilat punon, pranimin e ankesave, hetimin e ankesave, rekomandimet, raportimet e të tjera. Tashmë, që prej 15 vitesh “Avokati Popullit” është realitet veprues konkret, duke krijuar edhe një bashkëpunim ndërkombëtar, për mbështetje ndërkombëtare, siç është projekti bashkëpunues, i nisur në fund të vitit 2012, me titull: “Forcimi i “Ombudsmanit” Shqiptar, shërbimi më pranë komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe medias”, projekt ky me afat veprimi e zbatimi në periudhën 2012-2015)”, financuar nga Qeveria Daneze dhe mbështetur në zbatimin e tij, nga “Instituti Danez për të Drejtat e Njeriut”. Në kuadër të këtij projekti, për herë të parë që nga krijimi i tij, “Avokati i Popullit” në Shqipëri, ka zhvilluar një Plan Strategjik që mbulon periudhën 2013-2015. Projekti ka 5 shtylla kryesore: 
1. Hartimi i një plani strategjik shumëvjeçar për Institucionin. 
2. Përmirësimi i sistemit teknologjik (IT) të Institucionit 
3. Forcimi i partneritetit me Shoqërinë civile dhe Mediat
4. Forcimi i partneritetit me njësitë e qeverisjes vendore
5. Përmirësimi i inspektimeve në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit.
—————————————————————————-
Principet ligjore e morale, të veprimtarisë së “Avokatit të Popullit”
1. Profesionalizëm: Shërben me integritet, përgjegjshmëri, në mënyrë të drejtë dhe aplikon standardet më të larta të profesionalizmit në punën e tij. Gjithashtu vlerëson një mjedis pune që nxit rritjen personale dhe profesionale,bashkëpunimin e punës në ekip, si dhe inovacionin dhe krijimtarinë.
2. Pavarësi dhe paanshmëri: Është i paanshëm dhe objektivë në veprimet e tij,duke promovuar dhe mbrojtur të drejtat e individit dhe publikut në mënyrë të pavarur nga shteti.
3. Transparencë: Është i ndërgjegjshëm që duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe partnerëve në mënyrë transparente, e sigurohet që informacioni mbi veprimtarinë e institucionit të jetë publik dhe i arritshëm nga qytetarët apo palët e interesuara.
4. Bashkëpunim: Bashkëpunon me qytetarët dhe partnerët e tij unanimisht në emër të një qëllimi të përbashkët, ndan njohuritë dhe përvojat, diskuton dhe ndihmojnë njëri-tjetrin në mirëbesim.
5. I arritshëm: Dëgjon me vëmendje e respekt qytetarët dhe partnerët, komunikon në mënyrë sa më të qartë e të thjeshtë, si dhe mundohet t’i shohë gjërat nga pikëpamje të ndryshme. Gjithashtu përpiqet që të ketë një infrastrukturë të përshtatshme në institucionin e tij si dhe të zgjerojë veprimtarinë e tij në rajone të ndryshme të vendit në mënyrë që të sigurojë akses ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.
6. Pro-aktivë: Angazhohet në mënyrë aktive me qytetarët dhe partnerët e tij. Mëson nga përvoja e tij dhe e të tjerëve, si dhe është pro-aktivë në identifikimin, zhvillimin dhe aplikimin e praktikave më të mira.
7. Jo diskriminues: Trajton individët në mënyrë të barabartë, duke vlerësuar ndryshimet dhe idetë e kundërta mes tyre. 
Sigal