Arben Meksi, fiton Çmimin ndërkombëtar për karikaturën

2514
Sigal

Në konkursin botëror të karikaturës të zhvilluar në Qipro, ku morën pjesë rreth 348 karikaturistë nga 64 vende të ndryshme të botës, u paraqitën 802 punime. Karikaturisti Arben Meksi u nderua me Çmim special. Ky konkurs trajtonte temën e ruajtjes së paqes në botë, e shprehur përmes simbolit të pemës së ullirit. Ideja që ka paraqitur autori në këtë punim, janë pemët e prera të ullirit dhe pëllumbi, i cili fluturon sipër tyre me folenë e lidhur pas trupit duke mbajtur në sqep degën e ullirit, duke shpëtuar kështu simbolin e paqes.  Karikatura u vlerësua, jo vetëm për mesazhin që përcillte, por edhe për paraqitjen grafike të saj. Punimet e paraqitura në këtë konkurs, u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare. Fituesit që u nderuan me çmim, do të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së tyre. Organizatorët e këtij konkursi, ditën e dhënies së çmimeve së bashku me punët e ekspozuara, do të shpërndajnë dhe katalogun me punimet më të zgjedhura nga ky aktivitet.  Karikaturisti vlonjat ka marrë disa çmime ndërkombëtare dhe është nga të paktët karikaturistë që përfaqësojnë vendin tonë në këtë gjini të artit tonë pamor.