Arben Kamami: “Prioriteti im, të zbatoj çdo projekt të mbetur në sirtarë!”

574
Sigal

INTERVISTA/ Flet ekskluzivisht për “Telegraf” prefekti i ri i Qarkut të Elbasanit, Arben Kamami

Momentin më të vështirë e kisha kur më duhej të vendosja nëse duhej apo jo ta pranoja këtë post”, kështu e nis intervistën e dhënë ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, për herë  të parë në postin e prefektit të Qarkut të Elbasanit mjeku i njohur, Arben Kamami. Duke u ndalur tek sfidat e tij, ai premton se do t’i realizojë ato të gjitha. Gjithashtu, Kamami flet për projektet e prefekturës për zhvillimin e turizmit duke i cilësuar si burimin më të fortë të të ardhurave për banorët e këtyre zonave, por shton edhe se qytetarët e Elbasanit do të kenë shërbim falas në spitale. I pyetur për procesin e emërimeve të drejtorëve, prefekti shprehet se janë vendosur vetëm disa prej tyre dhe se javës tjetër pritet që të përfundojnë emërimet në të gjithë qarkun.

Z. Kamami keni pak ditë që jeni emëruar prefekt i Qarkut të Elbasanit, si ndjeheni?

Ky post është një post shumë i rëndësishëm, ndjehem me shumë përgjegjësi. Por të them të drejtën e pata të vështirë për të vendosur, nëse duhej ta pranoja apo jo këtë detyrë, sepse duhej të shkëputesha nga profesioni im i mjekësisë, për të cilin kam investuar për vite të tëra studimi, por përpos këtyre si mjek ndjehesha edhe më komod. Por nga ana tjetër kjo do të jetë një shtysë për një modifikim në punën time të tanishme.

Cilat janë sfidat tuaja për Qarkun e Elbasanit?

Institucioni i Prefekturës është një zgjatim i qeverisjes qendrore. Por motivimi im personal do të jetë në maksimum në këtë moment kaq të vështirë të këtij fundi tranzicioni.

Duke qenë se, Elbasani ka mjaft zona turistike malore ç’do të bëni ju si prefekt i këtij qarku për t’i kthyer ato në pikat më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj?

Ekziston një pikë turistike në Qarkun e Elbasanit që quhet Gjinar, e cila lë shumë për të dëshiruar, por me ndërhyrjen e qeverisë së re do të bëjmë që kjo pikë turistike të shndërrohet në zonë turistike. Gjithashtu, është edhe zona e llixhave, e cila shumë mirë mund të shndërrohet në një qendër turizmin  mjekësore në Qarkun e Elbasanit. Por Qarku i Elbasanit ka dhe mjaft pika të tjera turistike siç është Stëbleva në rrethin e Librazhdi dhe i gjithë parku kombëtarë Shebenik-Jabllanicë, zona e Grabovës në rrethin e Gramshit, të cilës i nevojite urgjentisht ndërtimi i rrugës për ta bërë të shfrytëzueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Gjithashtu fare pranë Elbasanit me kushte klimatike dhe me pamje të mrekullueshme natyrore është zona e Funarit që deri tani është fare pak e njohur dhe e frekuentuar. Ku të gjitha këto zona me projekte të nevojshme (disa prej këtyre projekteve ekzistojnë) mund të bëhen një burim i mirë të ardhurash për banorët e këtyre zonave.

Duke qenë se ju vini nga sfera e mjekësisë çfarë do t’i ofroni qytetarëve të Elbasani ndryshe nga  paraardhësit tuaj?

Është e vërtetë që unë bëj pjesë në atë grup njerëzish të mjekësisë dhe si i tillë them që shërbimi shëndetësor me fondet aktuale dhe me një shtesë të vogël mund të jetë falas. Nëse e realizojmë këtë atëherë për çdo shërbim që qytetarët do të marrin në spitale nuk do të paguajnë. Por problemi qëndron te qendrat spitalore (shëndetësore) që nga Përrenjasi deri në Peqin, e them këtë, sepse ekzistojnë spitale, të cilat i ka kaluar koha, por që aktualisht i marrin fondet. Rishpërndarja e fondeve që marrin këto spitale, por që faktikisht janë Qendra Shëndetësore bëjnë shërbim jo cilësorë. Rimarrja e këtyre fondeve në spitalet qendrore së bashku me rikonstruktimin e urgjencën si një shërbim kombëtarë do të bënte të mundur rritjen e cilësisë së shërbimit nëpër spitalet e rretheve dhe atij rajonal.

Dhe së fundmi a kanë përfunduar emërimet e drejtorëve të rinj në të gjitha drejtoritë e Qarkut të Elbasanit?

Nuk ka përfunduar ende, deri tani janë vendosur një pjesë e drejtorive të rëndësishme të qytetit të Elbasanit dhe në krye të këtyre institucioneve janë vënë njerëz të aftë dhe me eksperiencë profesionale  dhe besoj se brenda javës tjetër ky proces do të mbyllet në të gjithë qarkun.