Aplikimet pronësore dhe biografike të Arkivave i kalojnë Postës Shqiptare

548
Sigal

Prej datës 21 nëntor, të gjitha kërkesat për dokumente pronësore dhe biografike që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit dhe Arkivat Shtetërore Vendore do të kryhen në Postën Shqiptare, sipas praktikës ndërkombëtare arkivore të “kërkimit me pagesë“. Marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Postës Shqiptare u nënshkrua dje në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë, nga drejtorët e përgjithshëm, Ardit Bido dhe Majlind Lazimi. Marrëveshja parashikon që aplikimi për këto dokumente do të kryhet në të gjitha pikat e autorizuara të Postës Shqiptare dhe përgjigja do t’u kthehet qytetarëve në të njëjtën pikë ku kanë aplikuar, 23 ditë pas aplikimit. Bido, theksoi se kjo përbën një reformë tërësore. filozofia e Arkivave parashtron se arkivat janë të hapura për këdo që dëshiron t’i shfrytëzojë, por lehtësojnë dhe ofrojnë shërbim në shtëpi për cilindo individ të cilit i nevojiten arkivat. Qytetarët nga i gjithë vendi nuk do të duhet të udhëtojnë për në Tiranë, por mjafton të shkojnë në pikën më të afërt të Postës dhe të aplikojnë për këtë shërbim. Ndërsa Drejtori i Postës Shqiptare, Lazimi, theksoi se “Posta Shqiptare prej vitesh është një partner serioz për shumë institucione, të cilat kërkojnë bashkëpunimin tonë për kryerjen e shumë shërbimeve me interes publik. Marrëveshja e sotme është një tjetër procedurë me rëndësi që i besohet Postës Shqiptare, si një institucion efikas dhe eficent në kryerjen e shërbimeve. Kjo reformë e shërbimit të dokumenteve me karakter social-juridik në dobi të qytetarëve parashikon që qytetarët duhet të plotësojnë formularin e aplikimit në Postë, të shlyejnë pagesën e tarifës së “kërkimit me pagesë”, si dhe të dorëzojnë dokumentet bashkëlidhur. Përgjigja do të jepet në afat standard prej 23 ditësh, në mënyrë që të mos ketë përshpejtim abuziv të kërkesave të diferencuara për qytetarë të ndryshëm. Tarifat e shërbimit janë të njëjta si më parë, ndërkohë që qytetarëve do t’u ulen kostot e transportit dhe do t’u kursehet ardhja në zyrat e Arkivit Qendror Shtetëror apo ato të Arkivave Shtetërore Vendore, teksa shërbimin, tashmë, do ta marrin pranë shtëpisë.