Aplikimet për 500 kredi të buta, drejtoresha e Shërbimit Social: Ja kriteret për ta përfituar

78
Ditën e djeshme kanë nisur aplikimet për 500 kredi të buta për të gjithë ata që duan të blejnë një shtëpi në Tiranë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tregon të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit për t’u përzgjedhur si fitues.
Më tej, ajo thekson se këtë vit procedurat e aplikimit janë thjeshtuar e tashmë, personat duhet të paraqiten pranë njësive administrative ku banojnë për plotësimin e formularit të strehimit, duke dorëzuar një fotokopje të kartës së identitetit. Pas vlerësimit të këtij aplikimi nga Drejtoria e Strehimit, personat aplikues do të njoftohen për të vijuar me plotësimin e dokumentacionit.
Sipas Rusetit prioritet në programin e kredive të buta kanë çiftet dhe familjet e reja, ku mosha mesatare e çiftit duhet të jetë 70 vjeç. Për të gjithë të interesuarit, drejtoresha sqaron se fituesit e programit mund të përzgjedhin lirisht vendndodhjen e shtëpisë së tyre, me kushtin që ajo të jetë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.
Cilat janë kriteret që duhen plotësuar për të përfituar kredi të butë?
Duke u nisur nga kërkesat e shumta për strehim, por edhe për shkak se qyteti i Tiranës po rritet me ritme të shpejta, vitin e kaluar Bashkia e Tiranës nisi programin e “Subvencionimit të interesave të kredisë”. Ky program u vjen në ndihmë të gjitha çifteve të reja, të cilat kanë një nivel të caktuar të ardhurash nga punësimi dhe dëshirojnë të blejnë një shtëpi, por e kanë të pamundur të përfitojnë një kredi me kushtet e tregut.
Kështu, Bashkia e Tiranës u subvencionon interesat e kredisë. Për të përfituar nga programi i “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere, ku më kryesoret janë: Familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar; individët të cilët në momentin e paraqitjes se kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç; familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë si dhe familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit.