Apeli i ushtarakëve: 3 kërkesat për të fituar pensionet

701
Jepni të drejtat kushtetuese dhe ligjore për pensionet e ushtarakëve
APEL/ Shfuqizoni Vendimin Unifikues Antikushtetues Nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës të Lartë
DREJTUAR: Gjykatës Kushtetuese të Republikës të Shqipërisë
Presidentit të Republikës të Shqipërisë
Kryeministrit të Shqipërisë
Kryetarit të Kuvendit
Ministrisë Mbrojtjes
Ministrisë të Ekonomisë dhe Financave
PËR DIJENI: Avokatit të Popullit
Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut (ONM)
Shoqatat e ushtarakëve, u janë drejtuar sistematikisht Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrit, Ministrisë të Mbrojtjes dhe Ministrisë të Mirëqenies Sociale me disa kërkesa zyrtare, për zgjidhjen e problemeve të ushtarakëve, por kërkesat e draftet e tyre ligjore nuk janë marrë në konsideratë dhe nuk është hedhur asnjë hap, për zgjidhjen e tyre apo për hartimin e miratimin e ligjeve të premtuara.. Nga kjo neglizhencë së fundi janë “trimëruar” gjykatat dhe po shkelin standardin e vendimeve të tyre të mëparshme që kanë dhënë në favor të ushtarakëve. Treguesi më tipik i këtij qëndrimi ashtë Vendimi Unifikues Nr.3/2016, i Gjykatës të Lartë, i cili ka thelluar më tej padrejtësitë që ju janë bërë ushtarakëve. Vendimi Unifikues Nr3/2016 i Gjykatës të Lartë është antikushtetues dhe bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Ky vendim, nuk na penalizon vetëm ne ushtarakëve që na kthen në “debitorë”, pa i pasur borxh askujt, por ai në thelb iu kundërvihet hapur ligjeve ekzistuese dhe qasjes të re ligjore të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, në kuadrin e reformës të pensioneve, ku, midis të tjerave, kanë miratuar dy ligje të rëndësishme që lidhen edhe me pensionet e ushtarakëve. Ligji Nr.104/2014, datë 31.07.2014 që ka ndryshuar ligjin Nr. 7703/1993, “Për sigurimet shoqërore” në nenin 32/1 thekson: “ 1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë ”. Pra reforma e re e pensioneve ka unifikuar faktin që pensionet përbëhen nga një bazë dhe nga një shtesë dhe ju ka hequr përfundimisht tavanin kufizues, me synim që ai, i cili ka derdhur kontribute më shumë, të marrë një pension më të lartë. Gjykata e Lartë nuk bazohet në këto tre përcaktime bazë të këtij ligji, por bën të kundërtën, zeron masën e bazës dhe shtesës të pensionit të parakohshëm dhe tenton të ndërtojë një tavan të ri antikushtetues e diskriminues, duke ligjëruar pabarazinë dhe duke kufizuar masën e përgjithshme të pensionit të parakohshëm sa një pension maksimal në shkallë vendi. Gjykata e Lartë në vendimin unifikues i referohet ligjit Nr.46/2016 për faljen e debitorëve, por në praktikë vepron në kundërshtim me këtë ligj. Kuvendi dhe Qeveria korrigjuan një padrejtësi duke falur “detyrimet” antikushtetuese të ushtarakëve dhe po rikthejnë debitë e mbajtura, si rrjedhojë e zbatimit të keq të ligjit Nr.10142/2009, të ndryshuar me aktin normativ Nr.5/2010. Kurse Gjykata e Lartë me vendimin Nr.3/2016, ka vendosur, të kthejë përsëri në debitorë ushtarakët, duke kthyer vendimet e tyre për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit. Ky vendim përkeqëson situatën financiare të ushtarakëve dhe i shndërron ata në debitorë të rinj, me shuma që nuk i shlyejnë dot, deri në vdekje. Të krijohet përshtypja sikur Gjykata e Lartë jeton në një planet tjetër. Qeveria eliminon debitorët me argumentin se është zbatuar keq ligji Nr.10142/2009 i ndryshuar, kurse Gjykata e Lartë krijon përsëri debitorë të rinj, duke iu kundërvënë hapur Kuvendit dhe Qeverisë. Vendimin unifikues Nr.3/2016, është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga të gjitha shoqatat e ushtarakëve në bllok dhe nga mjaft ushtarakë individualisht për çështjen e tyre. Gjykata e Lartë me këtë vendim jo vetëm krijon “debitorë” të rinj, por shpall “debitorë” dhe ata që e kanë fituar të drejtën e tyre me vendim gjyqësor të formës të prerë. Gjykata e Lartë ka dalë mbi Kuvendin, ka marrë kompetencat e tij, duke ndryshuar ligje, duke rikthyer në fuqi ligjin Nr.8087/1996 të shfuqizuar në vitin 2005, duke mos njohur ligjet e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve të viteve 2005 dhe 2006, duke shpikur kufizime dhe tavane pensioni që nuk i ka pasur e nuk i ka asnjë ligj deri tani etj. 
Nisur nga sa më sipër kërkojmë që Gjykata Kushtetuese në datën 10.10.2017, të japë drejtësi dhe të zbatojë Kushtetutën. Të dalë mbi palët, duke hetuar dhe gjykuar të gjitha shkeljet kushtetuese që kanë bërë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës të Lartë duke iu hequr ushtarakëve të drejtën ligjore që iu takon me Kushtetutë dhe duke shkelur Konventën Evropiane të të Drejtave Themelore të Njeriut. Ky është momenti që Gjykata Kushtetuese të interpretojë në mënyrë të drejtpërdrejtë periudhën e zbatimit të vendimeve të saj Nr. 33, datë 24.06.2010 dhe Nr.2 datë 18.02.2013 dhe të mos e lerë këtë interpretim në dorën e gjykatave të niveleve më të ulëta, që luajnë me këto dy vendime dhe i interpretojnë në mënyra të ndryshme. Kërkojmë që Gjykatat Administrative të pezullojnë çështjet gjyqësore që Gjykata e Lartë i ka kthyer për rigjykim, në zbatim të vendimit unifikues antikushtetues Nr.3, datë 16.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës të Lartë, duke iu referuar Kushtetutës dhe jo këtij vendimi antikushtetues. Gjykatat Administrative janë para një rasti flagrant ku Gjykata e Lartë, jo vetëm ka shkelur me të dy këmbët Kushtetutën, por i urdhëron ato që të mohojnë dhe të rrëzojnë e vendimet e tyre të mëparshme. Gjykatat Administrative duhet të na tregojnë që janë me integritet, të ndershme dhe të pavarura. Këtë mundësi ua jep neni 145 i Kushtetutës ku theksohet 
“1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. 
2. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat. 
3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve pas sjell përgjegjësi sipas ligjit”. 
Nëse ekziston vullneti për të dhënë drejtësi, Gjykatat Administrative duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin kushtetues të vendimit unifikues dhe të pezullojnë proceset gjyqësore, derisa të shprehet me vendim Gjykata Kushtetuese lidhur me kushtetueshmërinë e vendimit unifikues Nr.3, datë 16.11.2017. Nëse dhe Gjykata Kushtetuese do ta lërё vendimin unifikues Nr.3/2016 të Gjykatës të Lartë nё fuqi, beteja jonё ligjore do të vazhdojë, nё Gjykatёn e tё Drejtave tё Njeriut. Për të shfuqizuar nga themelet ngrehinën ligjore antikushtetuese të pensioneve të ushtarakëve, për t’u dhënë problemeve tona një zgjidhje ligjore të plotë, të drejtë, përfundimtare dhe të qëndrueshme që të përputhet me Kushtetutën e Republikës të Shqipërisë, me Konventën e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe me standardet e NATO-s, kërkojmë nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë: 
– Të riformatojnë dhe miratojnë ndryshimet në Statusin e Ushtarakut të vitit 2004, për ta rikthyer atë në parametrat e standardet e NATO-s, duke shfuqizuar të gjitha ligjet e viteve 2005, 2006, 2009 dhe Aktin Normativ që u kthye në ligj në vitin 2010.
– Të hartojnë dhe miratojnë ligjin e premtuar “Për Mbrojtjen dhe Sigurimin Shoqëror të Ushtarakëve”, i cili të garantojë zbatimin e Statusit të ri të Ushtarakut dhe të shfuqizojë të gjitha ligjet e mëparshme. 
– Qeveria të marrë një vendim ku të urdhërohen të gjitha Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore që të pezullojnë mbajtjen e debive të ushtarakëve derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese në lidhje me kushtetueshmërinë e Vendimin Nr.3, datë 16.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës të Lartë. Zbatimi i ligjit Nr.10142/ 2009 dhe Aktit Normativ Nr.5/2010 nuk varet nga horoskopi vjetor i qeverisë apo i Gjykatës të Lartë, por bazohet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe të drejtat e njeriut që janë të detyrueshme për t’u zbatuar në një Shtet Ligjor. E themi këtë, sepse Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore, janë në një situatë sa absurde aq edhe qesharake, sepse nga data 01.04.2016, sipas ligjit Nr.46/2016 “Për faljen e debitorëve”, vijojnë t’u rikthejnë ushtarakëve debitë që iu janë mbajtur padrejtësisht në zbatim të gabuar të ligjit Nr.10142/2009 dhe Aktit Normative Nr.5/2010, kurse nga ana tjetër ato kanë filluar të mbajnë debitë dhe kanë krijuar debitorë të rinj si rrjedhoje daljes të vendimit unifikues Nr.3/2016 të Gjykatës të Lartë. Duhet theksuar se ushtarakë e rinj “debitorë” të drejtën e tyre të pensionit nuk e kanë marrë me forcë, me falsifikime apo mashtrime, por e kanë fituar me vendime gjyqësore të formës të prerë nga Gjykatat e Apelit në të gjithë vendin. Për të krijuar një panoramë më të gjerë të shkeljeve të bëra në fushën e pensioneve të ushtarakëve bashkëlidhur këtij apeli institucioneve të lartpërmendura ju janë dërguar dhe këto lidhje: 
Lidhja Nr.1. Historia e hidhur e shkeljes së të drejtave dhe diskriminimi i ushtarakëve dhe familjeve të tyre gjatë tranzicionit shqiptar 1991-2017. 
Lidhja Nr.2. Fakte të kundërligjshme ku është shkelur e drejta themelore për të jetuar e ushtarakut në pension një domosdoshmëri për reformën në drejtësi. 
Lidhja Nr.3. Gjykata Kushtetuees në datën 10 tetor duhet të japë drejtësi dhe t’i thotë, stop diskriminimit të mëtejshëm të ushtarakëve. 
Lidhja Nr.4. Disa kërkesa ligjore të ushtarakëve në pension.
Presim sa më shpejt reagimin dhe përgjigjen tuaj.
Faleminderit për mirëkuptimin!
GRUPI NISMËTAR I THEMELIMIT TË
“FEDERATËS KOMBËTARE TË USHTARAKËVE TË BASHKUAR TË SHQIPËRISË” 
Sigal