Apeli i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Qeveria të ulë taksat!

539
Sigal

 

Dhoma
Amerikane e Tregtisë nuk do të reshtë së i kërkuari qeverisë uljen e taksave.
Në mbledhjen e fundit të bordit të saj, propozimet për paketën fiskale të vitit
2017 insistojnë në uljen e tatim-fitimit, duke e bërë të barabartë me rajonin.
Në një intervistë për mediat, Mark Crawford, kreu i kësaj dhome, thotë se nuk
ka rëndësi se sa bëhet taksa e tatim – fitimit, 13, 10 apo 9%. Për të e
rëndësishme është që vendi ynë të jetë konkurrent.

“Të
gjithë investitorët që vijnë në Shqipëri, gjëja e parë që pyesin është se sa
janë taksat dhe si i ka ato rajoni në mënyrë që të matet kostoja e prodhimit.
Nuk ka rëndësi se sa bëhet kjo taksë 9,10 apo 13%, e rëndësishme është që të
kemi paketë konkurruese”.

Mark
Crawford shton se edhe nisma e qeverisë për të falur një pjesë të borxheve
tatimore duhet të shihet me kujdes. Sipas tij, amnistitë në thelb nuk janë të
moralshme, pasi penalizohet biznesi i rregullt dhe krijohet përshtypja se edhe
nëse nuk paguan taksa, do vijë një kohë që ato do të falen. “Nuk është në thelb
e moralshme sepse penalizohet ai që paguan taksat rregullisht. Këtu krijohet
përshtypja se çdo tre vite do të ketë falje prandaj mos paguani, bie ndesh edhe
me vetë politikat e qeverisë, të cilat u bënë represive një vit më parë”.

Por
çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të thithur investitorë të huaj? Mark Crawford
thotë se fillimisht ajo duhet të jetë në hartë, pasi shumica e tyre nuk na
njohin! “Le të marrim modelin e Malit të Zi, ata shkojnë në çdo konferencë dhe
panair të mundshëm që të thonë këta jemi ne, kemi këto oferta për investime.
Para disa ditësh erdhi një grup nga SHBA në Shqipëri, por ata nuk e njihnin
cila ishte, pasi e vizituan tashmë po mendojnë seriozisht të hapin biznes”.

Biznesi
mirëpret lajmin e qeverisë për të mos lëvizur nivelin e taksave, por ata
këmbëngulin që të bëhet kujdes me tarifat e fshehta, të cilat në vite kanë
krijuar kosto të mëdha për ta.