Apel, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

300
Agron Dalipaj
Këtë muaj pritet që ASH t’i japë çmimin “Eqrem Çabeji” një vepre pseudoshkencore dhe me pasoja të rënda ndaj kombit shqiptar siç është vepra e akademikut Kolec Topalli “Etimologji e Gjuhës Shqipe” e dalë në qarkullim në nëntor 2017, e cila është miratuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike Tiranë, në të cilën 93% e fjalorit të shqipes, cilësohet si huazim! 

Fjalori i Topallit nuk ka as oponencë e as recencë e kjo vërtetohet nga dy kërkesat e mia që i kam dërguar QSA-së, që nga dhjetori që shkoi të mbështetura në ligjin 1192014 “Për të drejtën e informimit” dhe ky institucion ende nuk më përgjigjet për të më vënë në disponim çka e detyron ligji. Vepra e Topallit është sulmi më i ndyrë që i bëhet kombit shqiptar duke ia përcaktuar gjuhën në masë 93%, të marrë borxh e me kast të tregojë, se një komb si yni nuk ka gjuhën e vet, e për rrjedhojë, të vërë në dyshim autoktoninë e shqiptarëve në trojet ku jetojnë sot. Nëse ASH nuk tërheq nga qarkullimi veprën-mostër të K. Topallit FEGS, por edhe e nderon me çmim, ajo është palë me këtë krim ndaj kombit të vet. Mandej çdo shqiptar duhet ta dijë, se Akademia e Shkencave të Shqipërisë, për të cilën paguan dhe taksa, nuk i shërben kombit të tij, por është e gjitha kundër tij. Përgjegjës do jetë çdo anëtar i ASH-së edhe, nëse nuk ka lidhje profesionale me gjuhën, nëse në mungesë të plotë të transparencës nderohet me çmim vepra më joshkencore dhe me pasoja të rënda antishqiptare e K. Topallit, e cila e plotësuar dhe me vulën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, synon të zhbëjë kombin shqiptar. ASH të bëjë publike recencën dhe oponencën ndaj fjalorit të Topallit (nëse ka një të tillë). Akademia e Shkencave duhet të jetë koshiente se, nëse firmos me çmim veprën e fundit të Topallit, ka firmosur dhe fundin e saj. Në respekt të shkencës, historisë sonë, gjuhës sonë dhe të traditave tona, ne do jemi përballë Akademisë aq të shumtë dhe do t’i kërkojmë shtetit shqiptar t’ju shkrijë. Misioni juaj kundër gjuhës shqipe duhet të marrë fund. Me fuqinë që na jep e vërteta shkencore dhe e drejta legjitime për të mbrojtur gjuhën tonë nga çdo përdhosje “shkencore” e një akademie që “vërteton” se jemi gati pa gjuhë, ne dimë në fakt, se ku janë me adresë armiqtë e shqiptarit. Provoni t’i jepni çmim një vepre antikombëtare dhe do shihni se si do reagojë shqiptari i vërtetë!